Lëvizja Besa: Është koha për riorganizimin e opozitës | Sela: Për momentin nuk e mendojmë koalicionimin

    Edhe Lëvizja Besa mendon se partitë opozitare shqiptare kanë nevojë për kohën dhe hapësirën e tyre për të vendosur nëse në të ardhmen do të bashkëpunojnë ose koalicionojnë në ndonjë formë. Këtë pozitë e bëri të ditur deputeti i kësaj partie Fadil Zendeli.

    “Në të gjithë këtë situatë ka nevojë për një hapësirë të riorganizimit të skenës politike opozitare shqiptare. Të dy subjektet politike shqiptare që janë në opozitë, me siguri edhe Aleanca për Shqiptarët kërkon hapësirën e vete, ne si subjekt politik Besa kërkojmë hapësirën tonë të veprimit pas zgjedhjeve lokale. Të dy subjektet i shohin pozitat e veta. Ne subjekt politik shohim se nëse vjen te bashkëpunimi, kjo duhet të vijë natyrshëm. Nuk duhet të jetë rezultat i presioneve dhe ndikimeve”, tha Fadil Zendeli, Lëvizja Besa.

    Edhe kreu i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela, ishte shprehur i zhgënjyer nga partneri i deritanishëm i koalicionit, Alternativa, thotë se për momentin nuk mendon se do të ketë koalicion me Lëvizjen Besa, edhe pse këtë çështje nuk e kanë diskutuar akoma në organet e partisë.

    “Ne kemi bërë koalicione sepse ju e dini se sa këtë e ka kërkuar populli, qytetarët, që të ketë një koalicion. Ne e kemi bërë edhe për të qenë komfor kërkesës që e kanë qytetarët mirëpo po shihet me këto lëvizje se gjërat nuk po ecin siç duhet sepse po krijohet një zhgënjim me lëvizjet politike të cilat mund t’i bëjë dikush që ti i kë dhënë fuqinë politike me votën tënde, para së gjithash qytetarët, pastaj edhe subjektet politike duke i dhënë ndonjë pozicion më tepër. Ky është elementi më shqetësues që unë e shoh”, deklaroi Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

    Por gjithsesi, Zendeli më tej shton se veprimet e partive do të dirigjohen nga interesi i tyre politik dhe nga interesi i qytetarëve. Besa beson se së shpejti do të ketë zgjedhje të parakohshme.

    “Ajo që ndodh në skenën politike, kriza me qeverisjen që është duke vazhduar, na bind se do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe ne si subjekt jemi deklaruar se kërkojmë zgjedhje të parakohshme parlamentare”, u shpreh Fadil Zendeli, Lëvizja Besa.

    Pas zgjedhje lokale, Lëvizja Besa lëshoi qeverinë e Zaevit me të cilin ishin partnerë koalicioni parazgjedhor. Në vend të saj, Alternativa firmosi marrëveshje për hyrjen në Qeverinë e ardhshme të cilën pritet ta drejtojë një kryeministër tjetër, meqë Zaev ka paralajmëruar largimin e tij. /Alsat M/

    Lajmi Paraprak

    Konfirmohet vendimi i qeverisë që të anulohet koncesioni për minierën “Ilovica – Shtuka”

    Lajmi i rradhës

    “Turp, uji është nevojë elementare”, tre ditë një pjesë e Kondovës kanë mungesë të ujit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë