Liderët e BE-së në Tiranë: Ballkani të anëtarësohet sa më shpejt

    Liderët e Bashkimit Evropian (BE) bënë thirrje të hënën në Tiranë që të përshpejtohet procesi i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në bllokun evropian.

    Gjatë një samiti njëditor të Procesit të Berlinit, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz tha se “është shumë e qartë se 20 vjet pasi këtyre vendeve iu premtua pranimi, kjo duhet të ndodhë shumë shpejt”.

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se samiti dërgoi një mesazh të fuqishëm për përkushtimin e BE-së për zgjerim dhe se qasja në tregun e brendshëm duhet të rritet, por kjo kërkon edhe reforma, sipas saj.

    Ajo tha se ato vende që janë të gatshme për reforma, do të marrin fonde për investime nga BE-ja.

    “Dyert tona janë të hapura, por duhet të bëhet më shumë”, tha ajo.

    Vendeve të Ballkanit Perëndimor u është premtuar perspektivë evropiane prej vitit 2003, në një samit në Selanik. Nga ajo kohë, vetëm Kroacia nga vendet e rajonit është anëtarësuar në BE, në vitin 2013.

    Negociatat për anëtarësim ka vite që i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia, ndërsa në korrik të vitit 2022 i kanë nisur edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Bosnjë e Hercegovina e ka marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa Kosova ka vetëm Marrëveshje Stabilizim-Asociimi (MSA) me BE-në.

    Gjatë punimeve të samitit, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se ka ardhur koha që premtimi për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor të mbahet.

    “Ne në BE duhet të përgatitemi për të mirëpritur anëtarët e rinj deri në vitin 2030 për t’u zgjeruar dhe e di që ky afat, ka hasur me disa skepticizma në rajonin tuaj, sepse keni pritur për një kohë të gjatë, megjithatë ne po përgatitemi. Zgjerimi është investim në paqen dhe begatinë qoftë të BE-së dhe anëtarëve tanë të ardhshëm”, tha Michel.

    Gjatë samitit, po ashtu, u nënshkrua edhe një marrëveshje rajonale për njohjen reciproke të kualifikimit profesional.

    Gjatë samitit të Procesit të Berlinit në të cilin, përveç prezantimit të një pakoje të re të investimeve nga Bashkimi Evropian, u diskutua edhe për sulmin në veri të Kosovës më 24 shtator.

    Dënohet sulmi ndaj Policisë së Kosovës në veri

    Sulmi ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Buanjku, si dhe tre sulmues serbë, u dënua përsëri nga Bashkimi Evropian përmes presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si dhe nga kancelari Scholz.

    Duke folur pas samitit, Leyen u pyet nëse do të ketë sanksione ndaj Serbisë në lidhje me ngjarjet e muajit të kaluar.

    “Duhet të ketë një hetim të plotë që më pas ne të kemi një qëndrim. Ne po presim të dhënat e hetimit dhe të do të vendosim më pas”, tha ajo.

    Kosova e ka akuzuar Serbinë se tentoi ta “aneksojë tërë veriun e Kosovës” gjatë sulmit përgjegjësinë për të cilin e mori Millan Radoiçiq, nënkryetari i deriatëhershëm i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

    Serbia i ka mohuar akuzat.

    Ndërkohë, Scholz tha se “duhet një hetim i plotë që të bëhet nga autoritetet në Kosovë dhe Serbia duhet të bashkëpunojë për këtë hetim të rëndësishëm.”

    Ai iu bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të shikojnë “drejt të së ardhmes, jo me sytë tek e kaluara”, dhe t’i zgjidhin problemet para se të bëhen pjesë e BE-së.

    “Nuk mund të merrni me vete këto probleme. Vullneti i qeverisë sime edhe BE-së është për të zgjidhur njëherë e mirë konfliktin Kosovë-Serbi”.

    Çka u tha tjetër në samit?

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha gjatë samitit në Tiranë se Ballkani Perëndimor nuk duhet të jetojë me “frikën e një konflikti nesër”, duke shtuar se Serbia “po vazhdon ta kërcënojë me pushtim” Kosovën.

    “Edhe njëzet e pesë vjet pas fushatës gjenocidale, dhe pas kaq shumë raundeve të dialogut, Kosova ende kërcënohet me invazion nga Serbia. Ky moment na kërkon të reflektojmë dhe të mos e vazhdojmë punën si zakonisht. Një akt i tillë nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar”, tha Kurti duke iu referuar sulmit të 24 shtatorit dhe grumbullimit të trupave serbe në afërsi të kufirit kosovar më vonë.

    Ai tha se në vend se të jetojnë me frikën e konfliktit, qytetarët në Ballkanin Perëndimor “sot duhet të punojnë për një të ardhme së bashku”.

    “Ne, si udhëheqës të tyre, kemi përgjegjësinë për të ndërtuar atë të ardhme të përbashkët. Dhe si udhëheqës, ne duhet të përfshihemi në atë proces me mirëbesim.”

    Sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, Kurti tha në takim me liderët e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në kryeqytetin e Shqipërisë se “ne e mbështesim ‘planin me katër hapa’ të rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor nga Presidentja e Komisionit Evropian. BE-ja mund të reformohet dhe të zgjerohet. Unë gjithashtu besoj se përfitimet e Tregut Unik të BE-së duhet të lidhen me reformat ekonomike dhe demokratike. Nuk duhet të ketë përfitime të BE-së dhe as fonde të BE-së, pa vlerat të BE-së.”

    Kurti tha, po ashtu, se i kishte kërkuar kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, ta nënshkruante Marrëveshjen Bazë dhe aneksin e saj, të arritura mes Kosovës dhe Serbisë në fillim të këtij viti, por ajo kishte refuzuar.

    “Une jam që marrëveshja dhe aneksi të firmosen pikërisht tani që Vuçiqi është në Kinë në takime me superfuqitë e zonave lindore dhe verilindore, por ajo nuk ishte e interesuar”, tha Kurti.

    Bërnabiq s’merr pjesë në fotografinë familjare

    Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, nuk pranoi të merrte pjesë në fotografinë familjare me liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, në prapavijën e së cilës në mesin e flamujve të vendeve pjesëmarrëse të Procesit të Berlinit ishte edhe ai i Kosovës.

    Greqia vë kusht çështjen “Beleri”

    Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, sapo mbërrit në Tiranë tha për gazetarët se me kryeministrin Edi Rama Ramën do të bisedojë për çështjen “Beleri”. Ai theksoi se do ta bënte të qartë se Fredi Beleri duhet të betohet si kryetar i bashkisë së Himarës edhe pse ndodhet në paraburgim.

    “Nuk kam ndërmend të ndërhyj në çështjet e drejtësisë shqiptare. Zgjidhja e çështjes (beleri) është një kusht i domosdoshëm që Greqia të ndërmarrë hapin e radhës dhe të pranojë fillimin e procesit të negociatave ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së. Shpresoj dhe uroj që ky problem të zgjidhet në frymën e bashkëpunimit”-tha lideri grek.

    Fredi Beleri ndodhet në paraburgim, pasi u arrestua nga policia pak ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, i akuzuar për blerje votash. Ai u zgjodh kryetar i bashkisë së Himarës dhe po vijon kërkesat në gjykatë për të kërkuar leje për të dalë nga burgu për të kryer betimin. Kjo kërkesë deri më tani i është refuzuar nga gjykata. Çështja e Belerit shpesh ka shkaktuar përplasje mes Ramës dhe zyrtarëve grek. Kryeministri shqiptar ka thënë se kjo çështje nuk i takon politikës, por drejtësisë.

    Çka është procesi i Berlinit?

    Procesi i Berlinit është një nismë e ish-kancelares Angela Merkel të Gjermanisë në vitin 2014, për të ndihmuar në zhvillimin ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në përafrimin e tyre me Bashkimin Evropian.

    Kjo nismë shërben si një platformë për bashkëpunimin e nivelit të lartë ndërmjet përfaqësuesve zyrtarë të nivelit të lartë të së ashtuquajturës Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor, e cila përbëhet nga Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Procesi përfshin edhe institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe shoqërinë civile në rajon.

    Kjo është hera e parë që një takim i procesit të Berlinit organizohet jashtë kufijve të BE-së.

    Përveç zyrtarëve të bllokut evropian dhe të Ballkanit Perëndimor, në samit mori pjesë edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, ndërsa presidenti i Francës, Emmanuel Macron, mbërriti në Tiranë pasi samiti përfundoi punimet dhe nisi një vizitë dyditore në Shqipëri. /REL/

    Lajmi Paraprak

    BBC kërkon publikisht falje për mënyrën se si mbuloi protestat pro-palestineze

    Lajmi i rradhës

    BBC: Konvoji i civilëve të arratisur goditet në Gaza, vriten gra dhe fëmijë (Video)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë