Ligjet ndryshojnë, por jo edhe nataliteti

    Formulimet e reja ligjore të herëpashershme për të stimuluar natalitetin nuk po japin rezultatet, trajektorja në rënie e numrit të përgjithshëm të popullsisë, e sidomos lindjet e reduktuara nga viti në vit, janë pasqyrë e mosfunksionimit të zgjidhjeve ligjore të propozuara në vite. Nëse i referohemi kompensimeve financiare të njëhershme për lindjen e fëmijës së parë, të dytë…, të katër viteve më parë, numri i fëmijëve përfitues reduktohet çdo vit, me të paktën 300 (fëmija i parë) deri në 500 fëmijë (fëmija i dytë) të lindur më pak çdo vit. Sipas ndryshimeve ligjore në ligin për mbrojtjen sociale (i cili ka hyrë në fuqi në mars të vitit 2020), parashihet ndihmë e njëhershme për çdo fëmijë të lindur, për fëmijën e parë 5 mijë denarë, për fëmijën e dytë është 20 mijë denarë, ndërsa për fëmijën e tretë 60 mijë denarë.

    Nëse ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve u argumentuan si rezultat i joefikasitetit të ligjeve të mëparshme, pasi mbështetje financiare afatgjatë (për fëmijën e tretë dhe të katërt) përfituan edhe familjet që ishin në gjendje të mirë ekonomike, problemi me reduktimin e lindjeve nuk u zgjidh as me politikat e ndryshuara tre vitet e fundit.

    Dhe me ndryshimet e reja të drejtën e shtesave për fëmijët e kanë ato familje që janë në gjendje më të vështirë ekonomike ( për të gjithë të lindurit pas datës 24.03.2020). Që do të thotë se kjo e drejtë mund të realizohet vetëm nëse të ardhurat e familjes gjatë tre muajve të fundit të dorëzimit të kërkesës janë më të vogla sesa paga minimale. Sipas të dhënave zyrtare alarmante është numri i foshnjave që lindin gjatë një viti.

    Vetëm vitin e kaluar janë regjistruar 1019 lindje më pak sesa në 2021 ( gjithsej 17.771 foshnje). Nëse bëjmë një krahasim me shifrat e foshnjave që regjistroheshin dhjetë vjet më parë, diferenca është e madhe. Për shembull, në vitin 2012 numëroheshin mbi 23 mijë lindje brenda një viti, ose mbi pesë mijë më shumë sesa një dekadë më vonë. Rënia e vazhduar e numrit të lindjeve gjatë këtij viti është pasqyruar me ritmet në ulje të shtimit natyror të popullsisë.

    Sipas të dhënave zyrtare gjatë tre muajve të parë të vitit popullsia është zvogëluar me 1577 persona (diferenca mes lindjeve dhe vdekjeve), ndërsa numri i lindjeve është rreth 9 për qind më i vogël sesa një vit më parë ( gjithsej 3656 lindje). Por nëse i referohesh të dhënave sipas komunave vendbanimet shqiptare janë ato që bëjnë diferencën me pjesën tjetër të popullsisë dhe zbusin shtimin natyror negativ të theksuar në shuma komuna maqedonase.

    Në periudhën nga viti 2012 deri në vitin 2022, numri i lindjeve është ulur për 5.495, dhe lindshmëria është ulur nga 11.4 ‰ në 9.9 ‰ (lindje për 1000 banorë), thuhet në publikimin më të fundit të Entit të Statistikave. Për rrjedhojë Maqedonia renditet si një prej vendeve të rajonit ku grupmosha 0-24 vjeç përbën vetëm 28.8 për qind të numrit të përgjithshëm të popullsisë. Për dallim nga viti 1990 kur kjo grupmoshë përbënte 38.8 për qind të popullsisë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Akoma nuk dihet se si do t’ia bëhet me maturën shtetërore në RMV

    Lajmi i rradhës

    Ferati: LSDM-ja bashkëpunon me VMRO-në kundër arsimit shqip në Çashkë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë