Ferati: LSDM-ja bashkëpunon me VMRO-në kundër arsimit shqip në Çashkë

    Drejtori i Inspektoratit të Arsimit, Halit Ferati në TV21, duke folur për protestat e djeshme në Çashkë, ku u pengua mësimi shqip, tha se këto zhvillimet kanë prapavijë politike dhe shqiptarët duhet t’u thonë stop të njëjtave, përcjell Nistori.

    “Janë shenja që ne shqiptarët duhet të mendojmë në përgjithësi sepse kemi ardhur në një pikë, ku ekzistenca dhe forma dhe mënyra bazike për arsimin, të pengohet nga një grup i qytetarëve dhe partive politike, them politike sepse shumicën i njoh. Kemi ardhur në një pikë që kësaj dukurie ti themi STOP”, tha Ferati.

    Ferati akuzon LSDM-në se bashkëpunon me VMRO-në kundër arsimit shqip në Çashkë

    Ferati thotë se ka fakte dhe argumente që i dëshmojnë atij se organizatorë kryesorë të protestave kundër arsimit shqip në Çashkë, janë bashkëpunëtorë të kryetarit të komunës, nga radhët e LSDM-së, Goran Stojanovski.

    Ai shtoi se për protestat bashkëpunojnë dy partitë maqedonase, LSDM dhe VMRO-DPMNE-ja.

    “Janë njerëz të strukturës së LSDM-së dhe bashkëpunëtorë të kryetarit të Komunës. Pasi që ekzistojnë video…
    LSDM-së?
    Po… Shumica janë dhe të VMRO-së.
    Si, po thoni se dy partitë maqedonase bëhen bashkë kundër kësaj?
    Jo, nuk janë prej sot bashkë, por janë që dy vite e gjysmë bashkërisht. Unë e them me përgjegjësi të plotë”, tha Ferati dhe shton se kjo “i ka fuqizuar fuqishëm”.

    “Vetëm që një shqiptar mos të bëhet pronar i tokës në Çashkë” – Ferati tregon historinë e familjarit të tij

    “Vetëm që një shqiptar mos të depërtojë në institucionet kryesore të komunës”. Kështu është shprehur Ferati, duke treguar historinë e një “familjari të tij i cili ka blerë tokë, por me muaj të tërë kryetari i Komunës së Çashkës ia ka zvarritur procedurën e pronësisë”.

    Ferati e tregon rastin e familjarit të tij, duke e ndërlidhur me protestat e djeshme kundër mësimit shqip, pasi sipas tij, bashkëpunimi LSDM-VMRO po bëhet “vetëm që shqiptarët mos të depërtojnë në Çashkë”.

    “Lindën pyetja, pse këta prindër nuk kanë protestuar kur këta fëmijë kanë mësuar në gjuhën maqedonase?”, pyeti më tej Ferati.

    Ferati i reagon Muhamed Kadriovit: Banjica është fshat malor, nuk i plotëson kriteret për shkollë

    Ferati potencon se deklarata e Kadriovit nuk është qëndrim personal i tij, por është thënë “nën direktivat e kryetarit të komunës së Çashkës”.

    Më tej Ferati ka komentuar edhe propozimin e Kadriovit, që në vend të hapjes së paraleles shqipe në “Todor Janev” në Çashkë, të ndërtohet shkollë e re në Banjicë.

    “Fshati Banjicë është ndër 32 fshatrat e komunës së Çashkës. Është një fshat me 150 banorë. Ne nuk mundemi nxënësit shqiptarë t’i largojmë nga një shkollë ku janë kushtet superiore dhe ku është qendra e komunës së Çashkës, ku nxënësit shqiptarë për kompromise politike t’i hedhim nëpër kodra, nëpër lloç.
    Ai është fshat malor…?

    Ai është fshat që nuk i plotëson kriteret dhe nevojat e nxënësve”, tha Ferati.

    Nga ana tjetër, Muhamed Kadriov gjatë ditës ka dalë me një njoftim në Facebook duke demantuar mediat që siç thotë, raportojnë se ai “është kundër paraleles shqipe në Çashkë”.

    “Sa i përket asaj që kam thënë nuk ka të bëjë asgjë me atë se çfarë flitet dhe si shtrembërohet deklarata ime. Unë i qëndroj asaj se kompetencat duhet t’i ketë kryetari i komunës së Çashkës dhe bashkërisht me prindërit e nxënësve ta gjejmë një zgjidhje deri në ndërtimin e shkollës së re në Banjicë.

    Lus të gjithë që kjo çështje të mos politizohet dhe ky problem të mos shkaktojë problem edhe më të madh, pasiqë humbës do të jenë vetëm nxënësit e pafajshëm!”, shkruan mes tjerash Kadriov. /TV21/

    Lajmi Paraprak

    Ligjet ndryshojnë, por jo edhe nataliteti

    Lajmi i rradhës

    Siarto: ka mbizotëruar atmosferë kundër zgjerimit, prandaj vendet e BP nuk kanë pasur përparim drejt BE

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë