Liqeni i Dibrës pa plan urbanistik dhe me investime të vonuara në infrastrukturën turistike

    Liqeni i Dibrës, edhe pse është një akumulacion artificial dhe përdorimi kryesor i tij është prodhimi i energjisë elektrike nga hidrocentrali “Spile”, luan një rol shumë të rëndësishëm edhe në zhvillimin e turizmit në rajon. Përveç prodhimit të energjisë elektrike, liqeni përdoret edhe për relaksimin dhe freskimin e dibranëve gjatë sezonit veror, si dhe për peshkim sportiv dhe organizimin e shumë garave në këtë sport. Bukuritë natyrore të këtij akumulacioni janë të konsiderueshme dhe ai ofron kushte të mira për zhvillimin e turizmit.

    Në një gjatësi prej rreth 23 kilometrash, nga Ura e Kosovrastit deri te lokaliteti Tre Çesmat, liqeni ka shumë zona të cilat gjatë fundjavave mbushen me peshkatarë sportivë, por edhe me turistë lokalë, si dhe vizitorë nga qytete të tjera të vendit dhe nga Shqipëria. Edhe pse bregu i liqenit vazhdon të jetë jashtë planeve urbanistike, pasi komuna ende nuk ka Plan Gjeneral Urbanistik, peshkatarët sportivë nga Dibra, rajoni dhe më gjerë vazhdojnë të jenë të rregullt në aktivitetet e tyre të peshkimit sportiv.

    Një problem i kahershëm ka qenë infrastruktura rrugore që të çon deri te bregu i liqenit. Rruga kryesore, e ndërtuar vite më parë nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), është funksionale, por peshkatarët sportivë prej vitesh kanë kërkuar edhe hapjen dhe rregullimin e rrugëve të tjera dytësore, pasi peshkimi zhvillohet në shumë pjesë të liqenit.

    Pushteti vendor këto ditë ka filluar të plotësojë këtë nevojë të peshkatarëve, por edhe të komunitetit në përgjithësi, pasi shumë qytetarë kalojnë kohë dhe relaksohen në bregun e liqenit.

    Komuna e Dibrës, siç informoi kryetari i saj Fisnik Mela, ka realizuar rehabilitimin e disa rrugëve që çojnë deri te bregu i liqenit. Shoqata e Peshkatarëve Sportivë “Trofta” – Dibër, e cila është koncesionare e liqenit dhe ku peshkimi lejohet vetëm për qëllime sportive dhe jo ekonomike, prej shumë vitesh ka kërkuar vazhdimisht rehabilitimin e rrugëve që çojnë drejt Liqenit të Dibrës, si një nevojë e domosdoshme për peshkatarët, qytetarët dhe zhvillimin e turizmit në zonë.

    Kryetari i shoqatës, Beli Haliti, tha se më në fund ka një ndryshim real, falë angazhimit të kryetarit të Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, me fillimin e rehabilitimit të rrugës së njohur si “Shkallët”. “Presim që ky të mos mbetet një aktivitet i izoluar, por të vazhdojë me të njëjtin seriozitet edhe rehabilitimi i rrugës ‘Udova’, si dhe segmenti Venec-Karaçalli, të cilat janë po aq të rëndësishme për qasjen në bregun e liqenit”, tha Haliti për gazetën Koha.

    Lajmi Paraprak

    Gjendja në fushëbetejën e Ukrainës: mot pranveror, sezoni i ri i luftimeve dhe një sulm i madh rus

    Lajmi i rradhës

    Takimi Merz-Al-Sharaa, përshpejtimi i kthimit të refugjatëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë