LSDM e sheh shpëtimin te shqiptarët!

    Kryetarët e partive më të mëdha, LSDM dhe VMRO-DPMNE, Dimitar Kovaçevski dhe Hristijan Mickoski, pritet të ulen para Vitit të Ri për të diskutuar për zgjidhjet kadrovike për qeverinë teknike. Deri atëherë mund të dihet nëse partnerët e qeverisë LSDM, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët do të dalin në lista të përbashkëta apo siç është gjithnjë e më e sigurt se fronti evropian do të shkojë në zgjedhje pa Ali Ahmetin dhe Arben Taravarin.

    Duke gjykuar nga deklaratat e Mickoskit dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të VMRO-DPMNE-së, është e sigurt se partia do t’i delegojë ministrat dhe zëvendësministrat e saj në qeverinë teknike dhe se nuk do ta votojë Talat Xhaferin për kryeministër teknik. Kryeministri Kovaçevski paralajmëroi takimin me Mickoskin dhe përkujtoi se formimi i qeverisë teknike është obligim që del nga ligji. “Ka komunikim mes partive. Pas mbledhjes së organeve të partisë do të ketë një mbledhje që nuk do të bëhet e ditur përmes mediave, por do të jetë një bisedë normale për zbatimin e asaj që përcakton ligji, pra shpërndarja e resorëve në qeverinë teknike, votimi i asaj Qeverie në Parlament dhe përgatitje për zgjedhje”, tha Kovaçevski.

    E derisa po pastrohen pozitat për qeverinë teknike, në skenën politike vërehet një konfuzion i vërtetë për ecurinë e partive në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. VMRO-DPMNE tradicionalisht do të performojë së bashku me partnerët e koalicionit, Kovaçevski ende e mban të hapur mundësinë për të shkuar me lista të përbashkëta me Ahmetin dhe Taravarin (BDI dhe Aleanca për Shqiptarët), dhe fronti evropian është opsioni i fundit i tyre për ecurinë zgjedhore. Të dyja partitë në pushtet të shqiptarëve thonë se analizat janë ende në vazhdim, por se për momentin opsioni i parë i tyre është një paraqitje e pavarur, e dyta është e përbashkët. Koalicioni mes BDI-së dhe Aleancës preferohet më shumë nga partia e Ahmetit, ndërsa partia e Taravarit thotë se ka shanse të barabarta për koalicion mes AA-së dhe Lidhjes Evropiane për Ndryshim të Bilal Kasamit, Izet Mexhitit dhe Afrim Gashit. Nga LEN përsërisin se Aleanca ka një ofertë të hapur për t’iu bashkuar atyre si opozitë e bashkuar për të hequr BDI-në nga pushteti.

    Nga partia e Taravarit bëjnë të ditur se vendimin do ta marrin para shpalljes së zgjedhjeve, pra kah fundi i shkurtit. Ata do të kenë ende takime me diasporën, mendimi i së cilës ishte shumë i rëndësishëm për ta, dhe në janar takime në terren me nëndegë dhe degë. Sipas Aleancës për Shqiptarët, se si do të dalin në zgjedhje do të varet se ku do të peshojnë më shumë si parti.

    Analistët shprehen se LSDM është e vetëdijshme se nuk do të arrin asnjë rezultat nëse në zgjedhje shkon pa një partner të madh të koalicionit. Politologu Dimitar Hristov për Koha thotë se shpëtim i vetëm për këtë është një koalicion i gjere ku do të përfshihen BDI dhe ASH.

    “Matematikat në LSDM bazohen në atë se ata shpresojnë në lista të përbashkëta për zgjedhjet parlamentare për çka do të ishte win-win situatë për të trija partitë, ku edhe në zgjedhjet presidenciale koalicioni i njëjtë do të jepte mbështetje për kandidatin e LSDM-së. Megjithatë kjo është bukur e menduar në taborin e LSDM-së, për këtë po mendohet në BDI dhe ASH. Për fund, ky koalicion është shpëtimi i vetëm i LSDM-së nëse dëshiron të mbetet në garë të ngushtë për fitore në zgjedhjet e ardhshme”, ka deklaruar Dimitar Hristov, politolog.

    Pasiguria rreth pozicionimit të partive për zgjedhjet parlamentare përforcohet edhe më shumë nga zgjedhjet presidenciale. Dëshira e Kovaçevskit është që kandidati i LSDM-së të ketë mbështetje konsensuale nga Ahmeti dhe Taravari. Megjithatë, shanset për një kandidat konsensual janë të vogla, sepse nga Lidhja Evropiane për Ndryshim, kanë deklaruar se do të garojnë me kandidatin e tyre për president të shtetit, i cili, nga ana tjetër, i prishi llogaritë BDI-së dhe Aleancës që në raundin e parë të mbështesin një kandidat të LSDM-së.

    Llogaritjet e partive nga blloku shqiptar janë se nëse LEN ka kandidatin e vet, atëherë edhe BDI edhe Aleanca për Shqiptarët do të dalin me kandidatët e tyre për president. Është interesant fakti që Aleanca për Shqiptarët informon se nuk do të thotë se do ta përkrahin kandidatin e LSDM-së në raundin e dytë, por se mbështetja do të varet nga zgjidhja kadrovike që do të ofrojnë LSDM dhe VMRO-DPMNE. Intelektualët shqiptarë propozojnë që blloku politik shqiptar të qëndrojë pas një kandidati jopartiak për president shteti, por kjo ndoshta do të dështojë sepse në Lidhjen Evropiane për Ndryshim besojnë se është ide e BDI-së dhe se mund të realizohet nëse të gjitha partitë shqiptare mbështesin kandidatin e tyre për president.

    Lajmi Paraprak

    Çka u pengon investitorëve të huaj në RMV?  

    Lajmi i rradhës

    Rruga Tetovë-Prizren sërish përplas opozitën me pushtetin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë