Rruga Tetovë-Prizren sërish përplas opozitën me pushtetin

    Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, ka demantuar zëvendësministrin e Transportit dhe Lidhjeve Bekim Rexhepi, i cili tha se në muajin janar Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe ajo e Kosovës do të nënshkruajnë marrëveshje për financimin e përbashkët të tunelit në aksin rrugor Tetovë-Prizren. Megjithatë Kasami, thotë se nga zëvendësministri Rexhepi mund të marrim veç informacione të gabuara. Ai nënvizoi se projekti Tetovë-Prizren do të jetë prioritet për qeverinë e ardhshme, ndërsa shfaqi bindjen se pjesë e asaj qeverie do të jetë edhe fronti opozitar.

    “Nga zëvendësministri, si përfaqësues i qeverisë ne mund të marrim veç informacione të gabuara. Pra, nuk bëhet marrëveshje për financim të realizimit të projektit, por në fakt bëhet fjalë për një marrëveshje për projektim. Të dy qeveritë janë dakorduar që të financojnë një projekt të përbashkët të tunelit. Por, edhe këtë ne nuk presim që kjo qeveri ta realizojë, prandaj në vitin e ardhshëm ka zgjedhje parlamentare dhe unë garantoj që qeveria e ardhshme që do të dalë pas atyre zgjedhjeve, jo që vetëm do të realizojë financimin e atij projekti por edhe do të jetë një ndër projektet prioritare e asaj qeveria, ku ne jemi të bindur se do të jemi pjesë si front opozitar”, deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

    Ditë më parë, zëvendësministri i Transportit dhe lidhjeve Bekim Rexhepi theksoi se në janar të vitit 2024 do të nënshkruhet marrëveshja mes Qeverisë së Maqedonisë dhe Qeverisë Kosovës për bashkëfinancim të hapjes së tunelit që lidh Tetovën me Prizrenin.

    “Tani më vetëm se janë përfunduar bisedimet. Vendimi respektivisht draft versioni për marrëveshjen për bashkëfinancim të tunelit ka kaluar në qeveri dhe është çështje kohe se kur do të nënshkruhet kjo marrëveshje. Ne jemi çdo ditë në komunikim me kolegun tim zv ministrin e transportit të Qeverisë së Kosovës dhe shpresoj që në muajin janar do të kemi një ditë ku do të nënshkruhet kjo marrëveshje për vetëfinancim”, deklaroi zëvendësministri i Transportit dhe lidhjeve Bekim Rexhepi.

    Hapja e rrugës Tetovë- Prizren ka përplasur jo rrallë herë pushtetin qendror dhe lokal, për atë se kush do e bëj projektin. Kreu i komunës së Tetovës Bilall Kasami gjatë vizitës së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Tetovë, nga fshati Vicë paralajmëruan hapjen e kësaj rruge, për tu përgënjeshtruar një ditë pas nga zëvendëskryeministri Artan Grubi i cili tha se projekti është ndërqeveritar dhe se komuna nuk ka kompetenca të flet për projekte të tilla. Akuzat e pushtetit lokal janë se kjo qeveri deri më tani nuk ka realizuar asnjë projekt konkret në vendbanimet shqiptare, duke përmendur edhe mos realizimin e autostradës Shkup-Bllacë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    LSDM e sheh shpëtimin te shqiptarët!

    Lajmi i rradhës

    Objekti i gjimnazit në Dibër, i paregjistruar!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë