LUFTA KUNDËR KORRUPSIONIT NUK ËSHTË E MUNDUR PA OJQ-të!

    Bashkëpunimi mes Qeverisë dhe organizatave joqeveritare (OJQ) është në këmbë qelqi. Edhe pse në vend kemi edhe një Këshill për komunikim në mes të Qeverisë dhe shoqërisë civile, i cili praktikisht është bojkotuar për gati dy vite dhe mungesën e komunikimit mes Qeverisë dhe sektorit civil. OJQ-të ankohen për mosfunksionimin e këtij Këshilli.

    Sipas tyre, arsyeja e mosfunksionimit të Këshillit, që nga ana tjetër është një arsye e drejtpërdrejtë pse Qeveria dhe OJQ-të tanimë po bashkëpunojnë më pak, në fakt qëndron në faktin se Qeveria gjatë rishpërndarjes së fondeve buxhetore për vitin 2022, ka marrë vendim për rishpërndarja e parave për sektorin joqeveritar.

    Sektori joqeveritar gjatë disa seancave të Këshillit kërkuan përgjigje nga qeveritarët për këtë vendim dhe pasi nuk morën përgjigje, vendosën ta bojkotojnë Këshillin. Ata ankohen gjithashtu se kryeministri Dimitar Kovaçevski, nuk komunikon fare me përfaqësues të sektorit civil, përkundër letrave për të diskutuar për problemin.

    Ky organ funksionon vetëm në letër dhe mandati i tij i dytë është në vazhdim dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që nga fillimi i vitit të kaluar, ndërsa seanca e fundit e Këshillit e bojkotuar nga sektori civil është mbajtur një vit më parë ose më saktë më gjashtë tetor 2022. Këshilli, i cili përfaqëson një përzierje mes zyrtarëve të institucioneve të ndryshme dhe përfaqësuesve të sektorit joqeveritar, u formua në vitin 2018 nga Qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja dhe BDI-ja, e cila në atë kohë u promovua në opinion si një Qeveri që vlerëson opinionin e sektorit joqeveritar dhe komunikon dukshëm më shumë me organizatat e shoqërisë civile në raport me përbërjen e mëparshme qeveritare, e cila ka ushtruar edhe presion mbi disa organizata të shoqërisë civile.

    LUFTA KUNDËR KORRUPSIONIT PA SEKTORIN JOQEVERITAR

    Shembulli i fundit i prishjes së bashkëpunimit mes Qeverisë dhe OJQ-ve, për sektorin civil, është mbledhja e trupit punues ndërinstitucional për koordinimin e aktiviteteve kundër korrupsionit, e mbajtur më 9 tetor të këtij viti, pa pjesëmarrjen e asnjë organizate civile. Ky organ është themeluar me vendim të Qeverisë në korrik të këtij viti, qëllimi i tij parësor është forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe koordinimi i aktiviteteve në fushën e antikorrupsionit dhe kryesohet nga zëvendëskryeministri në përgjegjëse për qeverisje të mirë, Slavica Grkovska.

    Analisti politik Sinisha Pekevski konsideron se në Maqedoni ka opinion publik për shumë çështje, por në të njëjtën kohë ai nuk merret si bazë për vendimmarrje nga politikanët.

    “Padyshim që në Maqedoni ka një publik dhe ai jep mendimin e tij për shumë çështje, por në shumicën e rasteve politikanët nuk e dëgjojnë mendimin e atij publiku. I njëjti publik duhet të kujtojë qëndrimin e politikanëve ndaj tij, në mënyrë që para zgjedhjeve të fillojë të bojkotojë eventet, promovimet dhe paraqitjet e tyre. Vetëm me presion të fortë do të dëgjohet zëri i publikut dhe politikanët më në fund do të fillojnë ta dëgjojnë zërin e publikut”, thotë Pekevski.

    MUNGON BASHKËPUNIMI REAL ME INSTITUCIONET QEVERITARE

    Snezhana Kamilovska Trpovska, nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar, thekson se Qeveria përveç që vendimin për financimin e ka marrë pa asnjë konsultim me anëtarët e Këshillit, më vonë nuk u ka dhënë as shpjegim pse përfituesi buxhetor për OJQ-të nga viti 2022 do të jetë një Ministri e caktuar dhe jo Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë. Ajo shton se për këtë vit nuk janë siguruar fare mjete buxhetore për organizatat e shoqërisë civile.

    “Në shumë raste në fazën e fundit kemi qenë të përfshirë në procese të caktuara, siç është shembulli i fundit me projektligjin për konfiskimin e pasurisë në procedurë civile. Gjegjësisht, pas reagimit në media, shoqëria civile ka kërkuar nga zëvendëskryeministrja Grkovska që të përfshihet dhe kemi marrë një shpjegim se kjo do të ndodhë kur të vijë koha dhe kur të ndahet me ne. Ne morëm një njoftim zyrtar për t’u përfshirë në këtë grup pune në mesin e muajit gusht dhe na kërkua të “akordojmë mirë” zgjidhjen e propozuar tashmë dhe ta bëjmë atë propozim zyrtar brenda një muaji. Më besoni, kushdo që të jetë, për një muaj është vetëm një ndryshim teknik, kozmetik i një ligji të tillë”, shpjegon Kamilovska.

    GRUPI BLUPRINT GJITHASHTU ANULOI BASHKËPUNIMIN

    Që raportet mes organizatave të shoqërisë civile dhe Qeverisë po “vlojnë” shembull është tërheqja e grupit të organizatave të shoqërisë civile “Bluprint” për reformat në drejtësi nga kontributi në procesin e hartimit të Kodit të ri Penal.

    Arsyeja kryesore pse këto organizata të shoqërisë civile shpallën publikisht se po tërhiqen nga përgatitja e këtij ligji, në fakt theksuan se kjo është për shkak të ndryshimeve të fundit në Kodin Penal të datës 6 shtator 2023, ndryshime të cilat sipas grupit Bluprint ishin miratuar duke anashkaluar grupin e punës që po punon për një Kodi të ri Penal. Për shkak të ankesave se Qeveria nuk i merr parasysh konsultimet e tyre ose i konsulton me vonesë, grupi i Bluprint paraprakisht u tërhoq nga kontributi në grupin punues për hartimin e propozimit për Ligjin për konfiskimin e pronës në procedurë civile. Afati për zgjedhjen e përbërjes së re të Komisionit Kundër Korrupsionit po afron dhe organizatat joqeveritare janë paraparë me ligj që të marrin pjesë në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve. Përkundër faktit se Këshilli për bashkëpunim mes Qeverisë dhe Sektorit Civil nuk funksionon për gati dy vjet, nga atje do të ketë përfaqësues për zgjedhjen e anëtarëve e anti-Korrupsionit. Ata thonë se nuk do të lejojnë që të ndikojë në procesin e zgjedhjes së anti-Korrupsionit, sepse është një proces me rëndësi më të madhe për shtetin dhe nuk do të lejojnë që zgjedhja e anti-Korrupsionit të mbahet peng i mosbashkëpunimin e tyre me Qeverinë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Lista Serbe para ndryshimeve, një parti e re e serbëve në horizont

    Lajmi i rradhës

    Ulet prodhimtaria e gështenjës në Dibër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë