Lufta për ujë në Ukrainë

    Foto ilusturese

    Kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të gjerë të Ukrainës më 24 shkurt, banorët e Mirnoradit e dinin se çfarë duhej të bënin: të fillonin të gërmonin.

    Qyteti i vogël, i cili ndodhet brenda rrezes së artilerisë së forcave ruse në Ukrainën lindore, rezistoi gjashtë muaj pa ujë në vitin 2014, pasi lufta midis Qeverisë dhe forcave të mbështetura nga Rusia shpërtheu në rajonin e njohur si Donbas.

    Banorët më pas kaluan disa javë dimri duke u dridhur nga i ftohti pasi luftimet në fillim të vitit 2015 dëmtuan sistemet e ujit të kaldajave, sipas Denys Tomaz, kreut të departamentit të investimeve dhe inovacionit të qytetit.

    Që atëherë, qyteti ka përpiluar plane emergjente, përfshirë punën për të kthyer ujërat nëntokësore që rrjedhin nëpër minierat jofunksionale të qymyrit – në një burim uji të pijshëm.

    “Ne e kuptuam që mund të ndodhte përsëri”, tha Tomaz gjatë një bisede telefonike nga Mirnoradi. Qeveria ka shpuar puse në të gjithë qytetin dhe madje ka ndihmuar banorët të gërmojnë puset e tyre.

    Derisa qyteti i Mirnoradit deri më tani nuk ka pësuar dëme të konsiderueshme, shumë qytete të tjera të vijës së parë të frontit nuk kanë pasur aq fat.

    Sulmet ndaj infrastrukturës së ujit dhe zhvendosja e banorëve që largohen nga shtëpitë e tyre kanë bërë që rreth 13 milionë njerëz në të gjithë Ukrainën të kenë nevojë për ndihmë për sa i përket furnizimit me ujë, kanalizimeve dhe higjienës, sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara të publikuar në korrik.

    Banorët mblidhen për të nxjerrë ujë nga një pus jashtë një kompleksi apartamentesh në Sloviansk, rajoni Donjeckut, në Ukrainën lindore, 6 gusht 2022.
    Banorët mblidhen për të nxjerrë ujë nga një pus jashtë një kompleksi apartamentesh në Sloviansk, rajoni Donjeckut, në Ukrainën lindore, 6 gusht 2022.

    Zonat pa qasje të sigurt në ujë mund të përballen me shpërthime të kolerës, hepatitit, zgjebes dhe sëmundjeve të tjera potencialisht vdekjeprurëse, tha OKB-ja.

    Fëmijët janë më së shumti të rrezikuar. Uji i ndotur dhe kushtet josanitare të jetesës janë njëzet herë më shumë shkaktarë të vdekjeve të fëmijëve sesa dhuna në vendet që përjetojnë një konflikt të zgjatur, thuhet në një raport të UNICEF-it të vitit 2019.

    Problemet e Ukrainës me ujin kanë qenë më të theksuara në qytetin e Mariupolit të kontrolluar nga Rusia, në bregun e Detit Azov në Donbas dhe Mikolajiv, i cili shtrihet më në perëndim dhe është nën kontrollin e Ukrainës.

    Sulmi i Rusisë në Mariupol, dikur një qytet me 430.000 banorë, filloi ditën e parë të pushtimit. Më 2 mars, sulmi kishte shkatërruar kanalin kryesor të ujit të pijshëm dhe ujësjellësin kryesor të qytetit.

    Gjatë tre muajve dhe kushteve të vështira të rrethimit, të 22 pompat e qytetit u shkatërruan, sipas autoriteteve të qytetit.

    Banorët u detyruan të pinin ujin nga shirat dhe të shkatërronin sistemet e ngrohjes për të nxjerrë ujin e tyre për të larë duart, sipas organizatës së të drejtave të njeriut, Human Rights Watch.

    Rusia duket se ka bërë shumë pak për të rivendosur qasjen ndaj ujit të sigurt pas pushtimit të qytetit nga mesi i muajit maj, duke i lënë 100.000 banorët e mbetur në rrezik nga sëmundjet që vijnë nga uji.

    Që nga fillimi i korrikut, vetëm pesë për qind e shtëpive ishin të lidhura me burime uji, sipas një kanali të mediave sociale të drejtuar nga Petro Andryushchenko, një këshilltar i kryetarit të bashkisë së Mariupolit, i cili aktualisht ndodhet jashtë qytetit.

    Edhe ky ujë mund të jetë shumë i rrezikshëm për t’u përdorur. Më 18 korrik, analizat treguan se uji nga qyteti kishte nivele të rrezikshme të një bakteri të lidhur me ujërat e zeza, sipas një raporti të lëshuar nga zyrtarë të zhvendosur të administratës të qytetit.

    Qyteti është në rrezik veçanërisht prej një shpërthimi të mundshëm të kolerës, pasi ka përjetuar një të tillë edhe para se të nisnin luftimet midis Ukrainës dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia në vitin 2014. Në qershor, Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi për një epidemi të mundshme kolere dhe tha se ishte duke grumbulluar paraprakisht furnizimet për të ndihmuar qytetin.

    Një grua mbush ujë në shishet e ofruara nga organizata vullnetare e Odesës në Mikolajiv, 8 gusht 2022.
    Një grua mbush ujë në shishet e ofruara nga organizata vullnetare e Odesës në Mikolajiv, 8 gusht 2022.

    Mikolajivi, një qytet-port pranë një lumi që derdhet në Detin e Zi në perëndim të Hersonit të kontrolluar nga Rusia, humbi plotësisht furnizimin me ujë kur forcat ruse dëmtuan tubacionin e ujit të Dnipro-Mikolajivit në mes të prillit. Që atëherë qyteti ka rivendosur qasjen ndaj ujit, por uji që rrjedh nëpër tubacione është i papërshtatshëm për konsum njerëzor për shkak të përmbajtjes së kripës, sipas Oleksiy Burak, një menaxher instalimi për “misionin e ujit”, një organizatë joqeveritare me bazë në Shtetet e Bashkuara.

    Qyteti ka hapur puse, por gjetja e ujit të pijshëm është ende një problem. Grupi i Burakut është fokusuar te spitalet, ku uji i pastër mund të jetë një çështje për jete a vdekje. “Njerëzit janë në dializë,” tha Burak. Uji “duhet pothuajse i distiluar” për t’u përdorur nga ata.

    Situata në Donbas, vendi ku janë zhvilluar luftime shumë të ashpra që nga pushtimi i shkurtit dhe veçanërisht në muajt e fundit, është ndoshta më e pasigurta.

    Pjesa më e madhe e ujit në rajonet Donjeckut dhe Luhanskut vjen nga kanali i Siverskij Doneck-Donbas, i cili kalon 133 km përmes territorit të Ukrainës dhe Rusisë.

    Dëmet e pariparuara nga bombardimet kanë lënë disa fshatra pa ujë të rrjedhshëm që nga viti 2014-të, sipas UNICEF-it.

    Donbasi gjithashtu vuan nga një sërë çështjesh ekologjike, përfshirë ndotjen e ujërave nëntokësore për shkak të ujërave të minierave dhe madje edhe ndotjen radioaktive si pasojë e një testi bërthamor nëntokësor sovjetik të vitit 1979, sipas një raporti nga Eurasia Daily Monitor.

    Është e paqartë se nga do të vijnë paratë për riparimin e infrastrukturës ujore të Ukrainës – nëse do të ketë ndonjëherë një investim të tillë.

    Rivendosja e qasjes ndaj ujit është e kushtueshme, në një kohë kur vendi tashmë po përballet me vështirësi të rënda ekonomike. Një raport i OKB-së e vendos koston totale të riparimit të infrastrukturës ujore në pothuajse 75 milionë dollarë përpara pushtimit rus, me mbi gjysma e kësaj kostoje që vjen nga rajoni i Donjeckut të shkatërruar nga betejat mes separatistëve rusë dhe ushtrisë së Ukrainës.

    Një çift mban shishe uji pasi i ka mbushur në një dyqan në Pokrovsk, rajoni Donjeckut, 4 gusht 2022.
    Një çift mban shishe uji pasi i ka mbushur në një dyqan në Pokrovsk, rajoni Donjeckut, 4 gusht 2022.

    Masat emergjente afatshkurtra mund të jenë gjithashtu të kushtueshme. Një sistem i vetëm i filtrimit të ujit mund të kushtojë deri në 7.000 euro plus instalimin dhe kostot e tjera, sipas Mykhaylo Amosov nga Ecoaction, një organizatë joqeveritare mjedisore që po ndihmon komunitetet të rifitojnë qasjen ndaj ujit.

    Qytetet gjithashtu duhet të shpenzojnë para për gjeneratorë, pasi dëmi i shkaktuar nga lufta mund të shkatërrojë energjinë elektrike të nevojshme për funksionimin e sistemeve të filtrimit të ujit, sipas zyrtarit të qytetit të Mirnoradit, Tomaz.

    Organizatat lokale po përpiqen të bëjnë sa munden. Ecoaction, për shembull, ka lidhje me aktivistë të tjerë mjedisorë në Evropë, por nuk ka mbështetje nga grupe me fonde të mëdha si OKB-ja.

    Dhe nuk ka as përvojë të gjerë në ofrimin e llojit të mbështetjes materiale që u nevojitet qyteteve dhe fshatrave në këtë moment. Pjesa më e madhe e punës së mëparshme ishte fokusuar në analiza dhe projekte të tjera që nuk përfshinin shpërndarjen e të pajisjeve materiale.

    “Puna intelektuale është ende shumë e rëndësishme,” tha ekspertja e Ecoaction, Anna Danylyak, por tani nevojiten furnizimet materiale. “Është si modaliteti i mbijetesës”,

    Komunitetet që u goditën edhe para pushtimit të shkurtit mund të jenë në një farë mënyre më të përgatiturit.

    Lyubov Mahliy, 76 vjeç, merr ujin e ruajtur në tenxhere për ta përdorur për gatim në apartamentin e saj në Slovyansk, rajoni i Donjeckut, 7 gusht 2022.
    Lyubov Mahliy, 76 vjeç, merr ujin e ruajtur në tenxhere për ta përdorur për gatim në apartamentin e saj në Slovyansk, rajoni i Donjeckut, 7 gusht 2022.

    Mirnoradi, qyteti në vijën e parë të luftës që përjetoi një ndërprerje gjashtëmujore të ujit në vitin 2014, kishte punuar gjatë në përpjekjet e rindërtimit me agjencinë e ndihmës qeveritare të SHBA-së USAID dhe agjencinë gjermane të zhvillimit GIZ. Autoritetet vendore të qytetit tani po kërkojnë fonde nga USAID-i për të blerë sisteme filtrimi për puset e ujit.

    Në fakt, qyteti po vazhdon me procesin kompleks të shndërrimit të ujërave të shkarkimit të minierave në ujë të pijshëm, edhe pse ushtria ruse vazhdon sulmin e saj rreth një orë larg me makinë në verilindje të qytetit.

    “Ne nuk mund thjesht të largohemi nga qyteti”, tha Tomaz. “Do të ndodhë çfarë do të ndodhë. Si mund të dorëzohemi dhe të kemi frikë nga ushtarët rusë?”. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Shqipëria po heton tre të dyshuarit për sulmin në Gramsh

    Lajmi i rradhës

    Tjetër refuzim për Ronaldon, duket se portugezi do të mbetet te Unitedi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë