Luftë për ide, apo tregti për kolltukë!

    Ministër të Shëndetësisë, Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe Ministër pa resor për diasporën, zëvendësministër të Arsimit, të Kulturës dhe me shumë gjasa – të Bujqësisë. Ky është lajmi i përmbledhur për pozitat qeveritare të dakorduara javën e kaluar nga Alternativa dhe LSDM për hyrjen e partisë së Afrim Gashit në Qeveri, përfshirë edhe shumë drejtori në disa sektorë. Por ajo që mbetet e paqartë është pse pikërisht këto sektorë, cilat janë ndryshimet që partia po planifikon me udhëheqjen e tyre, çfarë politikash të ndryshme do të zbatojnë?

    Analisti politik, Dame Çkatroski shprehet se nuk është e rastësishme që pikërisht në këto momente Alternativa bëhet pjesë e Qeverisë, sepse pas gjithë kësaj, sipas tij, fshihet diçka më e madhe.

    “Unë pres që edhe Lëvizja Besa të hy në Qeveri, gjegjësisht as që ka dalë nga qeveria sepse ajo verifikohet në Parlament. Pas gjithë kësaj besoj se ka diçka shumë më të madhe dhe nuk është thjesht vetëm tregti për të hyrë në qeveri, aq më tepër që këto 6 muaj mund të merret një datë për negociata me BE-në. Nga ana tjetër irritojnë marrëdhëniet BE-SHBA, marrëdhëniet e Rusisë me Ukrainën. Këto drejtpërdrejtë implikojnë në çështjet rreth Kosovës dhe Bosnjës. Një grupim i tillë vetëm mund të na relaksojë dhe t’i mbajë gjërat nën kontroll dhe të përqendruar. Covid 19, kriza energjetike por tani kriza e sigurisë nuk është për t’u nënvlerësuar. Prandaj mendoj se kjo është një lojë më e madhe sesa ajo që po imponohet të na shesin si tregti komerciale”, ka deklaruar për KOHA, Dame Çkatroski, analist.

    Dhe derisa ende nuk dihet se cilat janë prioritetet e Alternativës në ministritë e reja, çfarë ndryshimesh do të bënin dhe pse i ka marrë pikërisht këto dikastere, zërat kryesore në opinion lidhen me zgjidhjet kadrovike, përkatësisht cilët do të ishin ministrat e rinj. Për politologun, Marjan Vuçkoviq ky koalicion i ri qeveritar do të sigurojë vetëm një stabilitet afatshkurtër. “Koalicioni i ri synon një stabilizim afatshkurtër. Natyrisht, se ajo nuk do të ketë mundësi që në kapacitet të plotë ta përfundojë mandatin e saj duke pasur parasysh rezultatet e zgjedhjeve lokale, por ka për qëllim të mundësojë një tranzicion kulturor dhe civilizues të pushtetit në zgjedhje që nuk duhet të ndikohen fort nga euforia”, ka deklaruar për Koha, Vuçkoviq.

    Programi i Alternativës, nga ana tjetër, nuk gjendet në faqen e tyre, por është në uebsajtin e Aleancës për Shqiptarët pasi për shkak të pjesëmarrjes së përbashkët në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, programi është i përbashkët. Në pjesën për shëndetësinë dhe përballjen me pandeminë, sektor që tani po e marrin, thuhet se do të vendosin testime serologjike masive, se përveç spitalit të qytetit “8 shtatori” në Shkup për trajtimin e Covid -19 do të përfshihen edhe Spitalet klinike tjera të vendit të cilat i plotësojnë kushtet, se urgjentisht do të rinovojnë repartet infektive në Spitalin klinik në Tetovë dhe spitalet tjera. Por çfarë nga kjo është pjesë e programit të Alternativës dhe çfarë e Aleancës për Shqiptarët! E gjithë kjo mbetet e paqartë sepse është një program i përbashkët. Gjithashtu është e paqartë qëndrimi i paraqitur këtë verë në emër të të dyja palëve se kufizimet ndaj qytetarëve të pavaksinuar të vendosura nga qeveria shtojnë frikën e qytetarëve për pranimin e vaksinës dhe janë në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut, duke cenuar të drejtën për zgjedhje të lirë të qytetarëve.

    Në shtetet fqinje, ka shembuj të tjerë. Në Bullgari, ku po zhvillohen negociatat për formimin e një qeverie të re, koalicioni mes Ne Vazhdojmë Ndryshimet, Ka një Popull të tillë, Bullgaria Demokratike dhe Partia Socialiste Bullgare, u negociua në nivel ekspertësh në bazë të sektorëve për të harmonizuar programin e të gjitha partive. Disa nga temat kanë qenë të mbuluara publikisht, konkretisht për marrëdhëniet ndërkombëtare pati gjashtë orë negociata që janë transmetuar drejtpërdrejtë për qytetarët. Ndërsa, në Gjermani, marrëveshja e koalicionit për të formuar një qeveri të re midis Socialdemokratëve, të Gjelbërve dhe Liberalëve është në 177 faqe ku përshkruan qëllimet e qeverisë dhe se ku duan ta shohin Gjermaninë gjatë katër viteve të ardhshme. /Koha.mk/

    Lajmi Paraprak

    Largimi i të rinjve nga vendi – politika ka kohë që ka “vrarë” shpresën e të rinjve

    Lajmi i rradhës

    OEMVP ankohet për çmimet e ngrira | Qeveria nuk do të ndalet, do të ngrijë edhe çmime tjera

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë