Presidenti francez Emmanuel Macron ishte plotësisht dakord me kryeministrin Edi Rama sa i takon asaj që “Europa duhet të çelë një fazë të re”, njëjtë siç Donald Trump premtoi “epokën e artë për Amerikën”, raporton Klan.
“Jemi në momentin e së vërtetës duke iu referuar asaj çka tha Edi për historinë e Trumpit. Europa mund të arrijë pavarësi, na duhet të zgjedhim partneritetet tona dhe të shohim varësitë tona. Me krizën në Ukrainë u ekspozuan edhe kostot, pyetja për ne është a do të bëhemi një fuqi globale e gjelbër e aftë për të mbrojtur veten? Kjo është një fazë e re e rrugëtimit evropian.”
Duke vënë theksin te kontinenti i bashkuar, ai deklaroi se është avokat i anëtarësimit të Shqipërisë në BE, por jo vetëm. Sipas Macron, rajoni i Ballkanit Perëndimor duhet të kthehet në një hapësirë bashkëpunimi ku nuk ka vend për destabilitet.
“Besoj fort se përtej BE kemi këtë Europë më të madhe që është Ballkani, Mbretëria e Bashkuar apo Ukraina. Janë këta 700 milionë banorë që nuk merren në konsideratë as nga pikëpamja gjeopolitike, as nga ajo financiare. Le t’i integrojmë edhe më mirë këto vende, të punojmë sëbashku për ekonominë, emigracionin, tregtinë, nëse e bëjmë këtë pa luftë e pa destabilitet.. Jam avokat i anëtarësimit dhe negociatave deri në 2027-ën, por kemi ndërkohë një mundësi të 700 milion banorëve për ta bërë këtë hapësirë të respektuar nga të gjithë.”