Maqedonasit frikë nga bullgarizimi i shtetit

    Shumica e qytetarëve – 55.7 për qind janë kundër kornizës negociuese që Qeveria u dakordua me Bashkimin Evropian dhe besojnë se kjo e vendos vendin në pozitë të nënshtruar, sipas rezultateve të anketës së opinionit publik të kryer nga Instituti për Hulumtime Politike në Shkup. Sipas anketës, vetëm 28.1 për qind e të anketuarve mbështesin kornizën negociuese, ndërsa maqedonasit dhe shqiptarët kanë pikëpamje krejtësisht të ndryshme. 

    “Përderisa 70 për qind e maqedonasve janë kundër kornizës së negociatave, 75 për qind e shqiptarëve e mbështesin atë. Vetëm 13.2 për qind e maqedonasve janë për kornizën e negociatave, ndërsa vetëm 11.5 për qind e shqiptarëve etnikë janë kundër saj. Më pak qytetarë kundër kornizës së negociatave janë në rajonin e Pollogut, dhe më së shumti në rajonin e Vardarit pa Shkupin dhe në juglindje”, tregojnë rezultatet e anketës.

    Qytetarët janë të ndarë edhe për mundësinë e negocimit të një kornize të re. “Prej tyre, 37.1 për qind mendojnë se është e mundur, ndërsa 36.4 për qind, nga ana tjetër, mendojnë se rinegocimi i kornizës së negociatave nuk është opsion. Këtu nuk ka ndonjë dallim të madh ndërmjet qëndrimeve të grupeve etnike dominuese. Në mesin e maqedonasve, 36.3 për qind besojnë se është e mundur, dhe 36.7 për qind se nuk është e mundur të rinegociohet një kornizë e re. Në mesin e shqiptarëve etnikë, 40.6 për qind janë të mendimit se është e mundur të bihet dakord për një kornizë të re negociuese, ndërsa 34.9 për qind mendojnë se nuk është e mundur”, tregojnë rezultatet e anketës.

    Gati dy të tretat e qytetarëve thonë se kanë informacion të mjaftueshëm për propozimin francez.

    “Këtë qëndrim e ndajnë 59.1 për qind e të anketuarve, ndërsa një e treta ose 33.9 për qind janë shprehur se nuk kanë informacion të mjaftueshëm për kornizën e negociatave. Maqedonasit janë më të informuar se shqiptarët. Nga maqedonasit etnikë, 66.2 për qind thanë se kishin informacion të mjaftueshëm për propozimin francez që hoqi veton bullgare, ndërsa 44.5 për qind e shqiptarëve etnikë thanë se nuk ishin mjaft të informuar“, tregon anketa.

    Pothuajse gjysma e qytetarëve nuk e dinë dallimin mes propozimit francez dhe kornizës së negociatave. “49.6 për qind e të anketuarve kanë këtë qëndrim, ndërsa 31.1 për qind thanë se e dinë ndryshimin. Nga të anketuarit, 50.9 për qind besojnë se korniza e negociatave është e dëmshme për interesat kombëtare maqedonase dhe pajtohen me pretendimin se kjo kornizë negociuese e vendos vendin në një pozitë të nënshtruar dhe paraqet një hyrje në bullgarizimin, dhe vetëm 21 për qind pajtohen me pohimin se korniza e negociatave merr parasysh shumicën e kërkesave maqedonase dhe garanton identitetin maqedonas. Por maqedonasit dhe shqiptarët kanë pikëpamje diametralisht të kundërta. Derisa 62 për qind e maqedonasve besojnë se korniza e negociatave është hyrje në bullgarizimin, 54.4 për qind e shqiptarëve janë të mendimit se korniza e negociatave garanton identitetin maqedonas”, thuhet në anketë. Më të shqetësuarit që korniza e negociatave është një hyrje në bullgarizimin janë të moshuarit dhe qytetarët nga 30 deri në 39 vjeç. Shqetësimi më i vogël është tek më të rinjtë.

    Afër gjysma e qytetarëve ose 48.4 për qind besojnë se ka shumë dezinformata për këtë çështje, ndërsa 26.9 për qind thonë se nuk ka dezinformata“, tregon anketa.

    Anketa e Institutit për Hulumtime Politike në Shkup është realizuar përmes telefonit në periudhën prej 2 deri më 6 maj të këtij viti ku janë përfshirë 1112 të anketuar. /koha/

    Lajmi Paraprak

    TATIMI NË PRONË | Vetëm çereku paguan në Shkup

    Lajmi i rradhës

    Partitë e vogla në RMV kërcënojnë me dalje nga Qeveria dhe zgjedhje të reja

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë