Vetëm çereku apo 25 për qind e pronarëve të pronave të patundshme në kryeqytetin e Maqedonisë, paguajnë tatim në pronë. Njëherësh bile dy të tretat e pronave në Shkup, nuk janë të paraqitura tregojnë të dhënat e qytetit të Shkupit. Situata me pagesën e tatimit në pronë nuk është e kënaqshme as në komunat e tjera në vend. Mungesa e një sistemi të integruar të shkëmbimit të dhënave për pronat dhe pronarët e saj ndërmjet bashkive dhe Agjencisë së Kadastrës së Pasurive të Paluajtshme si dhe më shumë shkaqeve tjera, sjellin edhe grumbullim të ulët të tatimit në pronë.
Nga Agjencia e Kadastrës thonë se nuk mund t’i japin të dhënat falas siç kërkojnë komunat. Deri më tani asnjë qeveri nuk ka gjetur një zgjidhje të drejtë që të gjithë qytetarët të paguajnë tatimin mbi pronën e tyre.
Në Shkup, aktualisht ka mbi 245 mijë vendime të taksës së pronës, ndërsa numri i pronave totale të regjistruara në Agjencinë e Kadastrës së Pasurive të Paluajtshme është tre herë më i lartë. Deri më tani asnjë qeveri nuk ka gjetur një zgjidhje të drejtë që të gjithë qytetarët të paguajnë tatimin mbi pronën e tyre. Kryetarja e Shkupit, Danela Arsovska, thotë se qyteti i Shkupit tani duhet të ndajë më shumë se 2 milionë euro për të marrë të dhëna për pronarët e pronave, në mënyrë që të mund t’u lëshojë aktvendime tatimore. Këtë shumë e ka kërkuar Agjencia e Kadastrës për t’i dhënë të dhënat.
Në mënyrë që qyteti i Shkupit, të përgatisë zgjidhje për tatimin në pronë, qytetari duhet të paraqitet vetë në Qytetin e Shkupit, përmes sistemit nga i cili të dhënat vijnë në mënyrë automatike në të njëjtën kohë me certifikatat e noterit. Qyteti merr të dhënat e tjera nga legalizimet që ata i dorëzojnë bashkive dhe bashkitë ia dorëzojnë bashkisë në detyrë zyrtare. Të dhënat merren edhe gjatë shitblerjeve të pronave të banesave të vjetra të regjistruara që më parë në Kadastër si dhe për banesat e reja të regjistruara në Kadastër.
Nga Agjencia e Kadastrës së Patundshmërive thonë se nuk është faji i tyre, duke theksuar se Agjencia mund t’i sigurojë të dhënat e kërkuara nga Qyteti i Shkupit ose komuna tjetër me çmim prej 20 denarë për parcelë kadastrale.
“BNJVL-ja ka kërkuar që t’i japim të gjitha të dhënat nga Kadastra falas mirëpo diçka e tillë nuk është e mundur ,duke filluar nga pengesat ligjore sepse komunat i marrin këto shërbime duke paguar tarifë. Por për ta përmbushur këtë tarifë, e cila sipas tarifës së mëparshme ishte 50 denarë, e kemi ulur në 20 denarë për parcelë kadastrale”, thonë nga Agjencia e Kadastrës së Patundshmërive. Mirëpo problemi nuk mbaron me kaq. Komunat kërkojnë që kur marrin një listë me tregues për çdo pasuri të paluajtshme, ajo të përmbajë edhe numrin e vetë të identifikimit të subjektit. “Ne nuk e kemi një mundësi të tillë ligjore, pra nëse nxjerrim të dhëna të tilla do të shkelim Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Nuk na lejohet të japim numrin e identitetit të të dhënave nga lista pronësore apo nga baza e të dhënave në procedurë kur kërkuesi është palë e tretë”, shtojnë nga Kadastra.
Megjithatë, ekziston mundësia që komunat të marrin të dhënat që u nevojiten, në mënyrë që ta përgatisin zgjidhjen e tatimit në pronë, theksojnë nga Kadastra.
“Të dhënat tona janë të reja në çdo moment. Ju sot blini bazën e të dhënave , me një prerje për sot, lista gjeneron të dhënat që ju nevojiten, por pa numrin e identifikimit. Detyra e tyre është që të ulen, të krahasojnë bazën e të dhënave me të dhënat e tyre dhe që nga ai moment të fillojnë të mbajnë të dhënat e tyre, sepse çdo dokument për çdo transaksion shkon së pari në komunë”, shpjegojnë nga Kadastra.
Nga ana tjetër, analiza e Qendrës për Analiza Ekonomike konstaton se komunat më të vogla në vend nuk kanë vendosur një sistem efikas tatimor për grumbullimin e tatimeve, andaj edhe të ardhurat e tyre nga tatimet janë shumë të vogla. Këto komuna më së shpeshti financohen përmes investimeve kapitale, donacioneve dhe burimeve të tjera financiare.
Ekzistojnë komuna ku të ardhurat e grumbulluara nga tatimet nuk janë të mjaftueshme as për mbulimin e bazës së nëpunësve administrative, por jo për shkak të pagave të larta, por më së shpeshti për shkak të pagesës së ulët të tatimeve, theksohet në analizë. Njëherësh analiza tregon se tek 72 për qind e komunave, të ardhurat e grumbulluara tatimore nuk janë të mjaftueshme për mbulimin e shpenzimeve kapitale, dhe kjo është më së shpeshti rasti në komunat më të vogla si Novaci, Likovë , Qendra Zhupë, Karbinçi dhe Pehçevë. /koha/