Maqedonia e Veriut një prej vendeve që diskriminon refugjatët

    Gazetare | Sumeja Hamzi

    21 Marsi njihet si Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Diskriminimit Racor. Në sociologji, me diskriminim nënkuptojmë zhvlerësimin e një grupi të huaj, e në veçanti të një minoriteti shoqëror brenda një shoqërie të ngritur mbi parimet e barazisë, parimit të ndalimit të dallimeve racore, fetare, dhe politike. Diskriminimi ka ekzistuar gjatë,e vazhdon të ekzistoj edhe sot. Njeriu krijoi ligje dhe norma juridike,pra krijoi të drejten ne bazë të të cilave do të funksionoje sistemi shoqëror dhe politik. Ka pasur raste kur ligjet kanë qenë diskriminuese ndaj grupeve të ndryshme shoqërore si:pakicat kombëtare ose gjuhësore.

    Diskriminimi si një fenomen i përhapur global ka reperkusione negative mbi shoqërinë dhe
    çon në paragjykime dhe krijimin e perceptimit negativ tek njerëzit për një gjendje të caktuar.
    Në shenjë të Ditës Botërore kundërr Eliminimit të Diskriminimit për Nistori janë prononcuar tre femra të fuqishme në dhënien e kontributit të tyre për vendin dhe shoqërinë në përgjithësi Gazetarja Nada Dosti, Juristja dhe aktivistja e të drejtave të njeriut Mersiha Smailovic si dhe Ardita Ilazi magjistre e shkencave juridike dhe aktiviste e shoqërisë civile.

    Nada Dosti më shumë 13 vite punon si gazetare dhe si vullnetare për OJQ dhe institucione të ndryshme. Është një aktiviste, gazetare, redaktore, nënë dhe gjuhëtare. Është diplomuar në Përkthim dhe Interpretim nga Universiteti i Tiranës dhe Master në Gazetari nga Universiteti i Ankarasë dhe aktualisht është studente doktorature në Studime të Rrjeteve Sociale. Dosti për Nistori flet për racizmin anti-musliman në realitetin e rajonit të Ballkanit.

    Çfarë është racizmi anti-musliman ndryshe i njohur si islamofobi?

    Sipas aktivistes Nada Dosti, gjuha urrejtjes, ofendimi, linçimi, dhe sulmi ndaj muslimanëve për shkak të fesë së tyre, pra duke sulmuar pikërisht përkatësinë fetare. Sipas saj, ky sulm për shkak të veçimit të këtij identiteti ndër shumë të tjera të cilat një person mund t’i ketë, njihen ndryshe si islamofobi ose racizëm anti- musliman.

    “Një përkufizim për këtë është dhënë nga Kundani (2011) i cili përmend faktin se islamofobia ndonjëherë shihet si një virus i urrejtjes që u përhap në kulturën perëndimore që nga kryqëzatat. Të tjerët e shohin atë si një reagim spontan ndaj terrorizmit që do të zhduket me zhdukjen e efektit të 11 shtatorit përgjatë historisë. Ndërsa të tjerë e mohojnë si fenomen, pra besojnë se islamofobia nuk ekziston.

    Ai sqaron se“Argumentimi im se islamofobia është një formë e racizmit strukturor të drejtuar ndaj muslimanëve dhe mënyrave në të cilat ajo mbështetet përmes një marrëdhënieje simbiotike me të menduarit dhe praktikat zyrtare të luftës kundër terrorit. Rëndësia e islamofobisë nuk qëndron në paragjykimet individuale që gjeneron, por në pasojat e tij më të gjera politike, mundësimin e shkeljes sistematike të të drejtave të muslimanëve dhe demonizimin e veprimeve të ndërmarra për të korrigjuar këto shkelje.” – shprehet Dosti.

    Muslimanët janë prej kombeve dhe racave të ndryshme

    Ndryshimi midis termit islamofobi dhe racizëm anti musliman qëndron në faktin se islamofobia përfaqëson më shumë urrejtjen ndaj muslimanëve në tërësi, kurse racizmi anti musliman urren pikërisht përkatësinë fetare duke e zhveshur individin nga identietet e tij të shumëfishta. Të këtij mendimi janë Lentin dhe Tiley të cilët sqarojnë se:

    “Forma të ndryshme të racizmit janë të pranishme në kohët moderne; dhe islamofobia është më e preferuara. Kundërshtimi i zakonshëm për ta përcaktuar atë në këtë mënyrë është se muslimanët nuk janë racë. Por meqenëse i gjithë racizmi është i ndërtuar socilogjikisht dhe politikisht në vend që të mbështetet në realitetin e çdo race biologjike, është krejtësisht e mundur që shënjuesit kulturorë të lidhur me muslimanizmin (forma e veshjes, ritualet, etj.) të shndërrohen në shenjues racor”.

    “Gjithashtu, vlen të përmendet edhe fakti se më 17 qershor të vitit 2020, Komisioni Evropian publikoi “Planin e Veprimit kundër Racizmit 2020-2025” që u përpilua si rezultat i diskutimeve ndërmjet Komisionit Evropian, Parlamenti Evropian dhe organizatat e shoqërisë civile që punojnë kundër racizmit. Plani i veprimit shihet si një moment historik i rëndësishëm në punën e BE-së kundër racizmit dhe diskriminimin racor meqenëse e njeh urrejtjen kundër muslimanëve si një formë racizmi.” shton ndër të tjera aktivistja Dosti.

    Si qëndron çështja me racizmin anti-musliman në realitetin e rajonit të Ballkanit?

    Nada Dosti: Ashtu siç sqarohet edhe në të gjashta vëllimet e Raportit Europian të Islamofobisë (SETA, 2015-2020), racizmi anti musliman në rajonin e Ballkanit lidhet ngushtë me natyrën autoktone të muslimanëve që jetojnë në këto troje, pra muslimanët në të shumtën e rasteve, përjashto ndonjë pakicë emigrantësh, janë vendas. Ndryshe nga realiteti në Europën perëndimore ku ndodh e kundërta: pra muslimanët janë të ardhur, emigrantë apo fëmijë emigrantësh të gjeneratës së dytë.

    Duke qenë autoktonë kanë të tjera cilësi dhe tipare të cilat janë më shumë të lidhura me identitetin vendas se sa me kulturat e vendeve muslimane. Megjithatë narrativa ndaj tyre ndërtohet duke e portretizuar islamin si një entitet i huaj i cili nuk ka vend në këtë rajon.

    Sa i përket rastit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, mund të themi se është rast më i veçantë, pasi muslimanët përfaqëosojnë etni të ndryshme, pra nuk janë vetëm shqiptarë por mund të jenë edhe prej etnisë turke si dhe maqedonase. Dhe nëse ndodh ndonjë rast racist anti musliman, është shpeshherë e vështirë të dallohet nëse është për shkak të identiteti fetar apo etnisë.

    Mersiha Smailovic ka diplomuar në univerzitetin “Kirili dhe Metodi” në Shkup në vitin 2008, ku dhe ishte studentja e parë me shami në Fakultetin e Drejtësisë. Smailovic është edhe aktiviste për të drejtat e njeriut dhe multikulturalizmin si dhe një aktiviste për të mbrojtur të drejtat e refugjatëve dhe emigrantëve në Maqedoninë e Veriut. Smailovic për Nistori tregon se sa respektohen të drejtat e njeriut në Ballkan dhe si e menaxhon politika migrimin.

    A trajtohen njerëzit në mënyrë të barabartë në vendet e Ballkanit?

    Mersiha Smailovic: Në periudhën e pandemisë në mbarë botën, jemi dëshmitarë edhe të protestave masive kundër sistemeve dhe aparateve shtetërore që edhe sot nuk i trajtojnë njerëzit në mënyrë të barabartë. Pavarësisht luftës dekadëshe, të drejtat e njeriut nuk u takojnë të gjithëve në mënyrë të barabartë. Rreth 22,000 refugjatë të mbytur në Mesdhe nuk kanë të drejtë për jetë, disa vende të BE-së i kanë kriminalizuar misionet e shpëtimit të OJQ-ve, u kanë vënë “gjunjët” në qafë refugjatëve dhe i kanë lënë pa frymë në errësirën e natës, i kanë lënë të mbyten larg syve të opinionit publik. Vendet e rutës ballkanike gjithashtu i gjunjëzuan edhe qindra refugjatë të cilët fatkeqësisht humbën jetën. Vendi ballkanik i qindra refugjatëve është vendi i fundit i prehjes.

    Ndërsa shohim para syve se si shkelet e drejta themelore, e drejta e azilit, e lëvizjes së lirë të refugjatëve nga Siria, Afganistani, Iraku, Jemeni, Pakistani, e përsërisim me të gjitha forcat se të drejtat e refugjatëve janë edhe të drejta të njeriut, e përsërisim se e drejta për azil dhe jetesa e sigurt janë të drejta që i jepen çdo individi. Unë besoj se të gjitha qeniet lindin të lira dhe të barabarta dhe kanë dinjitetin dhe të drejtat e tyre. Dinjiteti respektohet duke pranuar se të gjithë e kanë, ai nuk mund të humbet kurrë.

    Si i trajton politika refugjatët?

    Mersiha Smailovic: Politika për refugjatët duhet të fillojë me respektimin e të drejtave të njeriut dhe menaxhimi i kufijve dhe vetë migrimi duhet të bazohen në ruajtjen e dinjitetit njerëzor. Por fatkeqësisht, sot jemi dëshmitarë se migrimi “menaxhohet” me dhunë.

    Mënyra se si trajtohen sot refugjatët dhe emigrantët është kriminalizimi i të drejtës për azil. Duhet të bëhen përpjekje për të gjetur udhëtime të ligjshme në mënyrë që të minimizohen viktimat e udhëtimit të rrezikshëm që detyron refugjatët. Jetojmë në një kohë të racizmit të theksuar dhe sistematik, ksenofobisë dhe islamofobisë. Por, për fat të keq, ne kemi një qasje shumë-sektoriale ndaj refugjatëve dhe kjo e bën luftën e tyre të rëndësishme dhe të drejtat e tyre një prioritet më të lartë për shtetet dhe për ne si individë.
    Gjatë punës sime me refugjatët, i kam kushtuar më shumë energji luftimit të lajmeve të rreme që synojnë nxitjen e urrejtjes ndaj refugjatëve dhe kriminalizimin e solidaritetit të njerëzve.

    Maqedonia e Veriut një prej vendeve që diskriminon refugjatët

    Mersiha Smailovic: Janë pikërisht shtetet që kanë detyrimin të ndërtojnë politika gjithëpërfshirëse në të cilat nuk ka vend për diskriminim dhe racizëm. Fatkeqësisht, vendet në rrugën ballkanike, e cila përfshin edhe Maqedoninë, kanë një sistem azili që diskriminon dhe përjashton refugjatët, veçanërisht ata që vijnë nga Lindja e Mesme dhe Lindja e Largët, nga sistemi i mbrojtjes. Unë shoh që vendet e Ballkanit ndjekin politika të ndikuara nga lajmet e rreme dhe mendoj se e kanë futur azilin në një “gardh teli” dhe nuk e lejojnë të marrë “frymë”. E gjithë kjo është nisur nga racizmi dhe diskriminimi sistematik, i cili duhet të rrisë nevojën për drejtësi për të gjitha qeniet njerëzore.

    Për momentin, në shumë vende të botës, refugjatët dhe emigrantët janë më të dobëtit dhe për këtë arsye janë në shënjestër, por ata janë vetëm grupi i parë që goditet dhe më pas do të vijë i dyti dhe i treti… Nëse tendencat autoritare rriten, çdokush mund të bëhet shënjestër. Prandaj duhet përhapur ideja e solidaritetit, në mënyrë që njerëzit të kuptojnë se çfarë është çështja kur themi se duhet të luftojmë ksenofobinë dhe të gjitha format e tjera të diskriminimit.

    Diskriminimi është dobësi e aparatit shtetëror për sigurimin e trajtimit të barabartë dhe respektimit të dinjitetit njerëzor, nëse nuk e vëmë në dukje dhe nuk protestojmë kundër kësaj dobësie, atëherë në të njëjtin sistem shtetëror të drejtat e njeriut do të humbasin rëndësinë e tyre.

    Duhet ta kemi të qartë se, nëse lejojmë që sistemi të diskriminojë një grup në shoqërinë tonë, i njëjti sistem do të heqë të drejtën për të diskriminuar, sipas një karakteristike tjetër, ndaj një grupi tjetër.

    Malcolm X tha: “Një njeri që ngrihet për hiçgjë, do të bie për çdogjë” – Pra, le të ngrihemi për drejtësinë dhe të drejtat e njeriut, nëse jo tani, KUR?

    Në aspektin Juridik në lidhje me diskriminimin në Maqedoninë e Veriut për Nistori flet Ardita Ilazi magjistre e shkencave juridike dhe aktiviste e shoqërisë civile.

    Nistori: Kujt i referohemi kur flasim për diskriminimin?

    Ardita Ilazi: Çdo formë e dallimit të pajustifikuar ligjor, në bazë racore, ngjyrës së lëkurës, origjinës, përkatësisë sociale, etnike, gjinisë, orientimit seksual, identitetit gjinor, gjuhës, prejardhjes sociale, arsimimit, bindjes fetare, bindjes politike, statusit familjarë, statusit pronësor, statusit shoqëror apo çdo karakteristikë tjetër personale, me qëllimin e mohimit të të drejtave të individit, konsiderohet diskriminim. Diskriminimi, është i pranishëm në të gjitha shtetet, ashtu sikurse, mosdiskriminimi, që është i pranishëm në secilin Ligj ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut. Komponent i rëndësishëm përkundrejt diskriminimit, janë mekanizmat ligjor për parandalimin dhe eliminimin e diskriminimit.

    Kur flasim për parandalim dhe eliminim nga diskriminimi, ju referohemi Konventës Ndërkombëtare për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racor; Konventës për Eliminimin e Diskriminimit ndaj Grave; Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Qytetare dhe Politike; Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore; Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, Konventës Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Nacionale. Gjithashtu, i referohemi legjislacionit pozitiv në Maqedoninë e Veriut, në të cilën, Ligji i parandalimit dhe i mbrojtjes nga diskriminimi, përmban dispozita me të cilat ndalon çdo diskriminim (Neni 5), sipas të njejtit, diskriminimi ndahet në forma: i drejtpërdrejtë, konsiderohet kur me një individ veprohet në mënyrën më të pavolitshme krahasuar me individin tjetër në situatë faktike të ngjashme. Ndërse, diskriminim i tërthortë konsiderohet kur një individ vihet në pozitë të pavolitshme në krahasim me individin tjetër nëpërmjet rregullave neutrale, dispozitave, kritereve, programeve ose praktikave, përveç kur dalin nga qëllimi legjitim (Neni 8). Ligji i parandalimit dhe mbrojtjes nga diskriminimi, përfshin edhe veprime të shqetësimit, viktimizimit, segregimit dhe ndarjes, ndërsa, si formë më e rëndë e diskriminimit, konsiderohet diskriminimi i shumëfishtë, intersesional, i përsëritur dhe i vazhduar (Neni 13).

    A ka Maqedonia e Veriut një ligj kundër diskriminimit?

    Ardita Ilazi: Maqedonia e Veriut, një shtet me pjesëtarë të bashkësive etnike, ka të miratuar Ligj për të drejtat e bashkësive të cilat janë më pak se 20% e popullsisë. Pjesëtarë të bashkësive, ligji i parasheh, qytetarët të cilët u përkasin bashkësive të cilat janë më pak se 20% e popullsisë, në pajtim me regjistrimin e fundit të popullsisë në territorin e shtetit. Ndërkaq, me nocionin bashkësi, parasheh pjesë të popullsisë që janë shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe tradicionalisht jetojnë në territorin e Maqedonisë së Veriut, ndërsa me veçoritë e tyre etnike, kulturore, gjuhësore ose religjioze dallohen nga popullsia tjetër (Neni 2).

    Për realizimin, avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pjesëtarëve të bashkësive të cilat janë më pak se 20% e popullsisë në Maqedoninë e Veriut kompetente është Agjencia për Realizimin e të Drejtave të Bashkësive (Neni 13). Të drejtat e pjesëtarëve të bashkësive janë: E drejta e arsimimit (Neni 6); E drejta e informimit (Neni 7); Pjesëtarët e bashkësive kanë të drejtë që lirshëm ta shprehin, kultivojnë, zhvillojnë identitetin e tyre si dhe veçoritë e bashkësive të tyre; Pjesëtarëve të bashkësive ju garantohet mbrojtje e identitetit etnik, kulturor, gjuhësor dhe fetar (Neni 8). Megjithatë, të drejtat e tyre në praktikë diskriminohen.

    Ku mund të drejtohen njerëzit të cilët përballen me diskriminim?

    Ardita Ilazi: Në këtë drejtim, ata që përballen me diskriminim, mbrojtje mund të kërkojn përmes organeve jashtëgjyqësore: Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi; Përfaqësuesit për Konstatim të Trajtimit të Pabarabartë të Grave dhe Burrave, Avokatit të Popullit; si dhe mbrojtje përmes organeve gjyqësore: Gjykatës Kushtetuese; Gjykatës Administrative; Gjykatave Themelore në Maqedonin e Veriut. Gjithashtu, Ligji i parandalimit dhe i mbrojtjes nga diskriminimi parasheh që shoqatat, fondacionet, sindikatat apo organizatat tjera të shoqërisë civile që në kornizat e veprimtarisë së tyre merren me mbrojtjen nga diskriminimi, mund të parashtrojnë padi actio popularis, nëse e bëjnë të besueshme se, me veprimin e të paditurit, janë diskriminuar numër më i madh i individëve (Neni 35). Nga ana tjetër, me Ligjin për mbrojtjen e denoncuesve në alinejën tre: denoncuesit i sigurohet mbrojtje në pajtim me ligjin dhe i garantohet konfidencë (Neni 3).

    Ligje të tjera që i përkushtojnë vëmendje diskriminimit janë: Ligji për mundësi të barabarta për femrat dhe meshkujt; Ligji për procedurë të përgjithshme juridike; Ligji për marrdhënie pune; Ligji për trashëgimi, etj. Së këtejmi, vëmendje të plotë dhe serioze kërkon bindja e individit, në respektimin dhe zbatimin e legjislacioneve në praktikë, e këtë bindje do ta fitojë vetëm atëherë kur respektim të legjislacioneve do të kemi nga vetë shteti. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Sa mund të jetë Tetova e pastër kur qyteti është i mbushur me qentë endacakë?

    Lajmi i rradhës

    Pas rritjes së pagës minimale kërkohet më shumë produktivitet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë