Bekteshi: Maqedonia e Veriut është në një linjë me politikat energjetike të BE-së

    Ministri i Ekonomisë i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, deklaroi se Qeveria aktuale e Maqedonisë është plotësisht në përputhje me reformat dhe politikat e Komisionit Evropian në lidhje me tranzicionin energjetik dhe axhendën e gjelbër.

    Në fjalimin e tij në konferencën ndërkombëtare “Samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor 2022, ndërtimi i urave për paqe, progres dhe solidaritet”, organizuar nga “Ekonomist” dhe Qeveria e Kosovës, që po mbahet sot në Prishtinë, Bekteshi tha se shteti i ka zbatuar në vazhdimësi të gjitha dispozitat e reja evropiane në lidhje me mbrojtjen e energjisë dhe mjedisit jetësor.

    Maqedonia e Veriut është vendi i parë anëtar i Komunitetit të Energjisë që zhvillon një Plan Kombëtar të Energjisë dhe Klimës që mbulon dekarbonizimin, efikasitetin e energjisë, sigurinë e furnizimit me energji, tregun e brendshëm të energjisë dhe kërkimin, inovacionin dhe konkurrencën. Ministria e Ekonomisë, si krijuese e politikave energjetike, duke harmonizuar Legjislacionin në fushën e energjisë, krijon bazën për zhvillimin e energjisë dhe tranzicionin energjetik. Planifikimi strategjik i politikave dhe hapat e ardhshëm do të kontribuojnë në arritjen në kohë dhe korrekte të synimeve të përcaktuara, tha ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi në fjalimin e tij në panel diskutim.

    Ministri theksoi se përkundër krizës energjetike që preku jo vetëm Maqedoninë e Veriut, por edhe mbarë Evropën, zhvillimi dhe investimet në sektorin energjetik është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë me synim kryesor sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji si dhe duke shkuar drejt një ekonomie të gjelbër.

    “Qëllimet kryesore të politikës energjetike të Maqedonisë së Veriut janë tërheqja e investimeve për ndërtimin e kapaciteteve energjetike dhe rritja e përdorimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, më saktësisht investimi në energjinë e gjelbër që do të kontribuojë në mbrojtjen e mjedisit, jetës dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike. Në fund të vitit 2019, Qeveria miratoi Strategjinë e Zhvillimit të Energjisë deri në vitin 2040, si një nga dokumentet strategjike më të rëndësishme për vendin tonë në fushën e energjisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm”.

    “Strategjia përpunon tre skenarë – një skenar referencë, një skenar të moderuar të tranzicionit dhe një skenar të gjelbër, të cilët pasqyrojnë dinamikat e ndryshme të tranzicionit të energjisë dhe lejojnë fleksibilitetin e vendit për t’iu përgjigjur politikave të duhura të menaxhimit në BE, drejt një ekonomie moderne, konkurruese dhe neutrale në kushtet klimatike deri në vitin 2040”, shtoi ministri Bekteshi.

    Lajmi Paraprak

    Pendarovski: Procesi i negociatave me BE-në nuk duhet të jetë histori pa fund

    Lajmi i rradhës

    Shtrenjtohet regjistrimi i veturave, për makinat më të vjetra do të paguhet më shumë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë