Debati për gjykatësit kushtetues vazhdon nesër, Savo Klimovski nuk mori përkrahje

    Komisioni kuvendor për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve sot debatoi për propozimin që prokurori publik Lubomir Joveski të jetë gjykatës kushtetues, ndërsa në pjesën e paradites të seancës, anëtarët e Komisionit kuvendor nuk dhanë përkrahje që profesori universitar Savo Klimovski të zgjidhet gjykatës kushtetues, si propozim i opozitës. Debati për atë se a duhet Joveski të jetë gjykatës kushtetues do të vazhdojë nesër në orën 10:00.

    Deputetët e opozitës theksuan se gjithnjë kur LSDM-ja është në pushtet, Joveski avancohet në karrierë, si dhe askush nga shumica qeveritare të cilët janë propozues nuk e shpjegoi propozimin që Joveski të jetë gjykatës kushtetues, përcjell Nistori.

    “Mendoj se në këtë mënyrë po demonstrojmë një arrogancë klasike të qeverisë, ndaj pakicës parlamentare për momentin, ndaj demokracisë dhe ndaj qëndrimit në përgjithësi ndaj institucioneve në shtet. Mendoj se është jashtëzakonisht e jokorrekte dhe e papranueshme, që unë si deputet, pavarësisht nëse vij nga pushteti apo opozita, të diskutoj për një propozim që nuk është shpjeguar fare nga propozuesit”, tha deputeti Dragan Kovaçki nga VMRO-DPMNE.

    Bashkëpartiakja e tij, Daniella Hristova, megjithatë, deklaroi se Joveski ka përvojë në gjyqësi, por, siç tha, me atë ka përvojë edhe në numrin më të madh të aferave dhe skandaleve kriminele. Ajo tha se ky kandidat nuk mund të jetë i mirë, i paanshëm dhe gjykatës i drejtë kushtetues.

    “Derisa Prokuroria është rojtari i kriminelëve të pushtetit aktual, nuk do të besoj se Lubomir Joveski është njeriu i duhur për funksionin më të lartë në gjyqësi. Njeriu, i cili është kundërshtim total i asaj që duhet të jetë. Njeriu i cili është mbrojtës i krimit dhe korrupsionit në shtet. Thjeshtë, duhet të largohet edhe nga prokuroria dhe në përgjithësi nga gjyqësia dhe me pothuaj 69 vjetët e tij, më së miri do të ishte t’i jetojë në qetësi ditët e tij të pensionit, e jo të jetë dëgjues i verbër i pushtetit”, tha Hristova.

    Anëtarët e këtij Komisioni, ditët e fundit i kanë përkrahur kandidatet Tatjana Vasiq Bozaxhieva, e cila punon në Ministrinë e Drejtësisë si këshilltare shtetërore për legjislacion civil dhe gjykatësin civil në Gjykatën e Apelit në Shkup, Fatmir Skender.

    Filtrin e komisionit nuk e kaluan kandidatët Todor Vitlarov, i punësuar në Prokurorinë e lartë publike në Shtip, gjykatësi në pension, Branko Sekulovski, Voislav Dimovski, prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike në Ohër dhe gjykatësja e Gjykatës Administrative, Vesna Jovanovska. Deri më tani është refuzuar edhe kandidatura e profesoreshës universitare, Rodna Zhivkovska, e cila është propozuar nga opozita.

    Gjykata Kushtetuese ka më shumë se një vit që punon me një përbërje jo të plotë. Nga nëntë anëtarët e planifikuar, katërve u ka skaduar mandati./Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Spasovski: Janë asgjësuar rreth dhjetë tonë lloje të ndryshme të drogave narkotike

    Lajmi i rradhës

    Nikollovski: Na pret dimër i vështirë, do të ndryshohet modeli për subvencionet në bujqësi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë