Kacarska: Gjyqtar të rinj, ose do të ketë krizë kushtetuese

    Mbi 40 lëndë që deri më tani nuk kanë marrë shumicën e nevojshme, janë në pritje të përbërjes së plotë të Gjykatës Kushtetuese. Kur do të vazhdojë puna e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime në Kuvend, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska, për TVM-në thotë se ajo di po aq sa opinioni.

    Ajo nuk ka pasur kontakte dhe informacione shtesë pas takimit me kreun e shtetit në maj, pas të cilit vetëm njëri prej kandidatëve për gjyqtarë kushtetues kaloi Komisionin parlamentar.

    “Këta tre muaj janë shpresa e fundit për qytetarët se shteti, pra Kuvendi, do t’i qaset seriozisht këtij problemi, i cili dëmton jo vetëm punën e Gjykatës Kushtetuese, por dëmin më të madh e pësojnë qytetarët nga pritja dhe zvarritja e proceseve. Për tre muaj skadon mandati i gjyqtares, Vangelina Markudova, dhe nëse gjyqtarët nuk zgjidhen deri në dhjetor, shteti do të hyjë në krizë kushtetuese”, deklaroi për TVM kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska.

    Ajo shtoi se Gjykata Kushtetuese, e cila ka rolin e kontrollit të ligjeve, akteve dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, do të jetë jofunksionale.

    “Dhe situata në Gjykatën Kushtetuese po bëhet alarmante. Përveç kësaj, po vijnë iniciativa të reja të cilat u caktohen gjyqtarëve dhe kështu ngarkesa e tyre rritet”, shton Kacarska.

    Komisioni parlamentar deri më tani ka përcaktuar vetëm Fatmir Skenderin si kandidat nga mazhoranca.

    Propozimi i opozitës për Rodna Zhivkovskën nuk kaloi dhe seanca e fundit u ndërpre pas një diskutimi dyorësh. Mbetën të pashqyrtuara kandidaturat e prokurorit aktual Ljubomir Joveski, të Tanja Vasiq Bojaxhieva, këshilltare shtetërore në Ministrinë e Drejtësisë, të dy kandidaturat të propozuara nga shumica, pastaj të profesorit universitar Savo Klimovski, gjyqtarit në pension Branko Sekulovski, prokurorit Todor Vitlarov, të gjykatëses Vesna Jovanovska dhe Vojisllav Dimovski, prokuror publik nga Ohri, i propozuar nga opozita.

    Lajmi Paraprak

    Më 30 gusht fillon pagesa e pensioneve

    Lajmi i rradhës

    Ushqimet dhe pijet që mund të konsumoni kundër të përzierave

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë