Drejtoria e Doganave doli me informacione të detajuara mbi aksionin e quajtur “Filter”. Dogana përmes Sektorit për Kontroll dhe Hetime dhe Departamentit për Hetime, në koordinim me Prokurorinë Publike Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe prokurorin publik kompetent, si dhe në bashkëpunim ndërinstitucional me Byronë për Siguri Publike (BSP) – Departamentin për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Krimit të Rëndë, ka zhvilluar një hetim të gjerë, përmes të cilit janë zbuluar disa raste të një sistemi të organizuar për kontrabandën e sasive të mëdha të cigareve dhe shmangien e pagesës së detyrimeve ndaj shtetit, në një vlerë totale prej mbi 377 milionë denarësh, ose mbi 6 milionë euro.
Operacioni përfshin raste të realizuara në disa raste gjatë periudhës nga 01.01.2024 deri më 30.06.2024, ku gjatë hetimit të zhvilluar nga Drejtoria e Doganave janë zbuluar mënyra të ndryshme të futjes, shkarkimit dhe hedhjes në qarkullim në mënyrë të paligjshme të cigareve, pa evidencë përkatëse doganore dhe pa pagesën e detyrimeve të përcaktuara me ligj.
Në hetim janë përfshirë kompani spedicionere, kompani transporti dhe importi, persona fizikë, si dhe përfshirja e zyrtarëve policorë dhe doganorë.
Në 3 nga gjithsej 7 rastet e zbuluara, është konstatuar se kamionë të ngarkuar me cigare hynin në Republikën e Maqedonisë së Veriut përmes PKK Bogorodicë, në procedurë tranziti dhe në vend që tranziti të realizohej në përputhje me rregullat doganore, cigaret shkarkoheshin në mënyrë të paligjshme në territorin e shtetit, pas së cilës kamionët e linin vendin përmes PKK Tabanoc, të zbrazët, ndërsa në sistemin doganor regjistroheshin si të ngarkuar.
Pra, edhe pse cigaret faktikisht nuk e kishin lënë vendin, procedurat e tranzitit mbylleshin sikur kamionët ta kishin lënë shtetin të ngarkuar me cigare.
Në kuadër të të njëjtit hetim, janë zbuluar edhe 4 raste në të cilat kamionë të ngarkuar me cigare hynin përmes PKK Bogorodicë, por hyrja e tyre në shtet nuk ishte evidentuar as nga zyrtarët doganorë dhe as nga zyrtarët policorë.
Cigaret më pas shkarkoheshin në territorin e Maqedonisë së Veriut, pa dokumentacionin përkatës të mallit ose vendosjen e tij në procedurën përkatëse doganore, si dhe pa pagesën e detyrimeve të përcaktuara me ligj.
Sasia totale e cigareve në të 7 rastet e zbuluara është 69.350.000 copë cigare, të cilat janë futur në mënyrë të paligjshme në qarkullim të lirë në vend.
Për të gjitha këto raste, bazuar në informacionet e mbledhura dhe provat e konstatuara, si dhe në koordinim me prokurorin publik kompetent nga Prokuroria Publike Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, më 23.09.2026, Drejtoria e Doganave ka paraqitur kallëzime penale kundër 3 personave juridikë dhe 18 personave fizikë, prej të cilëve 3 janë zyrtarë policorë dhe 4 zyrtarë doganorë.
Kallëzimet penale përfshijnë veprat penale: „Kontrabandë“, në përputhje me nenin 278; „Mashtrim doganor“, në përputhje me nenin 278-a të Kodit Penal; „Punë e pakujdesshme në shërbim“; „Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimeve zyrtare“, në përputhje me nenin 353 të Kodit Penal; „Mashtrim kompjuterik“, në përputhje me nenin 251 të Kodit Penal; „Shmangie e pagesës së akcizës“, në përputhje me nenin 279 të Ligjit për Akcizat.
„Hetimi tregon qartë se veprimi i paligjshëm nuk ka të bëjë vetëm me pjesëmarrës nga radhët e operatorëve ekonomikë, por përfshin edhe përfshirjen e personave zyrtarë, të cilët, në përputhje me kompetencat dhe detyrimet e tyre ligjore, janë të obliguar pikërisht të parandalojnë veprime të tilla të paligjshme“, theksoi drejtori i Drejtorisë së Doganave, Boban Nikollovski.
Pas paraqitjes së kallëzimeve penale në Prokurorinë Publike Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, janë lëshuar urdhra për kontroll në 23 lokacione, ku kontrollet janë kryer në orët e mëngjesit të 24.09.2026, në koordinim të plotë me prokurorin publik kompetent nga Prokuroria Publike Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe me asistencën e Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Krimit të Rëndë pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme – Byrosë për Siguri Publike.
Nga urdhrat e lëshuar për kontroll nga prokurori publik kompetent, deri në këtë moment janë ndaluar 13 persona, prej të cilëve 4 zyrtarë doganorë, 2 zyrtarë policorë, 2 shoferë dhe 5 persona të tjerë fizikë.
Janë duke u zhvilluar edhe veprime të tjera hetimore dhe, sipas të dhënave të deritanishme, pritet që numri i personave të përfshirë dhe i kallëzimeve penale të rritet.
“Për kontrabandën e cigareve deri më tani vetëm është pëshpëritur në korridore, por asnjëherë dhe nga askush nuk janë ndërmarrë masa dhe hapa konkretë.
Drejtoria e Doganave sot tregoi se si mbrohen interesat shtetërore“, theksoi drejtori Nikollovski.
Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit konfirmoi më herë se është duke u zhvilluar një aksion i koordinuar me emrin e koduar “Filter 2”, i cili, nën drejtimin e një prokurori publik nga Departamenti i Specializuar për Ndjekjen e Veprave Penale të Kryera nga Persona me Autorizime Policore dhe pjesëtarë të policisë së burgjeve, po realizohet nga Drejtoria Doganore dhe Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Krimit të Rëndë pranë MPB-së – BSP.
“Aksioni është rezultat i një hetimi kriminalistik për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar se janë kryer disa vepra penale, ndër të cilat kontrabandë dhe mashtrim doganor, me ç’rast është shkaktuar dëm në buxhetin shtetëror në përmasa të mëdha. Pas përfundimit të aktiviteteve, publiku do të informohet më tej”, njoftoi Prokuroria.




