Në shtator pritet vendimi i Gjykatës së Strasburgut për faljen e Ivanovit

    Shumë shpejt, gjegjësisht në shtator, Gjykata për të Drejtat e Njeriut në Strasburg pritet të vendosë nëse do të “mbijetojë” falja e ish-presidentit Gjorge Ivanov dhe do të shpëtojnë nga ndjekja penale dhe nga burgu ish-zyrtarët e VMRO-DPMNE-së, të cilët gjykohen ose tashmë janë dënuar në rastet e hapura nga PSP.

    Prej kohësh po spekulohet se pikërisht për këtë Gjykata e Apelit nuk po ngutet të marrë vendim për rastin “Target” dhe “Fortesa”, për përgjimet masive të paligjshme në DSK, pra të konfirmojë vendimin e shkallës së parë ose ta anulojë atë. Raportohet se ata po presin të shohin nëse Strasburgu do t’i hedh poshtë lëndët dhe do t’i “shpëtojë” nga vendimi, përcjell Nistori.

    Zyrtarisht nga gjykata për “Fokus” thanë se rasti është ende duke u punuar dhe se disa nga gjyqtarët që ushtrojnë detyrën janë ende në pushime.

    Në Strasburg duket se shanset janë 50:50.

    Mbrojtja e Qeverisë po shkon në drejtim të dëshmimit se falja e Ivanovit ishte e pavlefshme që në fillim. Domethënë se ai iu referua një neni të Ligjit për Faljen që nuk ekzistonte prej vitesh.

    “Faljet e Ivanovit janë dhënë në kundërshtim me ligjin vendor dhe kanë qenë zgjedhje e pasigurisë juridike dhe shkak i drejtpërdrejtë për pakënaqësi të madhe te qytetarët. Nga ana tjetër, anulimi i tyre ishte një lloj rivendosje e ekuilibrit të prishur juridik. Qeveria është e detyruar të mbrojë dhe përfaqësojë këtë qëndrim para Gjykatës së Strasburgut dhe përmes argumenteve të saj t’i japë gjykatës mundësinë për t’i vlerësuar ato, duke dërguar mesazh tjetër të fortë se kjo qeveri nuk është e gatshme të shpallë kulmin e mosndëshkimit”, deklaroi ish-ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq.

    Në nëntor të vitit 2017, avokati Vlatko Ilievski ka dorëzuar kërkesën e parë në Gjykatën në Strasburg, pasuar nga tetë të tjera, të cilat i referohen gjithsej 10 të dëmtuarve. E para është në emër të ish-kryetarit të Manastirit, Vladimir Taleski dhe dhjetë ditë më vonë, ka ardhur ai i Edmond Temelkos, ish-kryetari i Komunës së Pustecit. Në të njëjtin muaj, në të njëjtën datë, janë dorëzuar edhe dy të tjera, nga Nikolla Gruevski dhe një bashkërisht nga Toni Jakimovski dhe Gordana Jankulloska.

    Vitin tjetër, në shkurt të 2018-ës, arrin dorëzimi i përbashkët i Jankulloskës dhe Mile Janakieskit, dhe pas tre muajsh përgatitet edhe ai i Kiro Todorovskit. Në verën e vitit 2018 në Strasburg arrin aplikimi i ish-shefit të DSK-së, Sasho Mijalkov, ndërsa viti mbyllet me aplikimet e Janakieskit dhe Kiril Bojinovskit.

    E përbashkët për të gjithë ata është kërkesa për ndërprerjen e ndjekjes penale me arsyetimin se faëja që e morën nga ish-presidenti nuk mund të anulohej. Në favor të tyre është fakti që Ivanov asnjëherë nuk u ndoq penalisht për faljen, gjë që në Strasburg lë përshtypjen se presidenti nuk ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme./Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Arsovska nuk planifikon fikjen e ndriçimeve në bulevardet e Shkupit

    Lajmi i rradhës

    Ushqimet ku mund ta gjeni kalciumin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë