Pendarovski: Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kenë qasje në mekanizmat e BE-së për t’u përballur me krizën ekonomike

    Presidenti Stevo Pendarovski sot në “Brdo” mori pjesë në takimin e 11-të të liderëve të vendeve pjesëmarrëse në Procesin Brdo-Brioni, ku u diskutua për temat kryesore aktuale në rajon dhe Evropë, procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, për situatën e sigurisë dhe agresionin rus kundër Ukrainës, si dhe për masat dhe mënyrat për të përballuar krizën energjetike dhe ekonomike me të cilën po përballemi, si pasojë e luftës në Ukrainë.

    Presidenti i RMV-së theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian, kontribuon në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, në përmirësimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, prandaj, tha se, është e nevojshme të përshpejtohet proceset integruese të të gjitha vendeve nga Ballkani Perëndimor.

    Në këtë drejtim, presidenti Pendarovski shprehu pritjen se takimi i ardhshëm i Bashkësisë Politike Evropiane, i cili duhet të mbahet në fillim të tetorit, do të kontribuojë në përshpejtimin e mëtutjeshëm të integrimeve.

    Liderët përshëndetën fillimin zyrtar të negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me BE-në dhe u bënë thirrje institucioneve të Bashkimit Evropian që të marrin vendime të mëtejshme të guximshme në lidhje me integrimin e vendeve të mbetura të Ballkanit Perëndimor.

    Në kuadër të diskutimit, presidenti Pendarovski theksoi se Bosnja dhe Hercegovina e meriton statusin kandidat për në BE, kurse Kosova regjimin pa viza dhe shprehu pritjen e tij për mbështetje të mëtejshme të fuqishme nga Sllovenia dhe Kroacia në proceset eurointegruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

    Presidenti Pendarovski theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për qasje sa më parë në mekanizmat e BE-së, si mbështetje për përballimin e krizës së ardhshme energjetike, dhe theksoi se kriza ekonomike dhe sociale mund të shkaktojë një krizë politike shumëvjeçare dhe të gjenerojë jostabilitet.

    Lajmi Paraprak

    OBSh: Për RMV-në mbeten sfidë kostot shëndetësore katastrofale, veçanërisht për familjet e varfra

    Lajmi i rradhës

    Maqedonia e Veriut kërkon sërish ekstradimin e Nikolla Gruevskit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë