OBSh: Për RMV-në mbeten sfidë kostot shëndetësore katastrofale, veçanërisht për familjet e varfra

    Organizata Botërore e Shëndetësisë në raportin e saj të ri për Maqedoninë e Veriut, thekson se vendi po bën përparim në reduktimin e rezistencës antimikrobike dhe përdorimin e e-shëndetit si kundërpërgjigje ndaj COVID-19, ndërsa thekson se sfidë mbeten kostot shëndetësore katastrofale, përcjell Nistori.

    Raporti thekson se kostot katastrofale të kujdesit shëndetësor mbeten problem, veçanërisht për familjet më të varfra.

    Kostot katastrofale, sipas OBSh-së, janë kryesisht për shkak të pagesave private për barnat. Niveli i lartë i kostove private, duke përfshirë pagesat joformale, zvogëlon gjasat që grupet e qytetarëve me të ardhura të ulëta të marrin shërbimet e nevojshme shëndetësore.

    Në këtë raport, OBSh vlerëson përparimin e Maqedonisë së Veriut në ato që thekson se janë rrethana shumë komplekse.

    Kjo organizatë shëndetësore thekson se është e rëndësishme të theksohet se të arriturat e Maqedonisë së Veriut janë arritur në rrethana shumë komplekse, e veçanërisht në kushte të një pandemie globale.

    Maqedonia e Veriut, sipas OBSh-së, u godit nga pandemia COVID-19 më shumë se shumë vende të tjera, veçanërisht gjatë valës së dytë dhe të tretë.

    Raporti thekson se vendi ka filluar të ndërmarrë hapa të koordinuar për të reduktuar përdorimin joracional të antibiotikëve dhe për të forcuar sistemin e mbikëqyrjes së rezistencës antimikrobike.

    Sipas raportit, ndërhyrjet në e-shëndetin kanë luajtur rol kryesor në reagimin e vendit ndaj pandemisë COVID-19 që nga fillimi i vitit 2020.

    “U prezantua një regjistër digjital i profesionistëve shëndetësorë, u zhvillua një modul i telemjekësisë, i cili mundësoi ekzaminimin e pacientëve nga distanca përmes përdorimit të teknologjive të TI-së, konsultimet telefonike u përdorën rregullisht në kujdesin parësor shëndetësor dhe lëshimi i recetave elektronike për pacientët me sëmundjet kronike. Këto ndërhyrje në e-shëndetin kanë përmirësuar qasjen në shërbimet bazë shëndetësore”, thuhet në raport.

    Ky raport është një nga 14 raportet kombëtare në një seri raportesh në mbështetje të Shteteve Anëtare në Rajonin Evropian të OBSH-së që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian.

    “14 raportet e reja japin informacion të rëndësishëm për gjendjen e sistemit shëndetësor në secilin prej vendeve. Kjo u mundëson shteteve anëtare të shohin se si po zhvillohen sistemet e tyre shëndetësore me zbatimin e Programit të Punës për Evropën të OBSh-së”, tha Dr. Hans Henry P. Kluge, Drejtor Rajonal i OBSh-së për Evropën.

    Katërmbëdhjetë raportet e reja u prezantuan në sesionin e 72-të të Komitetit Rajonal të OBSh-së për Evropën në Tel Aviv, Izrael më 12 shtator 2022.

    Lajmi Paraprak

    Samiti Bërdo-Brioni: Thirrje BE-së që Kosovës t’i hiqen vizat

    Lajmi i rradhës

    Pendarovski: Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kenë qasje në mekanizmat e BE-së për t’u përballur me krizën ekonomike

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë