Protestohet edhe në shkollën “Goce Dellçev” në Tetovë, largimi i mësuesve shkakton revoltë te nxënësit dhe prindërit

    Edhe në shkollën fillore “Goce Dellçev” në Tetovë sot është protestuar kundër largimit të mësuesve. Nxënësit dhe prindërit e tyre kërkojnë që ta vazhdojnë shkollimin me mësuesit që tashmë e kanë nisur procesin mësimor.

    Përfaqësuesi i Këshillit të prindërve Burhan Aliti, sot para gazetarëve theksoi se kërkesa e tyre nuk ka të bëjë asgjë me çështjet politike. Ai deklaroi se edhe prindërit edhe fëmijët duan që mësuesja Emine Luma-Osmani të kthehet në shkollë dhe se deri atëherë nuk do t’i lejojnë që fëmijët ta ndjekin procesin edukativo-arsimor, raporton Nistori.

    “Unë si përfaqësues i këshillit të klasës dua të theksoj se kjo nuk është politike as partiake, thjesht është përgjegjësi e imja ndaj fëmijëve dhe prindërve. Nuk dua që ata të bijnë pre e sistemit politik. E duam të njëjtën mësuese e cila ka qenë mësimdhënëse e fëmijëve tonë që nga klasa e dytë e andej. E përsëris se kjo nuk ka të bëjë me ndonjë përfitim personal. Duam që e njëjta mësuese Emine Luma-Osmani të jetë mësuese e fëmijëve tanë”.

    “Edhe nxënësit e duan atë dhe nuk shkojnë në shkollë. Ajo është larguar ditën e djeshme. Gjithashtu dëshirojmë që edhe mësuesja e re të jetë prezente dhe të diskutojmë hapur. Nuk kemi asgjë kundër asaj dhe t’i tregojmë se kjo protestë nuk është politike”, tha Burhan Aliti.

    Ndërsa Anita Aziri, tha se kanë biseduar me drejtorinë e shkollës, por të njëjtin janë përgjigjur se nuk kanë kompetenca për largimin ose jo të mësuesve.

    “Kemi kërkuar edhe prej drejtorisë, por problemi është se nuk mund të përzihemi në ato punë politike. Kur vjen punë këtu të gjithë na thonë se nuk kanë faj. Largimi i mësueses ka ndikuar psikologjikisht te fëmijët, por edhe në aspektin arsimor. Fëmijët tanë nuk duhet të përfshihen në çështjet politike, por thjesht duhet të edukohen si të gjithë të tjerët”, tha Anita Aziri.

    Ndryshe, ditë më parë edhe në shkollën “Kirili dhe Metodi” protestuan për largimin e mësuesve me të cilët ata tashmë kanë nisur vitin shkollor. Nga Komuna e Tetovës thonë se mësuesve që u ka përfunduar kontrata e punës nuk kanë të drejtë të vazhdojnë të japin mësim.

    Prej atje deklaruan se do të hapet konkurs dhe se çdo mësues do të ketë mundësi të konkurrojë për punësim./Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Qeveria e RMV-së: Do të ketë pako të re anti-krizë

    Lajmi i rradhës

    Polemika pas refuzimit të nismës për referendum

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë