Viti i ri shkollor në RMV, telashe të vjetra me tekstet shkollore

    Viti i ri shkollor për nxënësit e klasave të para, të dyta, të katërta dhe ata të klasave të pesta, në Maqedoninë e Veriut të enjten ka filluar pa libra. Kjo për shkak se me procesin e reformave në arsim librat për këto klasë pësojnë ndryshime dhe botimi i tyre është në faza të ndryshme të miratimit.

    Programi i ri arsimor, i cili parasheh kombinimin e librave digjitalë dhe atyre të shtypur filloi të zbatohej gjatë vitit të kaluar, me përfshirjen e teksteve shkollore për nxënësit e klasës së parë dhe atyre të katërt.

    Ministria e Arsimit me Byronë për zhvillimin e arsimit, thonë se nuk ka vend për shqetësim për vonesën e botimit të teksteve të reja, pasi siç kanë thënë, nuk rrezikohet në asnjë mënyrë procesi arsimor.

    Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se tashmë ka përgatitur materiale të shtypura që do të vlejnë për tremujorin e parë të vitit shkollor, për të ruajtur vazhdimësinë e teksteve.

    Këto tekste derisa të botohen librat, sigurohen nga dikasteri i arsimit për të gjitha shkollat në Maqedoninë e Veriut.

    Vonesa e botimit të librave është rrjedhojë e procedurave për miratimin e librave në bazë të programit të ri mësimor ku duhet të inkorporohen vërejtjet e recensentëve për pjesë të caktuara të librave.

    Por pedagogu Xheladin Murati, ligjërues në Fakultetin Pedagogjik në Shkup, thotë për Radion Evropa e Lirë se tekstet e reja shkollore duhet të dalin në fund të vitit të ri shkollor dhe jo në fillim, madje me vonesa, duke shkaktuar vakum në nxënien e dijes për gjeneratat e reja.

    “Fillon viti i ri shkollor dhe nxënësit duhet të mësojnë me tekste të digjitalizuara, tekste të cilat nuk ekzistojnë askund. Po përgatiten tekste plotësuese nga Ministria e Arsimit derisa të dalin librat. Kjo ka kosto shtesë. Tekstet mësimore në çdo vend të zhvilluar të Evropës dalin në fund të vitit shkollor dhe jo në fillim të vitit shkollor apo pasi të fillojë viti shkollor. Ekziston një mori faktesh dhe faktorësh, që tregon se shoqëria dhe institucionet përkatëse arsimore nuk tregojnë interesin e duhur për të filluar vitin shkollor me këmbë të mbarë”, konsideron Murati.

    Prindërit e nxënësve thonë se mungesa e librave dhe ndryshimi i vazhdueshëm i teksteve shkollore, paraqet vështirësi të shumta për ta, por më së shumti për vetë nxënësit.

    Tatjana Jakimovska nënë e dy fëmijëve nxënës, njëri në klasën e dytë, kurse tjetri në klasën e pestë, thotë se fillimi i vitit shkollor me shumë paqartësi tashmë është bërë praktikë.

    Jakimovska thotë se kjo bën që fëmijët të mos e marrin seriozisht shkollën, pasi gjithçka ndryshon ose zgjidhet në moment të fundit.

    “Ashtu si çdo vit informacionet për ndryshimet i marrim me shumë vonesë. Fillon viti i ri shkollor dhe asnjë nga mësuesit e klasës së pestë me saktësi nuk di të më thotë nëse do të mësohet me libra digjitalë apo libra të shtypur”, tregon ajo.

    Nga ana tjetër, drejtorët e shkollave thonë se janë pajisur me librat e konceptit të vjetër, por jo edhe me tekstet që duhet të mësojnë nxënësit këtë vit shkollorë në bazë të konceptit të ri programor.

    “Të gjitha librat që na kanë arritur janë me konceptin e vjetër, akoma s`na kanë arritur librat me konceptin e ri, po presim”, është shprehur në fillim të kësaj jave Marjan Jovanovski, drejtor i një shkolle fillore në Shkup.

    Përderisa Biljana Billbillovsak, drejtoreshë e një shkolle tjetër fillore, thotë se mësuesit janë në trajnim për të përvetësuar materialet mësimore, të cilat do të ligjërohen në bazë konceptit të ri të programit mësimor.

    Por, Xheladin Murati thotë se kjo duhej të bëhej më herët, përkatësisht gjatë pushimeve verore dhe jo në momentet e fundit kur mësuesit duhet të përgatiten për njësitë mësimore që duhet t’ua shpjegojnë nxënësve dhe në formë plotësuese ngarkohen me trajnime.

    “Mungesa e librave, përkatësisht vonesa e tyre është në dëm të nxënësve dhe në dëm të dijes. Librat duhej me kohë të recensoheshin nga recensentë meritorë, sepse tekstet te ne dalin me gabime të mëdha, jo vetëm gjuhësore, por dhe me gabime faktografike”.

    “Tekstet janë të ngarkuara me elemente të panevojshme dhe nxënësit pasi të kenë lexuar një faqe të plotë të librit, nuk janë në gjendje të tregojnë se çka kanë kuptuar. Kjo pasi tekstet nuk i nënshtrohen një analize të mirëfilltë si nga autori, si nga recensentët, si nga botuesit për të krijuar një tekst cilësor që i hap rrugën e dijes nxënësve. Ministra vrapon për të bërë reforma, por pa përfillur mundësitë e realizmit të tyre”, vlerëson Murati.

    Nga dikasteri i arsimit kanë theksuar se tekstet e reja kanë për qëllim që te nxënësit të iniciojnë të menduarit kritik, nxitjen e kreativitetit, si dhe nxënësit të aftësohen të vlerësojnë kur dhe në çfarë mënyre të përdorin teknologjinë informative për zgjidhjen e detyrave apo realizimin e projekteve të caktuara shkollore.

    Vitin e ri për nxënësit e shkollave fillore dhe ata të mesme si sot ua ka uruar dhe

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, uroi për fillimin e vitit të ri shkollor, duke i cilësuar mësimdhënësit si “çelësi i arsimit cilësor”.

    Ai theksoi se Qeveria vazhdon fuqizimin e kuadrit mësimdhënës, për të cilin është planifikuar rritje pagash nga shtatori për 15 për qind, si dhe trajnime të vazhdueshme për programet e reja.

    Viti shkollor 2022/2023 në Maqedoninë e Veriut për rreth 255 mijë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, pas dy vjetësh pandemie, të enjten nisi pa protokolle anti-COVID dhe maska mbrojtëse.

    Lajmi Paraprak

    Milevski: Në të ardhmen pritet të ketë mini-tornado, nëntori do të jetë i rrezikshëm për RMV-në

    Lajmi i rradhës

    Roth: RMV ka bërë shumë, tani është radha e BE-së – shpresoj që të rinjtë një ditë të kthehen në vend

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë