MAQEDONIA E ZHYTUR NË KREDI | Çdo qytetar ka borxh 1700 euro

    Pavarësisht rritjes së vazhdueshme të normave të interesit kreditë mbeten opsioni më i kërkuar për çdo familje, për të blerë një banesë, ose për të përmbushur nevoja të ndryshme konsumatore. Për rrjedhojë mesatarisht çdo qytetar i Maqedonisë është në borxh me 1.700 euro me bankat. Kjo është mesatarja e llogaritur, nëse i referohemi të dhënave të fundvitit të Bankës Popullore (muaji dhjetor) lidhur me kreditë e marra, që në total shkojnë mbi 3.2 miliardë euro. Bëhet fjalë për kreditë konsumatore dhe për banesa, ku shumica janë kredi konsumatore, në vlerë prej 112 milionë denarë (ose 1.8 milion euro), si edhe dhe kreditë e marra për blerjen e apartamenteve të banimit në vlerë prej 79.5 milionë denarë (ose rreth 1.3 milionë euro). Sipas të dhënave të CEIC Data borxhi i familjeve të Maqedonisë së Veriut u rrit në fillim të këtij viti, duke arritur në 3.8 miliardë dollarë (në janar 2023), krahasuar me numrin e raportuar prej 3.7 miliardë dollarësh në muajin e kaluar.

    Vitin e kaluar kreditë për banesa u rritën me 12.7 për qind dhe me 1.2 për qind në muajin dhjetor. Po ashtu edhe kredia konsumatore u rrit me 6.3 për qind vitin e kaluar dhe me 0.7 për qind në dhjetor. Por krahasuar me vendet e rajonit Maqedonia ka një mesatare më të ulët, sesa vendet e tjera, sa u takon dy kategoritë e borxhit që merren nga bankat komerciale. Për shembull totali i kredive në Shqipëri në fillim të vitit 2023 arriti në 6,6 miliardë euro që do të thotë se çdo qytetar është në borxh me një mesatare prej 2.357 euro. Edhe në Kosovë, të dhënat për kreditimin total dhe për kreditimin e qytetarëve për konsum të përgjithshëm tregojnë se 653.634 qytetarë kanë kredi në banka me një total mbi pesë miliardë euro, që do të thotë se çdo qytetar i Kosovës është në borxh mesatarisht 2.659 euro. Mali i Zi po ashtu është një vendet e rajonit me borxh mesatar të lartë, 2.500 euro për çdo qytetar. Në këtë vend 150 mijë qytetarë janë në borxh me bankat në një shumë që arrin 1.5 miliard. euro. Ato përbëjnë 43.36 për qind të totalit të kredive në Mal të Zi, të cilat arrijnë në 3.4 miliardë euro.

    Ndërsa në Serbi çdo qytetar llogaritet të ketë marrë mesatarisht 1.800 euro borxh. Sipas këtyre të dhënave, qytetarët e Serbisë kanë marrë hua nga bankat 12 miliardë euro, kurse ekonomia rreth 16 miliardë euro. Rritja më e madhe është te kreditë në para të gatshme, që përbëjnë 46.6 për qind të totalit të kredive. Më pak janë në borxhe qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilët u detyrohen bankave mesatarisht me nga 1.500 euro. Më shumë se gjysmë milioni qytetarë të BeH përdorin minusin e lejuar, ndërsa depozitat e tyre në banka arrijnë në 7 miliardë euro, nga të cilat 5 miliardë euro përdoren si kredi.

    BORXHI MESATAR PËR BANOR NË RAJON

    Kosova: 2.659 euro

    Mali i Zi: 2.500 euro

    Shqipëria: 2.357 euro

    Serbi: 1.800 euro

    Maqedonia e Veriut: 1.700 euro

    Lajmi Paraprak

    Dibranët përballen me fatura të pashlyera kur blejnë shtëpi

    Lajmi i rradhës

    DRAFT RAPORTI I BE-së PËR MAQEDONINË: Më shumë angazhim në luftën kundër korrupsionit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë