Maqedonia i ka lënë në gjysmë detyrat për mjedisin

    Pothuajse të gjitha vendet nuk janë në rrugën e duhur për të përmbushur objektivin zero neto të emetimeve të gazeve serrë të vendosur nga Pakti i Klimës së Glasgout 2021. Përveç Greqisë, e cila qëndron shumë lart (në vendin e 28), Maqedonia e Veriut është klasifikuar shumë më mirë sesa fqinjët e tjerë, duke u renditur disa shkallë më lart sipas Indeksit të Performancës Mjedisore 2022. Ajo renditet në vendin e 34, mes 180 vendeve të botës së marra në studim, sa i përket performancës së mbrojtjes së mjedisit. Në total performimi i Maqedonisë ka marrë 54.30 pikë, ose pak më shumë se gjysma e përmbushjes së objektivave të përcaktuar.

    Nënkategoritë e marra në studim për të bërë vlerësimin përfundimtar janë – Shëndeti Mjedisor, Vitaliteti i Ekosistemit dhe Ndryshimi i Klimës, ku vendi më shumë ka bërë progres tek adresimi i politikave të duhura për zbutjen e ndryshimeve klimatike dhe shëndetit mjedisor në tërësi, ndërsa regresi është vërejtur tek ndotësit atmosferikë. Sipas studimit të cilësisë së ajrit të EPI tregojnë, se banorët në shumicën e vendeve ende thithin ajër të pasigurt.

    Më shumë se tetë milionë njerëz vdesin para kohe çdo vit nga ekspozimi ndaj ndotësve të ajrit të brendshëm dhe të ambientit. Vendet e Azisë Jugore, si India, Nepali dhe Pakistani, janë veçanërisht të prapambetura në cilësinë e ajrit. “Analiza novatore që qëndron në themel të kësaj metrike tregon se vetëm një pjesë e vogël e vendeve – duke përfshirë Danimarkën dhe Mbretërinë e Bashkuar janë aktualisht duke planifikuar të arrijnë neutralitetin e gazit serrë deri në vitin 2050. Shumë kombe të tjera po shkojnë në drejtimin e gabuar, me rritje të shpejtë të emetimeve të gazeve serrë në masë të madhe”, thuhet në studim.

    Nëse i referohemi rajonit, vetëm Maqedonia e Veriut është renditur shumë më lart se të tjerat, Mali i Zi e 63, Shqipëria renditet e 62, Serbia e 79, Bosnja e Hercegovina e 102. Tendencat mbarë botërore sugjerojnë se shumë vende kanë bërë përparim të rëndësishëm gjatë dekadës së fundit në çështjet kritike të shëndetit mjedisor si kanalizimet, uji i pijshëm dhe ndotja e ajrit të brendshëm. Këto përfitime tregojnë se investimet në infrastrukturën mjedisore, si objektet e trajtimit të ujërave të zeza dhe teknologjitë më të mira të energjisë shtëpiake – të tilla si sobat më të pastra – mund të përkthehen në përmirësime të shpejta në shëndetin publik.

    Më shumë se 50% e emetimeve në vitin 2050 janë planifikuar të vijnë nga Kina, India, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, sipas trajektoreve të parashikuara të vendeve bazuar në të dhënat nga viti 2010 deri në vitin 2019. Duke mbetur prapa kolegëve të saj, Shtetet e Bashkuara u renditën e 43-ta nga 180 vende në indeks. Kjo renditje pasqyron rikthimin e mbrojtjeve mjedisore gjatë administratës Trump, e cila shfuqizoi ose dobësoi gati 100 rregullore mjedisore, u tërhoq nga Marrëveshja e Parisit për Klimën dhe dobësoi standardet e efikasitetit të karburantit. Renditja e përgjithshme i vendos Shtetet e Bashkuara pas shumicës së demokracive të pasura perëndimore, duke përfshirë Francën (e 12-tën), Gjermaninë (13), Australinë (17), Italinë (23-tën) dhe Japoninë (e 25-tën). /koha/

    Lajmi Paraprak

    Çfarë mund të rrisë rrezikun e shfaqjes së autizmit te bebja gjatë shtatzënisë

    Lajmi i rradhës

    Bujqit kërkojnë thjeshtësimin e dokumentacionit në lidhje me subvencionet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë