Bujqit kërkojnë thjeshtësimin e dokumentacionit në lidhje me subvencionet

    Bujqit kanë filluar përgatitjet për fillimin e mbjelljeve vjeshtore, mbjellja e kulturave vjeshtore si grurë, misër, duhan etj, do të subvencionohen edhe këtë vit, por me disa ndryshime. Bujqit ndërkaq, kërkojnë thjeshtësimin e dokumentacionit si dhe rritjen e subvencioneve dhe ndihmës shtetërore për bujqësinë, pasi që ato aktuale janë të pamjaftueshme për punimin e tokës.

    Vlerësojnë se investimet e të mbjellave në tetor janë me një kosto më të lartë në raport me vitin e kaluar duke marrë parasysh edhe lëvrimin e tokës, plehrat artificial, farat, karburantin, e kështu me radhë. Shtrenjtimet e mëdha të repromaterialeve në prodhimtarinë bujqësore konfirmohen edhe nga të dhënat e statistikës zyrtare. Në muajin gusht të këtij viti në raport me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, po shënohen rritje e çmimeve të plehrave artificial dhe energjisë për 60 për qind, të ushqimit të kafshëve për 12 për qind, të mirëmbajtjes së pajisjeve për 11 për qind e kështu me radhë.

    Shteti nga ana tjetër po ndërmerr masa të shumta për të rritur prodhimtarinë e ushqimit në këtë kohë krize dhe të ulë edhe varshmërinë e pjesshme nga importi, mirëpo bujqit ankohen për procedurat që vështirë mund të zbatohen në terren për të fituar subvencionet shtesë përmes Fondit Intervenues.

    Fermerët vlerësojnë se në praktikë jemi larg Evropës, ku kushtet e parashtruara për të fituar mjetet financiare nga Fondi Intervenues vështirë se mund të plotësohen as nga gjysma e fermerëve, edhe pse duken bukur në letër.

    “Masat e fundit për të ndihmuar bujqësinë përmes Fondit Interevenues janë të mirëseardhura mirëpo shtrohet çështja se sa ato realisht edhe do të mund të fitohen nga ana e bujqve. Pra ato në letër duken bukur, mirëpo në terren dhe praktikisht zor se do ti fitojnë më shumë se 40 për qind e fermerëve për shkak të problemeve të shumta dhe vështirësive që të plotësohen kushtet e kërkuara. Për shembull, ai që e siguron prodhimtarinë edhe e vlerëson atë ku kjo shpesh nuk shkon në favor të bujqve, ekzistojnë problem me lëshimin e llogarive fiskale etj”, thotë anëtari i Këshillit Drejtues së Federatës së Fermerëve të Maqedonisë, Memet Sinani.

    Sipas tij, ekzistojnë probleme që duhet të zgjidhen edhe me pronësinë e tokës, ku duhet thjeshtësuar sa më shumë përdorimi i tokës së marrë me qira nga personat privat, apo duhet të ulet kostoja e kontratës së shfrytëzimit të tokës së pronarit tjetër në emër të pronësisë. Gjithashtu shton se duhet marrë parasysh edhe parcelat e vogla prej disa hektarë që punohen nga ana e bujqve gjatë ndarjes së këtyre subvencioneve dhe kushtet përkatëse.

    Në ndërkohë, fermerët që do të prodhojnë kulturat e drithërave do të kenë të drejtën e mbështetjes financiare për kostot e blerjes së plehrave artificiale në prodhimin e grurit ose elbit për plehërim bazë. Përfitues do të jenë janë ekonomitë bujqësore që këtë vjeshtë në periudhën nga 22 shtatori deri më 22 dhjetor do të kenë sipërfaqe të mbjella me këto kultura dhe nga data 1 gusht deri më 31 tetor të këtij viti kanë blerë plehra të paktën 200 kilogramë për hektar. Shuma e mbështetjes financiare është 3.000 denarë për hektar për shpenzimet e blerjes, ndërsa pagesa do të bëhet në bazë të kërkesave të dorëzuara në Agjencinë e Pagesave së bashku me dokumentet për dëshminë e plehut artificial të blerë.

    Deri më tani, në këtë mënyrë, fermerëve u është ofruar edhe mbështetje për pleh në prodhimin e kulturave strategjike të drithërave, si gruri, elbi, misri dhe luledielli. Mbështetja ishte 4.000 denarë për blerjen dhe shfrytëzimin minimalisht 200 kilogramë për hektar me grurë dhe misër dhe 2.500 denarë për sipërfaqet e mbjella me elb me 200 apo 100 kilogramë për hektar për luledielli. Përmes kësaj mase janë paguar 113 milion denarë për 6800 bujq. Në fillim të kësaj jave filloi edhe pagesa e mjeteve për naftën e gjelbër, ku për afër 50 mijë bujq janë ndarë 250 milionë denarë.

    Nikica Baçovski, drejtor i Agjencisë për përkrahje financiare të bujqësisë dhe zhvillimit rural, thotë se pagesa është me kohë për mbjelljen e vjeshtës. Me këtë dhe me pagesën e subvencioneve për qumështin, së shpejti edhe për kulturat e perimeve, përfundojnë obligimet e mëdha për fermerët për vitin 2021. Ai në rrethin e Prilepit paralajmëroi fillimin e shpërndarjes së naftës së gjelbër, ku subvencioni është 50 për qind e harxhimeve që kanë fermerët.

    Kjo masë disavjeçare është një mekanizëm shumë e mirë për mbulimin e inputeve apo materialeve hyrëse bujqësore nëpërmjet përdorimit të lëndëve djegëse për punët bujqësore. Këto ditë kemi filluar një sërë pagesash për qumështin dhe produktet e qumështit. Ato janë paguar nga janari deri në maj 2021, nga java e ardhshme janë subvencionet për muajin qershor dhe korrik dhe do të mbeten gushti dhe shtatori për të finalizuar të tre fazat e vitit 2021. Sipas tij, tani fokusi do të jetë në masat nga Fondi intervenues për të cilat janë siguruar 500 milionë denarë me rishikimin e buxhetit. Kjo do të sjellë edhe pagesa që nga ky vit.

    Këtë vit për herë të parë filloi zbatimi i Fondit intervenues, i cili përfshinë shumë masa të reja, ndër të cilat, pas subvencioneve për pleh artificial, ka edhe subvencione shtesë për lakër të dorëzuar, kumbulla, denarë shtesë për qumësht, dhe ne kemi detyrim t’i paguajmë ato deri në fund të vitit. Paralajmërohet edhe pagesa paraprake apo me paradhënie për pemëtarinë. Kjo është një pilot projekt që ka nisur këtë vit. Në muajin nëntor pritet pagesa prej 30 për qind për të gjithë ata që kanë aplikuar në gusht të këtij viti. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Maqedonia i ka lënë në gjysmë detyrat për mjedisin

    Lajmi i rradhës

    Nuk ka të ndalur hovi i emigrimit të ballkanasve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë