Maqedonia nuk është një destinacion i parapëlqyer për turistët

    Rënia e fluksit turistik viteve të fundit, sidomos gjatë periudhës së pandemisë, e ka goditur rëndë turizmin. Madje as në muajt e pikut turistik shifrat nuk i afrohen atyre të viteve të mëparshme. Maqedonia nuk është një destinacion i preferuar turistik, as për vendasit, të cilët vazhdojnë të regjistrohen në shifra të reduktuara. Për shembull, gjatë muajit më të nxehtë, korrikut, numërohen rreth 170 mijë turistë, shifër kjo që edhe pse është më e lartë sesa vjet apo parvjet, prapëseprapë është shumë më e vogël sesa numri i turistëve vendas e të huaj që verojnë në zonat turistike në vitin 2019, apo 2018.

    TEJKALOHET PANDEMIA, POR BUJTJET MË TË PAKTA

    Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave vërehet se më të shumtë të numër mbeten vendasit, sesa të huajt, si nga numri i përgjithshëm, po aq edhe nga numri i netëve të kaluara nëpër hotele dhe bujtina. Liqenet mbeten atraksionet më të mëdha turistike, të cilat tërheqin numrin më të madh të turistëve, ndërsa banjat termale, vendet malore regjistrojnë shifra të ulta. Vera duket se është stinë e preferuar për turistët turq (12.841) e serbë, të cilët këtë vit kanë qenë të shumtë në numër (rreth 10 mijë) ose mbi 12 për qind e numrit të përgjithshëm të turistëve të huaj. Më pas renditen polakë e rumunë dhe shumë më pak shqiptarët nga Kosova apo Shqipëria. Nga Agjencia për promovimin dhe mbështetjen e turizmit janë entuziastë, dhe krahasimet e bëjnë me vitet 2020 -2021 kur turizmi shënoi rënien më të madhe. Ndërsa po të krahasohen me vitin 2019, për shembull bujtjet e regjistruara janë mbi 3 milionë e gjysmë.

    ” Për shtatë muaj të vitit janë 1,393,000 fjetje dhe me gushtin do të kalojmë shifrën prej 2.1 milionë. Kjo është dëshmi se ne mund të arrijmë 2.6 milionë fjetje në vitin 2022 dhe më shumë se 400 milionë dollarë në ekonominë maqedonase nga industria e turizmit. Janar-korrik 2022, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri i turistëve është rritur me 53.3%, përkatësisht turistët vendas janë 13.7%, të huajt u rritën me 109.9%. Numri i fjetjeve është rritur me 34.6%”, shkruan në profilin e tij zyrtar drejtori i APMT, Ljupço Janevski. Ndërsa shpresën për vitin e ardhshëm e mbajnë tek “Ballkani i Hapur” ose verimi në “Zonat Jeshile”.

    “Riorganizimi do të na lejojë të krijojmë përmirësime ligjore, t’i zbatojmë ato dhe të konkurrojmë mjaftueshëm me vendet e Ballkanit të Hapur, i cili në vetvete krijon një treg prej 11 milionë turistësh vendas. Nisja e një fushate kombëtare në youtube dhe google, markimi turistik i destinacionit, shënjimi i rrugëve të atraksioneve turistike, markimi i pikave kufitare, digjitalizimi, ndërtimi i platformës e-turizmit dhe projektet me të cilat do të fillojmë qartë zhvillimin e turizmit rural, dhe shumë së shpejti do të shohim edhe përfitimet e tij”, thotë drejtori i APMT, Ljupço Janevski.

    JO TË GJITHË VIJNË PËR PUSHIME

    Megjithatë jo të gjithë vijnë për pushime. Sipas anketave të ESHS një pjesë e mirë e tyre vijnë për t’u kuruar në qendra spitalore, si edhe për të vizituar të afërmit e tyre. Ndërsa në një numër më të vogël për turizëm, vizita profesionale dhe afariste dhe në një përqindje më të vogël janë ato që lidhen me ndjekjen e ngjarjeve dhe manifestimeve religjioze. Të huajt nga Greqia, Kosova dhe Shqipëria janë kategoria e vizitorëve që shpenzojnë më shumë nëpër spitale, banja termale, e të tjera, për dallim nga turistët italianë, sllovenë apo amerikanë. Në përgjithësi huajt shpenzojnë më shumë për akomodim dhe ushqim në objekte hotelerike dhe gastronomike dhe as 4 për qind për kulturë dhe zbavitje. Të huajt vënë në pikë të parë mikpritjen dhe lokalitetet arkeologjike, ndërsa i zhgënjen higjiena publike, infrastruktura rrugore dhe siguria. Maqedonia e arriti kulmin e fluksit turistik pas vitit 2008, kur Qeveria nisi realizimin e megaprojektit “Shkupi 2014”, duke e shndërruar kështu kryeqytetin në atraksionin dhe destinacionin kryesor të të huajve, kryesisht nga Greqia, Turqia, Kosova, e të tjera. “Kurioziteti” zgjati pak dhe shifrat sërish pësuan rënie. Që nga viti 2016 e deri 2019 mori një lloj hovi, edhe pse numri i turistëve nuk kishte ndonjë ndryshim të madh nga viti në vit. Sidomos periudha e verës, kur gjatë 2019 numëroheshin më pak turistë sesa një vit më parë. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Edhe këtë vit Qendra për Kulturë në Tetovë do të përballet me problemet e ngrohjes

    Lajmi i rradhës

    RMV-ja sot fillon skriningun shpjegues për grupin e parë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë