Edhe këtë vit Qendra për Kulturë në Tetovë do të përballet me problemet e ngrohjes

    Problemet me ngrohjen qendrore janë të pashmangshme edhe për këtë vit në Qendrën e Kulturës në Tetovë. Shfaqjet, festivalet e ndryshme teatrore, apo të këngës që organizohen në këtë qendër – po nxitojnë të realizohen gjatë muajve të vjeshtës në mënyrë që të mos lihet asnjë aktivitet i rëndësishëm gjatë muajve më të ftohtë të dimrit.

    Nëse me rikonstruktimet e pjesshme dhe adaptimet e anekseve të ndryshme të godinës ende vazhdon të punohet – çështja e ngrohjes mbetet një problem i trashëguar. Për momentin, pa asnjë premisë për t’u zgjidhur. Drejtori i Qendrës, Arlind Huseini, shpreson në një projekt që mund të realizohet në të ardhmen, por në ndërkohë, sipas tij, institucioni duhet të kthejë besimin e humbur.

    “Objekti është ky që është, herë pas herë realizojmë projekte rikonstruktuese, siç është ai për rregullimin e çatisë që ka nisur, apo të tjerat që janë realizuar në hapësirat e tjera. Por duhet thënë se nga keqpërdorimet me projektet që kanë ndodhur vite më parë, fillimisht na duhet të rikthejmë besimin që të shpresojmë për projekte më të mëdha, siç do të ishte një projekt për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë problemin me ngrohjen”, thotë drejtori Huseini.

    Një pjesë e aktiviteteve, si Festivali i këngës “Teuta”, pritet të zhvillohet ditët në vijim, e jo në muajin dhjetor, ndërkohë që edhe manifestimet e tjera do të zhvillohen deri në përfundim të vjeshtës. Por nëse muajt e ftohtë diktojnë datat e repertorit, po ashtu edhe një hapësirë e përbashkët me Qendrën diktojnë ngjitjen në skenë, provat, premierat…. në Teatrin e Tetovës, që funksionon brenda Qendrës. Për momentin është duke u punuar për realizimin e një shfaqje “Armiku i popullit”, me regji nga Arben Kumbaro. Premiera është më 22 tetor dhe është pikërisht kjo shfaqje që Teatri vendosi që të realizonte duke anuluar edicionin e Festivalit ndërkombëtar të Teatrit, pas kërkesës së Ministrisë së Kulturës për të reduktuar buxhetin, si pjesë e masave antikrizë.

    “Pavarësisht kushteve jemi munduar të sjellim shfaqje të arrira për publikun. Kështu do të vazhdojmë edhe këto dy muaj, pasi dimri na detyron të punojmë ndryshe. Por kjo është situata deri në përfundimin e objektit të ri. Është një objekt që e ndajmë me institucione të tjera dhe diçka që ndahet nuk mund të shfrytëzohet si duhet. Tashmë jemi mësuar të ndajmë skenën me Pallatin, datat dhe oraret e shfaqjeve të mos na përplasen, apo edhe dhomat e aktorëve, garderobën, arkivin e të tjera”, thotë drejtori Bekim Smaili.

    Me buxhetin e vitit 2022, Ministria e Kulturës miratoi një fond rreth 5 milionë denarë për rikonstruktimin e kupolës dhe Aneksit C. Në kushte të mjerueshme është edhe biblioteka e qytetit, Koço Racin, së cilës i janë akorduar mbi 400 mijë denarë për pajisje, institucion ky që funksionon brenda godinës së Qendrës. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Arsovska do të paditet nga ish-sekretari i saj

    Lajmi i rradhës

    Maqedonia nuk është një destinacion i parapëlqyer për turistët

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë