Maqedonia po e kthen shtrenjtë kredinë për ndërtimin e autostradave

    Maqedonia e Veriut ka marrë kredi nga banka kineze Exim Bank për ndërtimin e autostradës Kërçovë – Ohër dhe Milladinovci – Shtip, ndërsa aktualisht po i kthen shtrenjtë këstet e kredisë për shkak të forcimit rekord të dollarit amerikan ndaj denarit. Ndërkohë, pas më shumë se tetë vite e gjashtë muaj, nga fillimi i punimeve ndërtimore, autostrada Kërçovë-Ohër nuk ka përfunduar dhe nuk është vënë në përdorim. Megjithatë, kompania shtetërore kineze Sinohydro, pasi u përzgjodh si kontraktues për dy autostrada, vendosi të konkurrojë në sektorin e ndërtimtarisë në Maqedoni dhe deri më tani ka marrë dy projekte të reja – ndërtimin e fazës së dytë të ekspres rrugës Shtip – Koçani si dhe përfundimin e fazës së parë të ekspres rrugës Gradsko – Prilep, shkruan Meta.mk.

    Premtime të rreme për afatin e ndërtimit të autostradës Kërçovë – Ohër

    Autostrada Kërçovë-Ohër, e gjatë 57 kilometra, filloi të ndërtohet në shkurt të vitit 2014, kurse deri tani kishte dy tejkalime të afateve për përfundimin e tij. Premtimet e rrejshme të politikanëve për datën e vënies në funksion filluan nga qeveria e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, e cila premtoi se autostrada do të përfundojë brenda katër vitesh, ndërsa për ndërtimin e saj u angazhua kompania kineze “Sinohydro”. Afati fillestar për në pranverën e vitit 2018 u shty me aneks të marrëveshjes me datë të re për përfundim – 30 qershor 2021, por edhe ky afat u tejkalua.

    Pas tetë vite e gjysmë, të kaluara në ndërtim me ritme të ndryshueshme, nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore (NPRRSH), për Meta.mk, thonë se është nënshkruar aneksi i pestë i kontratës për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër, me afat për përfundimin e punimeve – 31 dhjetor 2023.

    “Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore pret që ky afat të respektohet. Deri në këtë moment është realizuar rreth 95% e trasesë, shumica e projekteve infrastrukturore tashmë janë miratuar dhe ndërtimi është duke vazhduar. Përqindja e realizimit është 70,40%”, bën të ditur kjo kompani publike.

    Ndryshe, në pranverën e vitit 2018, qeveria e udhëhequr nga ish-kryeministri Zoran Zaev njoftoi se ishte e domosdoshme të shtyhet afati i përfundimit për shkak të mospërputhjes së dokumentacionit të projektit me kushtet aktuale në terren, por edhe për faktin se disa objekte infrastrukturore, si p.sh. nëntë kryqëzimet, nuk ishin planifikuar fare me projektin fillestar. Në nëntor të vitit 2019, kredi shtesë prej 180 milionë dollarë është marrë nga Exim Banka kineze për përfundimin e autostradës.

    Autostrada e dytë që po ndërtohet me fonde kineze në Maqedoninë e Veriut u lëshua në përdorim në fillim të qershorit të vitit 2019. Në seksionin e gjatë 47 km, ndërmjet Milladinovcit dhe Shtipit, në lindje të vendit mund të vozitej falas për më shumë se tre vjet, kurse dy stacionet për arkëtimin e taksës rrugore u hapën vetëm më 18 korrik 2022.

    Nga këndvështrimi i sotëm Enti Shtetëror i Auditimit (ESHA), në Raporti përfundimtar për auditimin e performancës “Marrja e huave nga subjektet e sektorit publik, shkalla e shfrytëzimit të kredive dhe huave, shpenzimet e paguara dhe të bëra”, ka drejtuar një sërë kritikash lidhur me realizimin e autostradës Kërçovë-Ohër.

    Auditorët shtetërorë në Raport venë në pah edhe faktin se me aneksin e fundit, të pestin të kontratës, për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër dhe me afatin e caktuar deri më 31 dhjetor 2023, ekziston rrezik i lartë për mos përmbushje të detyrimeve të ndërmarra dhe për pretendime shtesë për kompensim, shpenzime shtesë për kredinë dhe afatin e zgjatur.

    “Si rrjedhojë, ka një shkallë të lartë pasigurie për pretendime për kompensim, rritje të kostove të marrëveshjes së kredisë për shkak të ndalimit të ndërtimit, për interesa që paguhen për fondet e tërhequra dhe komisionin për fondet që nuk janë tërhequr”, thuhet në Raportin Përfundimtar të auditorëve.

    Gjithashtu, auditimi tërheq vëmendjen se për zbatimin e këtij projekti si dhe për shfrytëzimin ekonomik të fondeve nevojitet veprim i koordinuar, veçanërisht nga institucionet shtetërore, për përmbushjen e detyrimeve të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore në rolin e investitorit.

    “Gjithashtu, nëse nuk përmbushen obligimet e kontratës, ekziston rreziku i kontestit i cili paraqet rrezik për dëme të mëdha financiare”, paralajmërojnë auditorët shtetërorë për autostradën Kërçovë-Ohër.

    Njëkohësisht, Enti Shtetëror i Auditimit në Raport rendit një sërë kritikash në lidhje me ndërtimin e kësaj autostrade, konkretisht: ndërtimi i autostradës prej 57 kilometra, sipas projekteve të vjetruara që nuk pasqyrojnë gjendjen reale në terren, nuk janë bërë nga planifikues me përvojë ndërkombëtare, mungesë e kontrollit dhe mbikëqyrjes në fazën e projektimit, mungesë e procedurës së tenderit për përcaktimin e çmimeve të ndërtimit, veprim i pakoordinuar i institucioneve në procedurën e miratimit të projekteve të infrastrukturës dhe procedurave të shpronësimit, një kuadër kompleks ligjor për ndryshime gjatë ndërtimit, mungesë monitorimi dhe mbikëqyrjeje në zbatimin e projektit, gjë që për efekt e ka zgjatjen e afatit të përfundimit të projektit.

    Për të gjitha këto auditorët shtetërorë në Raport shtojnë se ka pasiguri të madhe nëse afati i fundit për përfundimin e autostradës – 31.12.2023 do të jetë i mjaftueshëm, por edhe nëse deri në përfundim të projekti do të krijohen kosto shtesë, gjegjësisht ESHA është skeptik për premtimet aktuale të politikanëve për ritmin e ndërtimit të autostradës Kërçovë-Ohër.

    Këstet e kthimin e kredisë kineze po shtrenjtohen

    Dhe derisa ndërtimi i dy autostradave u vonua, Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore qysh nga korriku i vitit 2019 e nisi pagesën e këstit të parë për kthimin e kredisë ndaj Exim Bankës kineze. Shuma totale që duhet të kthehet është 719 milionë dollarë amerikanë ku përfshihen edhe kamatat dhe kredia shtesë për autostradën Kërçovë-Ohër, që u mor në fund të vitit 2019.

    Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore deri në korrik të vitit 2022 ka paguar shtatë këste të kredisë kineze për autostradën Kërçovë-Ohër dhe Miladinovci-Shtip, ndërsa kanë mbetur për t’u kthyer edhe nga 23 këste për secilën kredi individualisht. Maqedonia e Veriut do të shlyej kredinë kineze në fillim të vitit 2034. Ndërmarrja publike njofton, për Meta.mk, se këstet e fundit do të arrijnë për pagesë më 21 janar 2034.

    Për autostradën Milladinovci – Shtip, Bankës kineze Exim i janë kthyer 50 milionë dollarë dhe mbeten për t’u shlyer edhe 164 milionë dollarë. Për pjesën Kërçovë-Ohër të Korridorit Pan-Evropian 8, deri tani janë kthyer 77,6 milionë dollarë amerikanë, ndërsa nga kredia kineze mbeten për t’u shlyer edhe 427,4 milionë dollarë.

    Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore në disa raste deri më tani ka njoftuar se të hyrat që janë evidentuar nga arkëtimi i tarifave, nga akciza për derivatet e naftës dhe nga taksa rrugore që paguhet me rastin e regjistrimit të automjeteve, ndër të tjera shfrytëzohen, për pagesën e kredisë kineze.

    Megjithatë, forcimi i vlerës së dollarit amerikan, në raport me denarin, në periudhën e kaluar krijon problem shtesë për vendin gjatë pagesës e kredisë për dy autostradat.

    Nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore, për Meta.mk, kanë sqaruar se këstet në Exim Bankën kineze paguhen në dollarë, por duke pasur parasysh se ka ndryshime të vazhdueshme në vlerën e tij, është e sigurt se kjo ndikon negativisht në pagesën e kësteve, sepse Vlera ekuivalente në denarë po rritet.

    “Kështu, në periudhën prej 1.1.2022 deri më 21.7.2022, për shkak të rritjes së dollarit, NPRRSH ka paguar 105.000.000 denarë më shumë, gjegjësisht për këtë periudhë vlera e dollarit është rritur për 6 denarë në raport me pagesën”, sqarojnë nga ndërmarrja publike, shtrenjtimin faktik të kredisë kineze në këtë moment.

    Krahas rritjes së çmimit të kredisë, për shkak të rritjes së vlerës së dollarit në raport me denarin, Enti shtetëror për Auditim në Raportin përfundimtar të auditimit për performancën “Marrja hua e subjekteve të sektorit publik, shkalla e shfrytëzimit të kredive dhe huave, kostot e paguara dhe të krijuara” vë në pah se financimi i projekteve me marrëveshje për hua, si kredia nga Exim Banka kineze, e shoqëruar me mos përmbajtje të dinamikës së ndërtimit për shkak mos krijimit të kushteve për performancë, ka efekt shtesë në rritjen e vlerës së investimit.

    Prandaj, vetëm për autostradën Kërçovë-Ohër, që po ndërtohet me kredinë kineze, ka rritje të vlerës së investimit në bazë të kostove të marrëveshjes për kredi për kamata dhe komision në vlerë prej 39 milionë dollarë amerikanë, kanë përcaktuar auditorët e shtetit.

    “Sinohydro” erdhi në vend për të mbetur në biznesin e ndërtimtarisë

    Kompania shtetërore kineze “Sinohydro” hyri nëpër dyer gjerësisht të hapura në realizimin e projekteve kapitale infrastrukturore në Maqedoninë e Veriut pas marrjes së kredisë nga Exim Banka kineze dhe miratimit të dy ligjeve për realizimin e autostradës Kërçovë-Ohër dhe Miladinovci-Shtip, që u votuan në Kuvendin e RMV-së në tetor të vitit 2013, pas së cilës Sinohydro filloi realizimin e punimeve në fillim të vitit 2014.

    Tetë vjet më vonë, në realitet, kjo kompani ndërtimi shtetërore nga Kina mbeti për të konkurruar me kompani të tjera nga vendi dhe jashtë vendit në realizimin e projekteve kapitale të infrastrukturës në vend. Në të njëjtën kohë, “Sinohydro” arriti të fitojë procedurat e tenderit ndërkombëtar për ndërtimin e fazës së dytë të ekspres rrugës Shtip – Koçani, gjegjësisht për realizimin e pjesës nga fshati Krupisht deri në Koçan. Ky projekt realizohet me kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

    Të dhënat nga procedura e tenderit për këtë autostradë, të publikuara në faqen e BERZH-it, tregojnë se kanë qenë gjashtë kompani dhe konsorciume të interesuara ndërtimi nga Greqia, Maqedonia, Bosnja dhe Hercegovina, Kina, Italia dhe Bullgaria që kanë paraqitur oferta, por në fillim të vitit 2019 për realizim është përzgjedhur kompania kineze “Sinohydro”, pasi ka ofruar çmimin më të ulët për realizim zë punimeve në vlerë prej rreth 18,2 milionë euro.

    Printscreen nga dokumenti i publikuar nga BERZH për zgjedhjen e ofertuesit më të favorshëm për autostradën Krupisht-Koçan

    Rruga ekspres Krupisht-Koçan, e gjatë 13,75 kilometra, është duke u ndërtuar nga kompania kineze “Sinohydro”, ndërkaq Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore bën të ditur se kontraktuesi është vënë në funksion më 12 prill 2019 dhe është paraparë të përfundojë deri më 12 prill. 2021. Afati i realizimit është shkelur edhe për këtë rrugë, kurse arsyeja më e rëndësishme është se ka ende një shpronësime të pazgjidhura të tokës, gjegjësisht ka një parcelë ku ka lindur problem për shkak të regjistrimit jo të duhur të pronësisë në Kadastrën e Pasurive të Paluajtshme.

    “Arsyeja e dytë është vonesa e Kontraktuesit me punimet e ndërtimit dhe gjendja aktuale e realizimit është 83%. Kontraktuesit do t’i jepen 3 muaj si afat përfundimtar për përfundimin e ndërtimit, pasi të vendoset shpronësimi i parcelës”, thuhet në përgjigjen e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore që i është dorëzuar Meta.mk në lidhje me këtë projekt infrastrukturor.

    Kompania kineze “Sinohydro” ia doli të fitojë procedurën e tenderit për përfundimin e ndërtimit të seksionit ndërmjet Farishit dhe Drenovës të ekspres rrugës së re Gradsko-Prilep në Korridorin Pan-Evropian 10d. Edhe kjo ndërmarrje infrastrukturore financohet me kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me buxhet prej 31,8 milionë euro, njofton Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore.

    Tenderi për vazhdimin e fazës së parë të ekspres rrugës Gradsko – Prilep është shpallur në fillim të shtatorit 2020, me dy oferta të pranuara deri në afatin e tenderit, ndërsa kompania kineze “Sinohydro” është zgjedhur për shkak se ka paraqitur ofertë me çmimin më të ulët për punët ndërtimore.

    Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Blagoj Boçvarski në ceremoninë për ndërtimin e ekspres rrugës Gradsko-Prilep; Burimi i fotos: Qeveria e RMV-së

    “Sinohydro” ka filluar me punë më 9 qershor të vitit 2021, afati i ndërtimit është 730 ditë, ndërsa vlera e kontratës me kompaninë kineze është 2.065.129.316 denarë ose mbi 33,5 milionë euro.

    “Realizimi i projektit është 20%. Po punohet në tubin e majtë të tunelit, i cili tashmë është hapur dhe po realizohen punime të tokës, ndërsa paralelisht ka nisur puna në tubin e djathtë të tunelit”, sqarojnë nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore për ecurinë aktuale të kësaj ekspres rruge.

    Ashtu siç rritet vëllimi i punës së kompanisë kineze në tregun e Maqedonisë, rritet edhe fitimi i kompanisë. Sipas analizës më të re të publikuar nga revista financiare “PARI” më 17 qershor të këtij viti, dega e kompanisë kineze “Sinohydro” në Shkup, në vitin 2021 ka realizuar fitim prej 7 milionë euro. Një vit më parë, në vitin 2020, “Sinohydro Corporation Limited-Pekin, dega Shkup” kishte humbje prej 19 milionë eurosh, e në vitin 2019, para pandemisë së Covid-it, kishte fitim prej 24 milionë eurosh.

    Aktakuza për autostradat kineze është ngritur në vitin 2017, gjykimi ende vazhdon

    Për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër dhe Milladinovci-Shtip, ish-Prokuroria Speciale Publike ngriti aktakuzë në rastin “Trajektorja” më 30 qershor 2017, ndërsa aktakuza është miratuar nga gjykata më 1 nëntor 2017. Gjykata seancën e parë e caktoi për 6 dhjetor 2017. Sidoqoftë, gjykimi i lëndës “Trajektorja” u kthye pas disa vitesh gjykim pasi Këshilli Gjyqësor i RMV-së në fillim të korrikut të vitit 2021 e shkarkoi gjyqtarin Goran Boshevski, i cili e drejtoi këtë proces gjyqësor për korrupsion të lartë. Prandaj, gjykimi u kthye prej fillimit.

    Për ndërtimin e autostradave u akuzuan ish-kryeministri Nikolla Gruevski, së bashku me anëtarët e qeverisë së atëhershme të udhëhequr nga VMRO-DPMNE – zëvendëskryeministri Vladimir Peshevski, Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski dhe ish-drejtori i Ndërmarrjes Publike për rrugë shtetërore Ljupço Georgievski, të cilët akuzohen se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit me më shumë se 155 milionë euro.

    Ndërsa akuza ishte në procedurën fillestare gjyqësore, në nëntor të vitit 2019 u plotësuan kushtet për parashkrim (vjetrim) absolut të ndjekjes penale të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. Gruevski, në rastin “Trajektorja”, akuzohej për veprën penale “Marrje e shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm” (neni 359, paragrafi 2 i Kodit Penal), përkatësisht për marrëveshje me komisionet me kompaninë kineze “Sinohydro”, kontraktuesi i punimeve.

    Për tre të pandehurit e mbetur në çështjen “Trajektorja” për shpërdorim të detyrës zyrtare, procesi gjyqësor vijon edhe sot e kësaj dite. Sipas të dhënave nga Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë” që i monitorojnë gjykimet e lëndëve gjyqësore më të rëndësishme në vend, aktualisht në seancë kryesore është gjykimi i çështjes “Trajektorja”, ku po bëhet prezantimi i provave materiale të propozuara nga Prokuroria. Seanca e fundit gjyqësore është mbajtur në gjysmën e parë të korrikut 2022.

    Meta.mk ka dërguar pyetje për rastin “Trajektorja” në Gjykatën Themelore Penale-Shkup, ku po zhvillohet gjykimi, si dhe në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

    Nga Gjykata Themelore Penale-Shkup, Departamenti për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, njoftojnë se pasi gjykimi i lëndës “Trajektorja” është kthyer në fillim, për shkak të shkarkimit të gjyqtarit që ka vepruar në të, procedura gjyqësore ka filluar më 06.12.2021, por për shkak të shtyrjes së seancave të procedurës gjyqësore dhe kalimit prej 90 ditësh sipas Ligjit për Procedurën Penale, rasti ka rifilluar sërish më 18 mars 2022.

    Me rifillimin e procedurës gjyqësore për lëndën, deri më tani janë caktuar 19 seanca, nga të cilat janë mbajtur tetë seanca dhe për momentin gjykimi është në fazën e paraqitjes së provave të propozuara në listën e provave nga Prokuroria Themelore Publike për Prokurorinë e Krimit të Organizuar dhe Korrupsion-Shkup, thonë për Meta.mk nga Gjykata Themelore Penale-Shkup.

    “Ju njoftojmë se nga fillimi i procedurës gjyqësore për këtë lëndë, nëntë seanca janë shtyrë, gjegjësisht seancat e parapara me 14.12.2021, 16.12.2021 dhe 23.12.2021 janë shtyrë për shkak të pamundësisë së të akuzuarit Mile Janakieski për të marrë pjesë në seancat e parapara shkaku i lëndimit dhe operacionit të kryer në gju, seancat e parapara me 21.03.2022, 24.03.2022 dhe 29.03.2022 janë shtyrë për shkak të pamundësisë që i akuzuari Vladimir Peshevski të merr pjesë në to për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore të një prindi, seanca e caktuar për datën 05.04.2022 është shtyrë për shkak të mungesës së anëtarit të këshillit gjyqësor, ndërsa seancat e planifikuara për datën 17.05.2022 dhe 30.06.2022 janë shtyrë për shkak të detyrimeve urgjente dhe zyrtare të Prokurorit Publik, i cili e përfaqëson lëndën”, njoftojnë nga Gjykata Themelore Penale-Shkup.

    Mirëpo, sa i përket Nikolla Gruevskit, si të pandehur në rastin “Trajektorja”, nga Gjykata Themelore Penale-Shkup theksojnë se gjykata e tyre ka vepruar sipas udhëzimeve të Gjykatës së Apelit dhe është marrë vendim më 6 dhjetor 2021, në bazë të propozimit nga mbrojtësi i të pandehurit Nikolla Gruevski, Goran Karkinski, avokat nga Shkupi, për refuzimin e propozim aktakuzës kundër të akuzuarit Nikolla Gruevski.

    “Gjykata e hodhi poshtë propozimin e mbrojtësit si të pabazë, për arsye se procedimi në këtë rast është në fazën e paraqitjes së provave të mbrojtjes dhe është nisur sërish përpara një këshilli gjykues të ndryshuar vetëm për shkaqe formale të parashikuara në pajtim me Ligjin për Procedurë Penale dhe është gjendje procedurale e cila është e paraparë me ligj. Këshilli po ashtu theksoi se në këtë fazë të procedurës nuk është e mundur që aktakuza të refuzohet, duke pasur parasysh numrin e madh të provave të paraqitura në pjesën e mëparshme të procedurës. Gjatë procedurës, secilës palë do t’i jepet mundësi e barabartë procedurale për të paraqitur teorinë e saj të lëndës, në mënyrë që të konstatohet saktë gjendja faktike. Këshilli gjithashtu nuk e hedh poshtë mundësinë që deri në përfundim të procedurës ta refuzojë akuzën ndaj të akuzuarit Nikolla Gruevski në pajtim me nenin 402 të Kodit të Procedurës Penale. Vendimin e marrë nga kjo gjykatë e ka konfirmuar edhe Gjykata e Apelit Shkup me vendimin KOKZH-120/21. Ndërsa për pjesën tjetër të të akuzuarve në këtë procedurë parashkrimi absolut i veprës penale fillon më 10 tetor 2033”, njofton Gjykata Themelore Penale-Shkup.

    Për çështjen lidhur me parashkrimin (vjetrimin) e lëndës penale për tre të akuzuarit e mbetur në rastin “Trajektorja”, Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, për Meta.mk, është përgjigjur se vepra penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe autoritetit” e nenit 353 lidhur me paragrafin 5 lidhur me paragrafin 1 paragrafi lidhur me paragrafin 22 të Kodit Penal i cili u shqiptohet të pandehurve skadon në vitin 2033.

    Ndryshe, aktakuza për katër të pandehurit (Nikolla Gruevski, Mile Janakieski, Vlladimir Peshevski dhe Ljupço Georgievski) i akuzon për tejkalim të kompetencave në procedurën për përzgjedhjen e kompanisë për ndërtimin e dy seksioneve të autostradës në periudhën 2012/2013, dhe rezultati përfundimtar ishte përzgjedhja e kompanisë kineze “Sinohydro” si kontraktues të punëve ndërtimore.

    Ndryshe në nëntor të vitit 2018, ish-kryeministri Nikolla Gruevski u arratis nga Maqedonia në Hungari për të shmangur burgun. Gruevskit iu dha azil në Hungari, ku në pushtet është Viktor Orban. Megjithatë, Nikolla Gruevski dhe Mile Janakieski tashmë kanë marrë dënime me burg në Maqedoninë e Veriut me disa vendime gjyqësore. Gruevski deri më tani është dënuar me 25 vjet e gjashtë muaj burgim në pesë aktgjykime të veçanta gjyqësore nga gjykatat e shkallës së parë. Ndërsa Ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, deri tani me pesë aktgjykime të veçanta gjyqësore është dënuar me 14 vjet burgim nga gjykatat e shkallës së parë. Megjithatë, për të dy po vazhdojnë procedura penale shtesë, të cilat mund të rezultojnë me dënime të reja me burg për ta.

    Lajmi Paraprak

    Poezi nga Lasgush Poradeci

    Lajmi i rradhës

    Mariçiq: Skriningu intensiv, nga 15 shtatori

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë