Edhe pse disa fshatra të Komunës së Dibrës tashmë janë zbrazur plotësisht, ende ekzistojnë vendbanime rurale ku jeta vazhdon. Migrimi masiv i popullsisë, veçanërisht drejt qyteteve dhe jashtë vendit, ka bërë që disa vendbanime të mbeten pa asnjë banor, kryesisht ato kufitare si Spasi, Konjara, Solokiqi dhe Bomova. Megjithatë, në disa fshatra dibrane ende jetojnë qindra banorë që përballen me sfida të mëdha infrastrukturore. Fshati më i madh i komunës, Mogorçë, si edhe Kosovrasti i Epërm, Kosovrasti i Poshtëm, Xhepishti, Otishani dhe Banjishti, janë ndër vendbanimet që vazhdojnë të mbeten aktivë. Por një nga problemet më serioze që pengon zhvillimin e tyre është mungesa e planeve urbanistike, që u krijon vështirësi banorëve për ndërtimin e shtëpive, rrugëve dhe objekteve afariste.
Nga Sektori i Urbanizmit në Komunën e Dibrës bëjnë të ditur se vetëm fshati Ame ka plan urbanistik të miratuar. Arkitekti i sektorit, Gazmend Cami, thotë se aktualisht ky është i vetmi vendbanim rural me dokumentacion të plotë.
“Plan urbanistik ekziston vetëm për fshatin Ame, që ndodhet pranë Banjave të Dibrës, në lokalitetin e Banjishtit. Ky është një nga fshatrat më të vjetër të komunës dhe i vetmi që mban një emër ilir – ‘Ame’, që në shqip do të thotë burim”, shpjegon Cami. Ai shton se është në procedurë përgatitja e planit urbanistik për fshatin Xhepishtë, i cili ndodhet rreth 12 kilometra larg qytetit në drejtim të Strugës. “Ky plan është në fazë hartimi, por fshatrat e tjerë nuk kanë as plane ekzistuese dhe as projekte në proces. Mungesa e tyre është një problem shumë serioz, që pengon ndërtimin e rrugëve, shtëpive individuale dhe objekteve ekonomike”, thekson ai për KOHA.
Sipas Camit, ka pasur përpjekje që çdo fshat të pajiset me plan urbanistik, por asnjëra nuk është realizuar. Debatet për këtë çështje janë zhvilluar edhe para më shumë se 20 vjetësh, por situata mbetet e pandryshuar.
Mungesa e planeve urbanistike ka sjellë pasoja serioze në infrastrukturën rrugore dhe në ndërtimin e objekteve publike, përfshirë edhe shkollat. Janë regjistruar raste, si në fshatin Mogorçë, ku banorë kanë ndërtuar shtëpi private brenda oborrit të shkollës fillore, duke shkaktuar konflikte ligjore. Përfaqësues të bashkësive vendore nga Mogorça dhe Xhepishti kërkojnë që planet urbanistike të realizohen urgjentisht. “Ka shumë mërgimtarë që duan të investojnë në fshat, të ndërtojnë biznese apo shtëpi moderne, por mungesa e planit urbanistik i pengon të gjithë. Pa rregulla, ndërtimet bëhen pa standarde dhe krijojnë kaos”, thonë Demir F. nga Mogorça dhe Faredin M. nga Xhepishti. Ata theksojnë se mungesa e planeve po frenon zhvillimin ekonomik dhe urban të fshatrave, duke i lënë banorët në një gjendje pasigurie.
Në fund, ekspertët theksojnë se edhe vetë Komuna e Dibrës nuk ka Plan Gjeneral Urbanistik prej më shumë se dy dekadash, gjë që ndikon drejtpërdrejt në vonesat e zhvillimit, mungesën e investimeve dhe planifikimin e dobët të hapësirës. “Pa plane, nuk ka zhvillim të qëndrueshëm. Fshatrat mbeten në mëshirën e spontanitetit ndërtimor dhe kjo është pengesë e madhe për ardhmërinë e Dibrës”, përfundon Cami. /Koha/






