Maqedonisë së Veriut i rekomandohet hetimi i rasteve të kthyera nga Haga, që kanë të bëjnë me luftën e vitit 2001

    Së fundmi, një letër e ardhur nga Këshilli i Europës, për ish-kryeministrin, Dimitar Kovaçevskin (pak para se të dorëzonte detyrën e tij të kryeministrit), sikur trazon plagë të vjetra nëMaqedoninë e Veriut, njofon Nistori.

    Letra që mban datën e 15 janarit 2024, është nënshkruar nga Dunja Mijatoviq, komisionere për të drejtat e njeriut në Këshillin e Europës.

    Po çfarë thotë dhe çfarë rekomandon kjo letër? Le të kuptojmë më poshtë.

    Mijatoviq sqaron që si komisionere, ka përpiluar një letërçështje* (Issue Paper), nëpërmjet së cilës thekson “detyrimin e shtetit për të trajtuar shkeljet e mëdha të të drejtave të njeriut dhe krimet ndërkombëtare duke i llogaritur përgjegjës autorët, siguruar dëmshpërblimet për viktimat, kërkuar të vërtetën dhe garantuar mospërsëritjen.”

    Më tej, Mijatoviq radhit në këtë letërçështje disa gjetje të saj dhe rekomandime të cilat i sjellim më poshtë:

    Letra fillon me “theksimin e përvojës së rajonit për luftën kundër mosndëshkimit përmes gjyqeve ndërkombëtare dhe vendase të krimeve të luftës, kërkimin për të pagjeturit, rolin e shoqërisë civile, nevojën për angazhimin afatgjatë ndërkombëtarë dhe trajtimin e dhunës seksuale dhe të bazuar gjinore gjatë konfliktit.”

    Mijatoviq konsideron që gjatë viteve të fundit ka ngecje në mbylljen e proceseve, ndërkaq e konsideron shqetësuese që, në disa shtete, ka kthim të “diskursit entonacionalist, mohimit të krimeve të luftës dhe lartësim të kriminelëve të luftës nga liderët politikë dhe lojtarët e tjerë – me ndikim – të shoqërisë, siç janë mediet, liderët fetarë dhe figurat e tjera publike”. Sipas saj, kjo kontribuon në rritjen e ashpër të gjuhës së urrejtjes dhe të mosdurimit ndëretnik, si dhe të mjedisit armiqësor për mbrojtësit e të drejtave të njeriut që merren me të kaluarën.”

    Në pjesën e fundit të letërçështjes, komisioneria Mijatoviq nënvizon “përgjegjësinë e autoriteteve kombëtare të vendeve përkatëse për të ndërmarrë masa të frenimit të këtyre zhvillimeve negative dhe për të promovuar një qasje gjithëpërfshirëse dhe të bazuar në të drejtat e njeriut, për t’u përballur me të kaluarën, në mënyrë që të përparojë drejtësia dhe pajtimi mes njerëzve.”

    Duke kërkuar përpjeke të reja për “gjyqe të krimeve të luftës, dëmshpërblime, kërkimin e të pagjeturve dhe të së vërtetës për viktimat, pa pasur parasysh përkatësinë e tyre etnike”, Duna Mijatoviq radhit disa hapa konkrete “që do të zgjeronin respektin për të drejtat e viktimave, përballjen me padrejtësinë e së kaluarës dhe bashkëjetesën” në Maqedoninë e Veriut, si:

    – Shfuqizoni interpretimin autentik të vitit 2012 të Ligjit tëAmnistisë, të vitit 2002, dhe hetoni dosjet që u transferuan nga GjNKJ në gjykatat vendase.

    – Reformoni sistemin arsimor në drejtim të arsimit të integruar, në mënyrë që fëmijët e grupeve të ndryshme etnike të ndjekin mësime të përbashkëta, duke ruajtur të drejtën e tyre për të mësuar në gjuhën e tyre amtare. 

    – T’u mundësoni të rinjve të mësojnë rreth konfliktit të vitit 2001, në një mënyrë objektive, që lejon perspektiva të shumta, dënon të gjitha mizoritë dhe nxit tolerancën dhe pranimin e tjetrit. 

    – Dënoni me vendosmëri rastet e gjuhës së urrejtjes dhe të incidenteve të dhunshme ndëretnike dhe nxitni pajtimin dhe bashkëjetesën sociale ndërmjet grupeve të ndryshme etnike dhe fetare.

    – Ratifikoni Konventës Ndërkombëtare të OKB-së për Mbrojtjen e të gjithë Personave nga Zhdukja me Forcë.

    Sipas komisioneres Mijatoviq, “dënimi me vendosmëri, i mizorive të së kaluarës është thelbësor për të ndërtuar shoqëritë paqësore demokratike, të harmonizuara plotësisht me vlerat e të drejtave të njeriut, të mbështetura nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut.” /Nistori/

    *Fjala “letërçështje” është një përshtatje gjuhësore e përkthyesit të Nistorit për “Issue Paper”, që nuk gjendet në fjalorët e gjuhës shqipe.

    Lajmi Paraprak

    Oda Ekonomike ngrit alarmin, shteti rrezikon të mbetet pa mallin e importuar

    Lajmi i rradhës

    Gjermania me fabrikë të re municioni përballë kërcënimeve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë