MATEMATIKAT ZGJEDHORE / Çfarë po ndodh me Frontin Europian?

    A u shpërbë Fronti Evropian vetëm pak muaj para zgjedhjeve, kryesues të të cilit ishin LSDM dhe BDI? Kjo pyetje lindi kur dy partitë më të mëdha nga koalicioni qeveritar njoftuan se do të garojnë me kandidatët e tyre për president dhe me lista të veçanta në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në maj të këtij viti. Ndërsa lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, në një deklaratë para pak kohësh për media ishte i vendosur se “fronti evropian për të cilin ata qëndrojnë ekziston, dhe ai shihet në veprim”, ndërsa ministri i Sistemit Politik, Artan Grubi, në një intervistë për media thotë se partia ende po mendon nëse do të shkojë në lista të përbashkëta me LSDM-në apo do të paraqitet e vetme.

    BDI-ja po ashtu bëri të ditur se në zgjedhjet presidenciale do të marrë pjesë me kandidatin e saj dhe për atë pozitë po përmendet gjithnjë e më shpesh emri i Ali Ahmetit.

    KYÇE ANKETAT

    “Për momentin disponimi në BDI janë bisedime me partnerët e tjerë të koalicionit – partinë e Arianit Hoxhës, Menduh Thaçit, Skender Rexhepi-Zejd dhe aktorëve të tjerë ”, thotë Grubi.

    Ai thotë se është duke biseduar edhe me LSDM-në dhe ka paralajmëruar takim të ri me liderin e partisë Kovaçevski për të parë se çfarë rezultatesh tregojnë anketat e tyre për të përcaktuar mënyrën më të mirë për të dalë në zgjedhje. Në fund të vitit të kaluar, LSDM-ja nisi një iniciativë për formimin e një fronti të gjerë evropian të të gjithë aktorëve politikë dhe shoqërorë që mbështesin anëtarësimin në BE. U shpall si një front evropian për standardet evropiane dhe vlerat evropiane, për një jetë më të mirë dhe dinjitoze në shtëpi, me paga dhe pensione më të larta, më shumë para për qytetarët, standarde më të mira jetese, arsim më të mirë, shëndetësi, siguri sociale, sundim të ligjit dhe demokraci të përparuar.

    ÇFARË NDODHI ME FRONTIN EVROPIAN?

    “Kemi filluar një fushatë në terren, kemi pasur takime me njerëz në Tetovë dhe Gostivar, kemi shkuar nëpër fshatra dhe qytete për t’i bindur njerëzit se Fronti Evropian është ajo që i duhet vendit tonë. Me partnerin tonë të koalicionit LSDM kemi biseduar më shumë se një vit më parë, kur kemi hapur temën e listave të përbashkëta edhe me LSDM-në edhe me Aleancën për Shqiptarët dhe kemi biseduar edhe me Alternativën, e cila ka qenë pjesë e Qeverisë”, thotë Grubi. Por, sipas tij, në ato bisedime në fillim nuk kanë gjetur shumë gatishmëri nga ana e këtyre partnerëve të koalicionit. “Por me kalimin e kohës, ata u bindën dhe u bënë pjesë e narrativës së Frontit Evropian sepse po përballemi me një atmosferë që duket se është e ndarë me thikë në këto zgjedhje”, thekson Grubi.

    Përderisa LSDM-ja është e interesuar për lista të përbashkëta me BDI-në, partia e Ali Ahmetit ende është duke analizuar nëse ai opsion është i pranueshëm.

    “Po analizojmë nëse duam, a është mirë për shtetin, a është mirë për BDI-në, për LSDM-në dhe për Aleancën për Shqiptarët dhe partitë e tjera politike të kenë lista të përbashkëta dhe të performojmë dhe a do të kemi më shumë se 61 deputetë në Parlament”, thotë Grubi.

    Ndërkohë, në Aleancën për Shqiptarët ndodhi një përçarje, ku krahu i liderit Arben Taravari u anua nga opozita shqiptare dhe paralajmëroi dalje të përbashkët në zgjedhje me ta. Ndërkaq, Arben Taravari do të jetë kandidat i koalicionit VLEN për President. Kovaçevski tha në fillim të shkurtit se e ardhmja e vendit nuk mund të varet nga një person apo nga një parti politike.

    “Ne kemi një shumicë në parlament që mbron integrimin evropian të vendit. Në vendin tonë ka parti politike që janë pro integrimit evropian të vendit. Nuk mund ta kufizojmë integrimin evropian të shtetit në atë se a kaloi zoti Taravari nga pushteti në opozitë. Nuk e konsideroj që Taravari është kaq fatal për të ardhmen e shtetit. Mirëpo, bëhet fjalë për një politikan nga Gostivari i cili është mjek i suksesshëm, i cili bën llogaritë e veta politike”, tha Kovaçevski më 10 shkurt.

    LSDM E VARUR NGA SHQIPTARËT

    “Besoj se ende nuk është mbyllur çështja e koalicionit parazgjedhor mes LSDM-së dhe BDI-së”, thotë analisti politik Ivo Rangelloviq. Ai thotë që partia e Ahmetit qëllimisht taktizon tani, që të nxjerr sa më shumë nga një koalicion i mundshëm qeveritar në ndarjen e resoreve.

    “Sinjalet që vijnë sidomos nga BDI janë një strategji për të nxjerrë sa më shumë nga një koalicion dhe pushtet potencial me LSDM-në, e cila nga ana tjetër, pa koalicion me bllokun shqiptar, nuk ka çfarë të kërkojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. BDI mund të mbetet faktor i rëndësishëm edhe kur vepron në mënyrë të pavarur në zgjedhje, por e njëjta gjë nuk vlen për LSDM-në. Prej aty mendoj se në ditët në vijim, me një lloj presioni nga bashkësia ndërkombëtare, mund të presim mbijetesën e atij fronti evropian në prag të zgjedhjeve”, thotë për KOHA, Ivo Rangelloviq, analist.

    Nga ana tjetër, politologu Marjan Vuçkoviq thotë se politikëbërja është çdoherë aktuale para zgjedhjeve te ne, dhe sipas tij sërish dërgohen balona prove në erë për të prekur pulsin te populli.

    “Për fat të keq, shumica e qytetarëve nuk u intereson më se kush do të jetë president apo kush me kë do të koalicion. Apatia është gjithnjë e më prezente, ndërsa te na ka fronte ekonomiko-financiare por jo edhe evropian. Kemi humbur sens për vlera evropiane apropo asaj nuk mund të ketë fronte evropiane. Dhe në fund vlerësojë se mbështetja e BDI-së do të mbetet ndaj LSDM-së, vetëm se me një çmim më të madh për të mos u paraqitur me kandidatin e saj”, ka deklaruar për KOHA, Marjan Vuçkoviq, politolog.

    MATEMATIKAT ZGJEDHORE

    Po të ishte investuar më shumë përpjekje në Frontin Evropian që në fillim, Grubi beson se ata do të kishin më shumë se 61 deputetë. “Në sondazhin e fundit që na është prezantuar, Fronti Evropian i përbërë nga LSDM, BDI ka qenë 4 për qind para VMRO-DPMNE-së në sondazhe, por kjo nuk përkthehet në 61+ mandate në Parlament. Kështu që tani po fillojmë një cikël të ri të anketave”, thotë ai.

    Zyrtari i BDI-së beson se me Frontin Evropian mes BDI-së dhe Aleancës dhe partive të tjera politike do të ishin koncentruar më shumë se 2/3 e votave. Por tani, siç tregojnë sondazhet e fundit, ai thotë se BDI do të marrë më shumë se gjysmën e deputetëve në Parlament që janë nga partitë politike shqiptare.

    “Ne po licitojmë me numrin 15, 16, 17 deputetë, ndërsa partitë e tjera politike do t’i ndajnë të tjerët. Supozoj se me këtë ndarje votash në Parlament do të ishin 23 dhe 24 deputetë shqiptarë”, thotë Grubi, i cili nuk do të donte të ishte pjesë e listave të kandidatëve.

    ÇFARË PAS ZGJEDHJEVE

    Llogaritjet e Grubit janë se në zgjedhje do të dilnin rreth 200 mijë votues nga blloku shqiptar, nga të cilët mbi 100 mijë do të votonin për BDI-në. Ai nuk e përjashton mundësinë e formimit të qeverisë së koalicionit me VMRO-DPMNE-në. Megjithatë, kusht është që ndryshimet kushtetuese të miratohen paraprakisht.

    “Nëse VMRO-DPMNE i miraton ndryshimet kushtetuese para formimit të qeverisë, pse jo. Nëse ka reformuar mjaftueshëm, nëse është me orientim evropian, nëse dëshmon se është gati të sakrifikojë reitingun e saj  për të mirën e vendit, siç bëri LSDM në të kaluarën, atëherë – po, e meriton një shans. Por nëse qëndron në qëndrimin se as para, as pas dhe as në zgjedhjet e ardhshme nuk do të ketë ndryshime kushtetuese, atëherë çfarë do të kërkonte BDI në një qeveri të tillë apo në një qeveri me partner që sheh zgjidhje alternative për BE-në. Në BDI nuk ka alternativë. BE, NATO dhe miqësia strategjike me SHBA-në nuk ka alternativë”, thotë Grubi.

    Ai është i decid se partia nuk mund ta gjejë veten në partneritet me Të Majtën, Janko Baçev, me forcat pro-ruse apo një agjendë proruse në shtet.

    LSDM ME LISTA TË KANDIDATËVE NË TË GJITHA NJËSITET ZGJEDHORE

    LSDM-ja do të ketë lista të kandidatëve në të gjitha njësitet zgjedhore, tha dje kryetari i partisë dhe ish-kryeministër, Dimitar Kovaçevski. Sipas tij, vijojnë bisedimet me partnerët e koalicionit, por do të ketë bisedime edhe me partitë politike të cilët tradicionalisht nuk janë pjesë e koalicionit.

    “Ato janë parti me të cilat nuk kemi bisedime, megjithatë mund ketë bisedime në bazë të analizave që për momentin bëhen në bazë të hulumtimeve empirike dhe në bazë të disponimit të anëtarësisë që të jetë në koalicion me një parti të caktuar. Bëhet fjalë për parti, që janë në koalicion qeveritar me LSDM-në, por të cilat nuk kanë qenë në listën e përbashkët të zgjedhjeve të fundit në vitin 2020”, sqaroi Kovaçevski, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas fillimit të punëve ndërtimore në Sallën universale.

    Për momentin, përmendi, po punohet në caktimin e kandidatëve edhe të listave me partnerët e koalicionit, me të cilët LSDM-ja tradicionalisht shkon në zgjedhje. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Taravari kërkon që një nga tre postet shtetërore, me Kushtetutë t’i takojë shqiptarëve

    Lajmi i rradhës

    ​Shumë lëndë të vjetra të pazgjidhura në Dibër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë