Mbështetje e madhe për NATO-n

    Dy të tretat e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut duan që vendi i tyre të mbetet anëtar i NATO-s. Këto janë pjesë e të dhënave në Raportin vjetor të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg për vitin 2023, të cilin ai e prezantoi dje, në vitin kur Aleanca do të shënojë 75 vjet nga themelimi i saj.

    Në një anketë në fund të vitit të kaluar në pyetjen se “Nëse do të mund të votonit pro apo kundër anëtarësimit të vendit tuaj në NATO, si do të votonit?”, 63 për qind e të anketuarve në Maqedoninë e Veriut janë përgjigjur “Unë do të votoja për vendin tim që të mbetet anëtare e NATO-s”. 24% do të votonin për daljen e vendit nga NATO dhe pjesa tjetër deklaroi se “nuk e di”.

    Ndërkohë 64 për qind e qytetarëve u pajtuan me deklaratën: “Anëtarësimi ynë në NATO e bën më pak të ngjarë që një komb i huaj të sulmojë vendin”. Nga të anketuarit 64 për qind prej tyre u pajtuan me këtë deklaratë, 22% nuk ​​u pajtuan, dhe pjesa tjetër janë në kategorinë as dakord as nuk pajtohem/nuk e di. Ashtu si në vitin 2022, globalisht 82 për qind e qytetarëve besojnë se bashkëpunimi midis Amerikës së Veriut dhe Evropës për çështjet e sigurisë është i rëndësishëm. Maqedonia e Veriut është ndër vendet ku qytetarët me përqindjen më të lartë (midis 81 dhe 100%) deklaruan se ky bashkëpunim është “i rëndësishëm”.

    Edhe pse RMV u bë anëtare e Aleancës në vitin 2020, ajo sot po përmbush objektivat e vendosura nga Aleanca në samitin e Uellsit në 2014. Anëtarët e NATO-s ranë dakord më pas të arrinin 20 për qind të buxhetit të tyre të mbrojtjes gjatë dekadës së ardhshme për pajisje të reja dhe modernizimin e forcave të tyre të mbrojtjes, një kërkesë e përmbushur nga vetëm shtatë aleatë në atë kohë dhe vitin e kaluar nga 28 për qind. Objektivi tjetër ishin vendet anëtare në të njëjtën periudhë të përpiqen të lënë mënjanë të paktën 2 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm (BPB) për mbrojtje. Në vitin 2014, vetëm tre aleatë e kishin arritur këtë qëllim, deri në vitin 2022 numri u arrit në shtatë, dhe në vitin 2023 ky numër shkoi në 11 shtete. “Këtë vit, dy të tretat e aleatëve do të arrijnë objektivin 2%”, tha Stoltenberg, duke theksuar se do të investojnë gjithsej 470 miliardë dollarë në mbrojtje këtë vit. Vlerësohet se shpenzimet totale ushtarake të NATO-s në vitin 2023 ishin rreth 1.1 trilion dollarë amerikanë.

    Maqedonia e Veriut është një nga 18 vendet anëtare që këtë vit përmbush kriterin e NATO-s për ndarjen e 2% të BPB-së për mbrojtjen. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nga viti 2024, për buxhetin e mbrojtjes së vendit do të ndahen 2,05 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm të Maqedonisë ose 327 milionë euro. Për krahasim, buxheti i mbrojtjes së Maqedonisë për vitin 2023 ishte 274.6 milionë euro (1.85% e BPB-së), që ishte 24.45 për qind më i lartë se buxheti i mbrojtjes në vitin 2022, kur ishte 1.57% e BPB-së. Dhe këtë vit, ashtu si vitin e kaluar, gati një e treta e buxhetit të mbrojtjes është dedikuar për modernizimin dhe pajisjen e Ushtrisë, e cila plotëson kriterin për forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes kombëtare dhe kolektive të NATO-s.

    Në Maqedoninë e Veriut, rritja e kostove për pajisje dhe modernizim është veçanërisht e dukshme, si pjesë e kostove totale të mbrojtjes. Nëse në vitin 2014 alokimet për pajisje të reja ishin ndërmjet 6 dhe 7 për qind, sipas Raportit, në vitin 2023 ato do të arrijnë në 34.2 për qind. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Këpucëtaria në Kumanovë në zhdukje!

    Lajmi i rradhës

    NDËRTIMTARIA REZISTENTE NDAJ KRIZËS / Kreditimi nuk ndalet  

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë