Këpucëtaria në Kumanovë në zhdukje!

    Industria e këpucëve ka qenë një pjesë e rëndësishme e ekonomisë së qytetit të Kumanovës në të kaluarën. Qyteti ka pasur disa fabrika të këpucëve të mëdha që kanë prodhuar për tregun vendor dhe për eksport. Kjo industri e ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të qytetit dhe në punësimin e banorëve të tij. Megjithatë, për shkak të ndryshimeve në tregun global dhe në strukturën e ekonomisë së vendit, mbi 20 fabrika të vogla për prodhimin e këpucëve janë mbyllur në dy vitet e fundit.

    Vetëm vitin e kaluar, u vendosën dhjetë dry në derë. Nga tridhjetë kompanitë e mëparshme që punësonin mbi 1.000 punëtorë, për momentin funksionojnë vetëm 8 fabrika me rreth 300 punëtorë.

    Një pronar fabrike, i cili së fundi e mbylli kompaninë pas 25 vitesh punë, tha se arsyeja kryesore e situatës së vështirë në industrinë e këpucëve është mungesa e mbështetjes nga shteti, si dhe humbja e tregjeve të mëdha për shkak të luftës në Ukrainë dhe kriza ekonomike botërore.

    “Kam punuar në një kompani italiane që u tërhoq nga Maqedonia. Dhe ndërsa punonim na paguanin me çmime shumë të ulëta, si para krizës së koronës, dhe ndërkohë kostot e punës sonë rriteshin. Ishte e pamundur të durohej, ishim përballë mungesës së kuadrove cilësore dhe shteti vetëm na jepte detyrime në vend që të na ndihmonte për të mbrojtur prodhimin. Në fund mora kredi për t’i paguar punëtorët dhe për të mbajtur prodhimin, por kur pashë që nuk kishte më asnjë qëndrueshmëri ekonomike dhe asnjë perspektivë për të ndryshuar diçka, hoqa dorë dhe e mbylla”, deklaroi Biliam Bojkovski nga kompania Mi-Mas.

    Nga ana tjetër, shoqata e këpucëtarëve “Kumanova” vite me radhë vazhdimisht kërkojnë nga shteti uljen e kontributeve në mënyrë që fabrikat e vogla në industrinë e lëkurës të mund të paguajnë pagë minimale.

    “Për herë të parë në historinë e këpucarisë, brenda pak ditësh mblodhëm 50 kompani nga i gjithë vendi, për të luftuar në mënyrë të organizuar për mbijetesën e kompanive tona. Synimi ynë është t’i bëjmë fjalë Ministrisë dhe Qeverisë së re që të gjitha ligjet që bëhen me nxitim dhe votohen brenda natës krijojnë probleme të mëdha. Ne nuk jemi kundër që punëtorët të kenë paga më të larta, por kërkojmë që të lirohen nga ndonjë detyrë. Nuk kemi asnjë mënyrë për të marrë paratë që duhet të paguajmë. Nëse i rrisim çmimet për furnitorët e huaj, nuk do të jemi konkurrues dhe ata do ta anulojnë bashkëpunimin tonë”, tha kohë më parë kryetarja Lidija Milanovska në emër të pronarëve të fabrikave të vogla.

    Ndërkohë, paga minimale tani më është rritur në 21.000 denarë, ndërsa janë rritur edhe çmimet e lëndëve të para dhe energjisë. Meqenëse shteti nuk ndërmori asnjë veprim, parashikimet e këpucarëve u realizuan dhe vetëm vitin e kaluar kompanitë e huaja, kryesisht italiane dhe serbe, u zhvendosën në Shqipëri për shkak të fuqisë së lirë të punës dhe taksave më të ulëta ndaj shtetit, ndërsa kompanitë serbe u larguan për në Kinë ose u kthyen në vendin e tyre për të shmangur procedurat dhe detyrimet e gjata doganore me vendin tonë.

    Ndryshe, kompanitë që operojnë me prodhimin e tyre janë në gjendje më të mirë, por problemi më i madh i tyre është se nuk ka staf të kualifikuar, sepse të rinjtë shpërngulen nga qyteti dhe vendi, ose shkojnë të punojnë në fabrikat në zonat industriale në Kumanovë dhe Shkup. Situata është e njëjtë me fabrikat e vogla në qytetet tjera, mbi të gjitha në Shtip. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Çka i bën investitorët e huaj të tërhiqen nga RMV-ja?

    Lajmi i rradhës

    Mbështetje e madhe për NATO-n

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë