Nga Vallandova në Krushevë, “Qyteti i kulturës”, nuk është shqiptar

    Qyteti i Kulturës për këtë vit është Komuna e Krushevës. Ky është vendimi që mori komisioni i Ministrisë së Kulturës në konkursin e shpallur në muajin dhjetor vitit të kaluar, i arsyetuar me “programin e pasur dhe koncept të qëndrueshëm, me përmbajtje nga zhanre të ndryshme, nga krijimtaria tradicionale dhe bashkëkohore, me pjesëmarrjen e artistëve vendas dhe të huaj”.

    Në konkursin e këtij viti numri i aplikimeve ka qenë i vogël, gjithsej tre, komuna e Strugës dhe Mavrovë – Rostushë.

    Struga merr pjesë për herë të parë dhe është komuna e vetme shqiptare në këtë konkurrim. Pjesëmarrja e komunave shqiptare në konkurrim në vite ka qenë i vogël, ndërsa asnjëherë, që nga viti 2004 kur ka nisur të zhvillohet stafeta nuk ka përfunduar në asnjë komunë shqiptare. Me përjashtim të Kërçovës që u shpall fituese në vitin 2020, por asnjë aktivitet nuk u realizua për shkak të kufizimeve të pandemisë. Tetova ka konkurruar dy herë, por programi i prezantuar prej tyre nuk ka marrë miratimin e ministrisë, duke sjellë që komuna të heqë dorë nga aplikimi vitet e tjera. Ndërsa komuna të tjera urbane, si Dibra, Gostivari…, nuk kanë treguar ndonjë interesim.

    Një pjesë e komunave kanë arsyetuar mospjesëmarrje me vonesat në hartimin e programit të detajuar, fondin e vogël që akordohet nga Ministria e Kulturës, apo edhe në refuzimet që i janë bërë kur kanë konkurruar. Nga ana tjetër ka nga ato komuna maqedonase të cilat shpallen edhe për herë të dytë, apo të tretë “Qytet Kulture”. Të rregullt në konkurrim janë Radovishi, Manastiri, Prilepi, Kumanova, Shtipi, Velesi, Kavadari, Gjevgjelia, Koçani, Kriva Pallanka, Krusheva. Ndërsa qyteti që e mbajti deri tani këtë titull ishte Vallandova..

    “Pas vlerësimit të aplikimeve dhe në përputhje me prioritetet dhe kriteret e përcaktuara në konkurs, komisioni i ekspertëve vlerësoi se Komuna e Krushevës ofroi një program të pasur, me 62 projekte nga të gjitha aktivitetet, të cilat nënkuptojnë disponueshmërinë e kulturës për të gjithë dhe pjesëmarrjen e shumë artistëve dhe autorëve të rinj vendas. Komuna do të vërë në funksion kapacitetet infrastrukturore dhe njerëzore dhe do të mundësojë realizimin e përmbajtjeve të pasura kulturore gjatë gjithë vitit, si dhe lidhjen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në kuadër të kulturës”, thonë në Ministrinë e Kulturës.

    “Qyteti i kulturës”, është manifestim i ideuar që të sigurojë kushtet për një zhvillim të barabartë kulturor, akces dhe shfrytëzim masiv të vlerave kulturore për të gjithë qytetarët, për të nxitur jetën kulturore në nivel lokal. Po ashtu synohet demetropolizimi i kulturës dhe zhvillimin e jetës kulturore në periferi, në qyteza dhe komuna ku manifestimet kulturore janë më të rralla. Kjo është arsyeja që në konkursin “Qytet i Kulturës” nuk marrin pjesë komunat rurale dhe Qyteti i Shkupit, si edhe komunat që bëjnë pjesë në të. Ministria e Kulturës i shpall fituesit në bazë të Programit që dorëzohet nga çdo qytet, i cili po ashtu përveç plotësimit të kritereve dhe kushteve duhet të jetë i precizuar për të gjitha ngjarjet kulturore nga sferat e artit skenik, dramatik, figurativ, muzikës e të tjera që do të zhvillohen gjatë vitit, kostot e tyre, vendndodhjen, e të tjera. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Subvencionet paguajnë borxhet e ekonomive bujqësore në RMV

    Lajmi i rradhës

    Procedurat burokratike e bëjnë të pamundur realizimin e autostradës Tetovë – Prizren

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë