Mbi 100 milionë euro për shëndetësinë private

    Qytetarët në Maqedoninë e Veriut në vitin e kaluar kanë harxhuar afër 84 milionë euro për mjekim në spitalet më të mëdha private në vend. Të dhënat e Rrjetit të Biznesit tregojnë se në institucionet më të mëdha shëndetësore private – “Axhibadem Sistina”, “Remedika”, “Neuromedika” dhe “Klinika Zhan Mitrev”, qytetarët vitin e kaluar kanë lënë 83.5 milionë euro drejtpërdrejt, ose përmes kontributit shëndetësor në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore për trajtimet e mbuluara. Kjo shumë është bile për 3.5 milionë euro më shumë se në vitin 2022, tregon analiza e të dhënave financiare e bërë nga portali “Pari” në bashkëpunim me platformën Rrjeti i Biznesit.

    Të dhënat tregojnë se spitali më i madh privat në vend “Sistina” kryeson me të ardhurat prej 57.6 milionë euro, ose 68.9 për qind e të ardhurave totale në katër spitalet private.

    Klinika “Zhan Mitrev” është e dyta për nga të ardhurat e realizuara. Në vitin 2023, të ardhurat e klinikës ishin 16,9 milionë euro. Me të ardhura gati tetë milionë euro, “Remedika” doli në vendin e tretë, ndërsa në vendin e katërt renditet “Neuromedika” që ka realizuar më së paku të ardhura totale nga këto katër – një milionë euro.

    Sa i takon fitimit, pas anulimit të harxhimeve të ndryshme si për paga, materiale, rrymë e kështu me radhë në vitin e kaluar “Acibadem Sistina” ka “Remedika” ka realizuar fitim prej 849 mijë eurosh, dhe “Neuromedika” ka fitimin më të vogël prej 133 mijë euro. Vitin e kaluar “Zhan Mitrev” kishte një humbje prej 1.1 milion eurosh.

    Qytetarët me vite po kërkojnë shërbimet e spitaleve private, duke kërkuar shërbime të shpejta shëndetësore, shpesh për raste urgjente ku nuk mund të presin për ndonjë shërbim në spitalet publike. Shërbimet e spitaleve private kanë një gamë të gjerë shërbimesh si operacione të ndryshme, ekzaminime, incizime me aparate të ndryshme e kështu me radhë. Ndër shërbimet më të shpeshta që shfrytëzohen nga qytetarët janë edhe ato të kardiologjisë, gjinekologjisë, pediatrisë, okulistikës…

    Por vizitat e qytetarëve për të kërkuar shërbime në shëndetësinë private nuk ndalen këtu. Jo vetëm në Shkup por në një pjesë të madhe të qyteteve më të mëdha, por edhe më të vogla punojnë më shumë spitale, laboratorë dhe ambulanca private ku qytetarët për çdo ditë shkojnë për të zgjidhur hallet e tyre nga më të ndryshmet. Ato shfrytëzojnë shërbimet e ndryshme nga spitalet si ato gjinekologjike apo kirurgjikale që ofrojnë gamë të gjerë shërbimesh, spitalet e syve dhe deri tek incizimet dhe kontrollet e ndryshme në privat, andaj edhe vlerësohet se mbi 100 milionë euro paguhet në institucionet e ndryshme shëndetësore private në vend.

    Me një pagë mesatare neto prej 39.276 denarë, që është mesatarja e vendit për muajin shkurt, kur janë në dispozicion të dhënat e fundit nga Enti Shtetëror i Statistikave, kontributi në sigurim shëndetësor është 4423 denarë. Por pavarësisht atij kontributi mujor që paguhet, shumë shpesh qytetarët përfundojnë në klinika private. Për një pjesë të shërbimeve tek privati paguan shteti konform marrëveshjes me Fondin, mirëpo pjesa dërmuese e shërbimeve paguhen nga xhepi i qytetarëve. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    A e dini pse dritat në aeroplan zbehen?

    Lajmi i rradhës

    Fitojnë tenderët, ndërkaq punët “shkel e shko”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë