MBI 200 LËNDIME NË VIT | Kur jeta e punëtorit vlen vetëm 5000 euro

    Aksidentet në vendin e punës mbeten një problem serioz në Maqedoninë e Veriut. Çdo vit mbi 200 punëtorë lëndohen, ndërsa më shumë se dhjetë raste përfundojnë me fatalitet. Në periudhën nga viti 2021 deri në fund të vitit 2025, numri i aksidenteve të regjistruara ka tejkaluar 1000, çka thekson nevojën urgjente për standarde më të mira sigurie dhe kontrolle më efikase. Vetëm gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kanë ndodhur 242 aksidente, prej të cilave 12 kanë përfunduar me fatalitet (vdekje), duke treguar se problemi po përkeqësohet nga viti në vit.

    Lidhja e Sidnikatave të Maqedonisë (LSDM) ka raportuar se sektorët më të rrezikuar janë ndërtimtaria dhe bujqësia, ku punëtorët janë më shpesh të ekspozuar ndaj rrezikut serioz. Sipas LSM-së, numri i punëtorëve të lënduar në ndërtimtari rritet çdo vit dhe mesatarisht mbi 20 aksidente përfundojnë me vdekje në baza vjetore. Shkaqet kryesore të aksidenteve janë të shumta – pajisje personale mbrojtëse të papërshtatshme ose që mungojnë, mekanizëm i pasigurt, mungesë e kuadrit të kualifikuar ose trajnim i pamjaftueshëm, si dhe presioni ndaj punëtorëve që të mos e refuzojnë punën edhe kur siguria e tyre është e rrezikuar.
    “Sindikata e Ndërtimtarisë, Industrisë dhe Projektimit pranë LSM-së shënon nga viti në vit numër gjithnjë e më të madh të punëtorëve të lënduar të raportuar. Vitet e fundit, kronologjikisht, edhe rastet me përfundim fatal janë mesatarisht mbi 20 në vit. Pjesa më e madhe e tyre janë në sektorët e ndërtimtarisë dhe bujqësisë. Miratimi i një Ligji të ri për sigurinë dhe shëndetin në punë është lënë në pritje. Deri kur?”, ankohen nga LSM.

    DËMSHPËRBLIM PREJ VETËM 5000 EURO

    Përveç ndërtimtarisë, një numër i konsiderueshëm lëndimesh regjistrohen edhe në bujqësi, industrinë metalike, pylltari, komunikacion dhe transport. Sipas LSM-së, një hendikep i madh është fakti se në letër pothuajse nuk ka persona me sëmundje profesionale, edhe pse në praktikë numri i tyre po rritet. Në rast të vdekjes në vendin e punës, familja e punëtorit të ndjerë merr dëmshpërblim prej vetëm 5000 eurosh – një shumë që, sipas sindikatave, është poshtëruese dhe e pamjaftueshme.

    “Po ashtu, krahas ndërtimtarisë, me numër të madh lëndimesh në punë përballen edhe të punësuarit në bujqësi, industrinë metalike, pylltari, komunikacion dhe transport. Një hendikep i madh është se gjithnjë e më pak kemi në letër persona me sëmundje profesionale, ndërsa në praktikë gjithnjë e më shumë. Varësisht nga lëndimi, mjetet që u paguhen punëtorëve nga sigurimet janë nënçmuese, ndërsa për kujtesë, dëmshpërblimi për rast vdekjeje është 5000 euro. A ja vlen kaq që, një punëtor nëse humb jetën në vendin e punës. Kushtet e këqija të punës, mungesa e stazhit të favorizuar, pagat e ulëta dhe trajtimi i pabarabartë para gjykatave kanë bërë që Maqedonia të mbetet pa kuadër të kualifikuar”, thonë në LSDM.

    IKJE MASIVE E PUNËTORËVE

    Në ndërkohë, kushtet e këqija të punës, pagat e ulëta dhe trajtimi i pabarabartë i punëtorëve kanë çuar në një ikje masive të kuadrove të kualifikuara nga Maqedonia. LSM thotë se importi i punëtorëve të huaj nuk mund t’i zëvendësojë mjeshtrit dhe inxhinierët vendas, të cilët shpesh largohen pas disa pagave. Deficiti aktual prej mijëra punëtorësh të kualifikuar krijon rreziqe të mëdha në realizimin e projekteve infrastrukturore, veçanërisht në ndërtimtari dhe në industrinë e materialeve ndërtimore.

    “Punëtorët e importuar kurrë nuk do ta zëvendësojnë humbjen e punëtorëve dhe inxhinierëve tanë vendas. Madje, edhe ata u larguan pas disa pagave nga punëdhënësit tanë. Nën një pikëpyetje të madhe janë realizimet e projekteve të ardhshme infrastrukturore, duke pasur parasysh se mungojnë disa mijëra mjeshtër vetëm në sektorin e ndërtimtarisë dhe industrinë e materialeve ndërtimore. Sot, në ndërtimtarinë e ulët, paga mesatare sipas Entit Shtetëror të Statistikave është 39.238 denarë, ndërsa paga mesatare e përgjithshme ka tejkaluar 45.000 denarë”, shtojnë në LSM.

    Ekspertët ndërkohë thonë se paga dinjitoze dhe kushte të sigurta pune janë parakusht për punëtorë produktivë dhe të mbrojtur.

    “Derisa pjesa e sigurisë dhe shëndetit në punë të shihet si shpenzim për punëdhënësit dhe jo si investim, nuk mund të presim përparim apo punëtorë më të mbrojtur. Pagat dinjitoze dhe kushtet e sigurta të punës janë parakusht për punëtorë produktivë”, thotë eksperti i ekonomisë, njëherësh profesor universitar, Neritan Turkeshi. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Punësimi sezonal ngec që në start

    Lajmi i rradhës

    Mickoski për “Qyteti i Sigurt”: gati të marrë rrezik politik, edhe nëse bie Qeveria

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë