Mbi 250 milionë euro dëm financiar nga kriza energjetike

    Mbi 250 milionë euro janë aktualisht dëmet e shkaktuara nga kriza energjetike në vend. Drejtori i MEPSO-s, Kushtrim Ramadani, tha për Alsat se ka alarmuar që në gusht të këtij viti, me kërkesë për rritjen e prodhimit vendor të energjisë elektrike, por askush nuk e ka marrë seriozisht.

    Këto para do të kthehen nga qytetarët, me rrymë më të shtrenjtë apo me ndihmë financiare të shtetit për të mbuluar boshllëqet në kompanitë e energjetikës.

    “Kjo mund të bëhet vetëm në dy mënyra, qoftë nëpërmjet çmimit ose nëpërmjet çdo ndihme që shteti do të jepte për të kapërcyer këtë krizë. Nuk ka rrugë të tretë”, deklaroi Kushtrim Ramadani Drejtor i MEPSO-s.

    Para dy muajve, Ramadani në emisionin “Magazina Ekonomike” në Alsat paralajmëroi se minusi në sektorin energjetik është 150 milionë euro, por kryetari i Komisionit Rregullator të Energjëtikës Marko Bislimovski e mohoi këtë informacion, duke vlerësuar se dëmi nuk do ta tejkalojë këtë shumë. Para dy ditësh Bislimovski doli me qëndrim të ri jo vetëm që konfirmoi se dëmi do të jetë milonësh, por dha vlerësimin se ajo do të tejkalojë 230 milionë euro. Nga Ministria e Financave nuk morëm përgjigje konkrete për atë se si do të mbulohet apo financohet dëmi prej disa milionëve në energjetikë.

    Ministri i Financave Fatmir Besimi në takimin e fundit me biznesmenët theksoi se deri tani EMV-ja ka marrë nga shteti diku mbi 90 milionë euro për tejkalimin e krizës, fondet e mbetura janë paraparë për rritjen e prodhimtarisë vendore të rrymës si dhe për disa masa tjera sociale. Kompanitë energjetike tashmë i kanë dorëzuar përllogaritë e tyre për shpenzimet e bëra gjatë punës së tyre dhe tani pritet vendimi i KRE-së për atë se çka do pranojë nga këto shpenzime dhe sa të njëjtat do ndikojnë në rritjen e çmimit të energjisë elektrike për amvisëritë.

    Lajmi Paraprak

    Gratë e vaksinuara nuk lindin fëmijë me sy të zi, mjekja Sapundzija rekomandon vaksinimin

    Lajmi i rradhës

    Lëvizja Besa: Pendarovski të marrë seriozisht rastet e ndjeshme dhe të mos e nënshkruajë faljen e Boban Iliqit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë