Mbi 6 milionë euro nga veturat bullgare

    Nga 20 milionë euro të planifikuara nga legalizimi i veturave me targa të huaja, deri tani janë arkëtuar mbi 6 milionë euro në arkën e shtetit nga më shumë se 3200 vetura, bëjnë të ditur burime qeveritare. Në fillim të muajit nëntor, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, Qeveria miratoi Projektligjin për regjistrimin e automjeteve me targa të huaja në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me të cilin pronarët e veturave me targa të huaja që posedojnë nënshtetësi të dyfishtë do të mund të legalizojnë veturat e tyre. Ligji pas miratimit në Parlament dhe daljes edhe në Gazetën Zyrtare hyri në fuqi prej fillimit të dhjetorit, mirëpo realizimi në praktikë i tij filloi në fillim të muajit shkurt pas miratimit të më shumë akteve nënligjore, dhe do të vlejë deri një vit. Kompensimet për regjistrimin e serishëm të veturës apo për regjistrimin e tyre vlejnë me kompensime për 50 për qind më të ulëta nga vlera e kompensimeve që paguhen gjatë importit të veturave nga jashtë shtetit.


    Pronarët e këtyre veturave duhet të japin deklaratë se vetura e tyre ka hyrë për herë të fundi në shtet para një tetorit që të mund të paguajnë kompensimet përkatëse për regjistrimin e veturës me targa vendore. Dihet botërisht se pronarët e veturave me targa të huaja mund të qëndrojnë legalisht për tre muaj në shtet, dhe pastaj duhet të kalojnë kufirin apo të dalin dhe të hyjnë sërish në Maqedoni, ndërsa regjistrimin e veturës e paguajnë në shtetet e jashtme.
    Në ndërkohë, sipas dispozitave ligjore, së bashku me kërkesën për legalizim duhet të dorëzohen edhe dëshmi për origjinën e veturës, për pronësinë, për obligimet e shlyera tatimore dhe doganore, si dhe dëshmitë për rregullshmërinë teknike dhe të gazrave. Një dispozitë e tillë ligjore vlen për veturat me standard së paku Euro 4. Vlerësohet se pjesa më e madhe e veturave që do të duhet të regjistrohen janë me targa të Bullgarisë, Kosovës etj, edhe pse nuk ka shifra të sakta për numrin tyre për shkak se Ministria e Brendshme mban evidencë vetëm për veturat me targat e Maqedonisë.


    Me ligjin e miratuar janë sjellë edhe rregullore përkatëse, ndërsa Ministria e Ekonomisë ka miratuar edhe rregulloren për miratimin individual të automjeteve. Njëherësh edhe Byroja për Metrologji dhe institucionet e tjera si Dogana janë përgjegjëse për realizimin e regjistrimit të veturave në bazë të zgjidhjes së re ligjore. Ndryshe, pjesa më e madhe e veturave me targa të huaja janë me targa bullgare. Në vendbanimet e Maqedonisë së Veriut që gravitojnë ndaj Bullgarisë lëvizin një numër i konsiderueshëm i këtyre veturave në trafik. Një pjesë e tyre janë importuar para më shumë viteve, por për shkak të kompensimeve të larta nuk janë regjistruar në Maqedoni, por në Bullgari. Për shkak të afërsisë së Bullgarisë fqinje si dhe çmimeve më të lira për blerjen e veturave të vjetra në këtë shtet, vlerësohet se në rajonin e Strumicës mbi 20 për qind e veturave janë me targa bullgare. Ato i ngasin qytetarët që përskaj nënshtetësisë së Maqedonisë, posedojnë edhe nënshtetësi bullgare dhe veturat i regjistrojnë në Bullgari./Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Balovski: Personat që mendojnë se kanë alergji është më mirë të izolohen

    Lajmi i rradhës

    Në Maqedoninë e Veriut hyn në fuqi Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë