Mbretëria e Bashkuar, ShBA dhe BE bien dakord për të shkëputur bankat ruse nga SWIFT

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka njoftuar se BE-ja, Britania e Madhe dhe SHBA-ja janë zotuar të ndërpresin disa banka ruse nga sistemi ndërkombëtar financiar SWIFT.

    Në një konferencë shtypi, ajo tha se ushtria ruse po kryen “veprime barbare” në Ukrainë vetëm disa dhjetëra kilometra larg kufirit lindor të BE-së.

    Ajo ka theksuar se aleatët perëndimorë janë të përkushtuar të imponojnë “kosto masive” ndaj Rusisë dhe “të shtrëngojnë ndjeshëm” sanksionet e tyre.

    “Ata po punojnë për të dëmtuar aftësinë e Putinit për të financuar makinën e tij të luftës”, tha ajo.

    Von der Leyen tha se tani do t’u propozojë liderëve të BE-së që një “numër i caktuar” bankash ruse të hiqen nga SWIFT – diçka që do t’i ndalojë ata të kryejnë shumicën e transaksioneve të tyre financiare në mbarë botën dhe në mënyrë efektive do të bllokojë importet dhe eksportet ruse.

    Ajo shtoi se aleatët do të “punojnë gjithashtu për të ndaluar oligarkët rusë të përdorin asetet e tyre financiare në tregjet tona”.

    Ndërkohë siç shkruan BBC, BE-ja, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara sapo kanë lëshuar një deklaratë të koordinuar që dënon pushtimin rus.

    “Ndërsa forcat ruse kryejnë sulmet ndaj Kievit dhe qyteteve të tjera të Ukrainës, ne jemi të vendosur të vazhdojmë t’i imponojmë Rusisë kosto që do ta izolojnë më tej Rusinë nga sistemi financiar ndërkombëtar dhe nga ekonomitë tona”, thonë ata.

    Masat që do të zbatohen në ditët në vijim përfshijnë heqjen e “bankave të zgjedhura ruse nga sistemi i mesazheve SWIFT”.

    “Kjo do të sigurojë që këto banka të shkëputen nga sistemi financiar ndërkombëtar dhe të dëmtojë aftësinë e tyre për të operuar globalisht”.

    Swift është arteria financiare globale që lejon transferimin e qetë dhe të shpejtë të parave përtej kufijve./Telegrafi/

    Lajmi Paraprak

    Pochettino refuzon Manchester United

    Lajmi i rradhës

    Hepatiti D, informacionet e rëndësishme që duhet t’i dini

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë