MBROJTA NGA ZJARRI | Nuk respektohen kriteret, lëndët ndezëse kërkojnë trajtim të veçantë

    Kamionetë e Njësitit zjarrfikës në Tetovë/Fotografia: Nistori

    Numër i madh i bizneseve në vend të cilat prodhojnë lëndë lehtë të ndezshme dhe djegëse dhe të cilat kanë pësuar nga zjarri, nuk i kanë respektuar në tërësi kushtet për mbrojtje nga zjarri si dhe Ligjin për Mbrojtje dhe shpëtim. Një gjë e këtillë ka ndodhur edhe në dy fabrikat të cilat u dogjën në Shkup dhe në Tetovë.

    Komandanti i Njësisë së Zjarrfikësve në Shkup, Zvonko Tomevski thotë se në fabrikën “Treska” në Shkup dhe në depon në objektin e ish-fabrikës së duhanit në Tetovë kanë munguar disa nga pajisjet më kryesore.

    “Dukshëm vërehej mungesa e shkumës kimike për shuarje të zjarrit në Tetovë. Në “Treskë” mungesa e lidhjeve të hidrantëve, respektivisht ndërprerja e ujit nëpër hidrantë ishte rrethanë vështirësuese në intervenimin e njësive”, deklaroi Zvongo Tomevski, Komandant i Nj. Zjarrfikësve – Shkup.

    Komandanti Tomeski thotë se bizneset që prodhojnë lëndë lehtë të ndezshme dhe djegëse duhet patjetër të përmbushin rregullat për mbrojtje të posaçme, ndërsa institucionet të bëjnë kontrolle të vazhdueshme.

    “Ata janë parashikuar në dokumentet e planifikimit, sa respektohen ata, këto janë përgjigje që duhet ti japin institucionet tjera, siç është Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, të cilët duhet të tregojnë nëse ai objekt juridik i plotëson kushtet për punë të sigurt, respektivisht në raste kur shkaktohet zjarr të mundet që në mënyrë të shpejtë dhe efikase të pengohet zgjerimi i tij”, tha Zvongo Tomevski, Komandant i Nj. Zjarrfikësve – Shkup.

    Nga drejtoria për Mbrojtje Shpëtim thonë se për herë të parë kanë bërë inspektim se sa njësitet zjarrfikëse i kanë të gjitha kushtet për tu ballafaquar me zjarret, ndërsa presin përgjigje edhe nga komunat të cilat duhet të kenë bërë inspektime nëpër kompani.

    “Nga 35 njësi, vetëm se tre i plotësojnë kushtet plotësisht. 10 prej njësive territoriale të zjarrfikësve i plotësojnë kushtet pjesërisht dhe të tjerat nuk plotësojnë asnjë nga kushtet dhe pajisjet e domosdoshme. Po ashtu kemi kërkuar nga Komunat të na njoftojnë për subjektet të cilat gjenden në territorin e tyre të cilat merren me prodhimin e lëndëve lehtë të ndezshme dhe djegëse të cilat duhet të plotësojnë kushte më rigoroze të ligjit për mbrojtje dhe shpëtim”, deklaruan nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim

    Brenda një muaji, në vendin tonë zjarri përfshiu dy fabrika të mëdha të cilët kishin lëndë të cilat ndizen dhe digjen lehtë. Për fat të mirë, zjarri nuk shkaktoi viktima, përveç dëmeve të mëdha materiale dhe ndotje të ambientit. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Kazakistani në referendum për ndryshim të madh kushtetues

    Lajmi i rradhës

    Koncepti i ri mësimor për klasën e parë dhe të katërt, mësuesit: Nuk është i duhur, ndërsa përmbajtjet nuk përshtaten me moshën e fëmijëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë