Më 20 tetor nuk do të ketë as ngritje, as ulje avionësh në aeroportet e Shkupit dhe të Ohrit

    Më 20 tetor, nga ora 10:00 deri në orën 15:00, nuk do të ketë as ngritje, as ulje avionësh në aeroportet e Shkupit dhe të Ohrit, pasi kontrollorët e fluturimeve do ta realizojnë grevën e paralajmëruar, ka konfirmuar për Alsat Aleksandar Tasevski nga sindikata e kontrollorëve të fluturimeve. Ai shton se do të funksionojë vetëm një sektor i kontrollorëve, i cili do të mundësojë që maksimalisht 30 aeroplanë të kalojnë në hapësirën ajrore të Maqedonisë, por pa u ulur, ndërkohë që në atë periudhë zakonisht numri arrin në rreth 70, që do të thotë se do të ketë ulje prej rreth 50% të kërkesës ekzistuese. Grevat do të vazhdojnë çdo të hënë në të njëjtën orë, derisa të plotësohen kërkesat e tyre.

    “Po, greva do të realizohet më 20 tetor, ashtu siç është paralajmëruar. Nga ora 10 deri në 15 nuk do të ketë ngritje dhe ulje avionësh në aeroportet e Shkupit dhe të Ohrit, ndërsa fluturimet që kalojnë mbi territorin e Republikës së Maqedonisë do të jenë të kufizuara në maksimum 30 avionë në orë. Kjo është afërsisht një shifër 50 për qind më e ulët nga ajo që zakonisht kërkohet aktualisht për të fluturuar mbi shtet”, tha Aleksandar Tasevski – Sindikata e Kontrollorëve të Fluturimeve.

    Ekipi menaxhues i M-NAV thotë se kontrolli i fluturimeve, si pjesë e infrastrukturës kritike, nuk guxon dhe nuk mund të ndalet, për shkak të rrezikut që paraqet për sigurinë e pasagjerëve, ekuipazhit dhe trafikut ajror.

    “Ekipi menaxhues e njeh të drejtën e organizatave sindikale për të organizuar grevë si pjesë përbërëse e luftës për përmirësimin e të drejtave të punëtorëve. Megjithatë, çdo grevë në një institucion që ofron shërbime sigurie duhet të organizohet në mënyrë që të jenë të angazhuar në punë një numër i mjaftueshëm kontrollorësh të fluturimeve (dhe sigurisht edhe punonjës të tjerë në pozicione të ndryshme), në mënyrë që të ruhet menaxhimi i sigurt i trafikut ajror. Asnjë veprim i sindikatave apo i çfarëdo subjekti tjetër nuk guxon të çojë në rrezikimin e jetëve apo të infrastrukturës”, u shpreh M-NAV.

    Kërkesat e sindikatës janë që të mos ketë punësime partiake dhe të panevojshme, si dhe theksojnë se është e nevojshme të bëhet analizë funksionale për nevojën e ekzistimit të disa shërbimeve të caktuara dhe për numrin e të punësuarve në ato shërbime, si edhe për profilin profesional që duhet të kenë ata persona./Alsat/

    Lajmi Paraprak

    AShAM me propozim të ri, kërkon të krijohet ministri e re për arsim të lartë

    Lajmi i rradhës

    Është rritur ndjeshëm numri i personave që kërkojnë ndihmë psikologjike dhe psikiatrike

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë