Me dorëheqjet, BDI heq dorë nga shumë premtime zgjedhore

    BDI hoqi dorë nga premtimi kryesor mbi të cilin mori legjitimitetin në zgjedhjet e vitit 2020, atë për kryeministrin e parë shqiptar. Dorëheqjet e ofruara ditë më parë nga ministrat e kësaj parie, ngrenë nëse partia e Ali Ahmetit e ka pasur vetëm alibi zgjedhore çështjen e kreut të ekzekutivit?. Edhe pse që në fillim besohej se një premtim i tillë ishte thjeshtë trik elektoral, Ahmeti në disa paraqitje kishte deklaruar se kryeministri i parë shqiptar do të bëhet.

    “Jo që besoj, por edhe do të bëhet”, deklaroi Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

    Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi ditë më parë pranoi se në këmbim të ndryshimeve kushtetuese, BDI heq dorë nga kryeministri shqiptar dhe është e gatshme të plotëson çdo kërkesë të opozitës maqedonase.

    “Ne kemi thënë që për të ardhmen Evropiane të vendit tonë jemi të gatshëm të heqim dorë edhe nga Qeveria e përkohshme edhe nga kryeministri shqiptar në këtë mandat edhe nga mandatet tona”, tha Artan Grubi, Zëvendëskryeministër.

    Akoma pa përfunduar mandatin BDI-ja hoqi dorë edhe nga disa çështje të cilat në programin zgjedhor i kishte kategorizuar si zotime të saja. Për shembull, Gjykata e lartë e barazisë e cila sipas tyre do të ishte në funksion të luftës kundër diskriminimit në nivel shtetëror, jo që nuk u bë por as nuk u përmend më nga eksponentë të kësaj partie. Zotimi i drejtësisë për të gjithë dhe vetingu i detyrueshëm për çdo politikan, gjyqtar dhe funksionar shtetëror ra në ujë me vendimin e DASH për ta futur Ramiz Merkon në listën e zezë amerikane. Edhe pse BDI kishte premtuar se me rikstrumturimin e partisë janë krehur të gjithë funksionarët, rezultoi ndryshe. SHBA-të e vendosën Merkon në listë e zezë pikërisht për të kundërtën e drejtësisë për të gjithë, përkatësisht për ndikim në gjyqësor. Një verifikim i bërë nga Prokuroria Publike rezultoi se Merko dyshohet për të paktën 30 vepra penale. Përveç që habit fakti se si Merko i shpëtoi organeve ligj zbatuese, akoma e pakuptueshme mbetet se si gjatë vetingit partiak Merko me 30 vepra penale kaloi filtrat në subjektin e tij pa asnjë therë në këmbë.

    Në pjesën e arsimit, ku BDI parashikonte brenda zotimit mundësi për të gjitha familjet e reja edhe arsimin parashkollor të detyrueshëm, rezultoi totalisht ndryshe nga ajo në letër. Edhe pse ky subjekt udhëheq resorin e arsimit tashmë disa vite, fëmijët vitin që lamë pas mësuan pa tekste shkollore, ndërsa një fat i tillë duket se po i pret edhe në vitin pasues.

    BDI ishte promotori i idesë së largimit të kazinove në distancë prej 1km nga shkollat, kopshtet, kishat dhe xhamitë, por ishte pikërisht ministri i BDI-së ai i cili propozoi Ligjin e ri për lojërat e fatit ku përveç dispozitave për hapjen e tregut, distanca nga institucionet arsimore u përgjysmua në 500 metra.

    Në programin e kryeministrit të parë shqiptar nga i cili hoqi dorë BDI ishte paraparë edhe ndryshimi i himnit shtetëror dhe vendimmarrja konsensuale në institucionet shtetërore strategjike. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    VMRO-DPMNE kërkon Abazi të tregojë se ku është e punësuar nusja e vëllait të tij

    Lajmi i rradhës

    Si ndikojnë temperaturat e larta tek diabetikët 

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë