“Me këtë ritëm të reformave gjatë qeverisjes LDSM-BDI, Maqedonisë së Veriut do t’i duhen 306 vjet për të përmbushur standardet e BE-së”

    Një studim i ri i Institutit për Politika Publike Arbën Xhaferi ka analizuar raportet e progresit të Komisionit Evropian duke filluar nga viti 2015 e deri në raportin e fundit, të vitit 2022, për të vlerësuar impaktin e reformave të qeverive të njëpasnjëshme SDSM-BDI në përafrimin e Maqedonisë së Veriut me BE-në, njofton Nistori.

    Viti 2015 rastis të jetë viti i fundit i qeverisjes Gruevski si dhe viti kur qasja e raporteve të progresit të Komisionit Evropian është ridizajnuar për të krijuar më tepër besueshmëri nga ana e vendeve anëtare.

    Përgjatë viteve 2017-2021, qeveritë SDSM-BDI miratuan një sërë strategjish për reforma evropiane, duke filluar nga Plani 3-6-9, Plani 18, Aksion 21 dhe plani Evropa në Shtëpi. Por cili ka qenë impakti real i këtyre planeve për reforma nga ana e qeverive Zaev I dhe II dhe së fundimi i asaj Kovaçevski?  Apo me fjalë tjera, çfarë zbulojnë raportet e progresit të Komisionit Evropian në lidhje me arritjet e qeverive suksesive SDSM-BDI në rritjen e përgatitjes së Maqedonisë së Veriut për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian?

    Komisioni Evropian analizon çdo fushë politike, apo kapitull të legjislacionit evropian, duke përdorur pesë shkallë që vlerësojnë përgatitjen për anëtarësim në BE të vendeve kandidate dhe kandidate potenciale: Fazë e hershme; Përgatitje e deridikushme; Përgatitje mesatare; Përgatitje e mirë dhe; Përgatitje mirë e avancuar. Për nevojat e kësaj analize, Instituti për Politika Publike Arbën Xhaferi ka përkthyer në nota secilën shkallë të përgatitjes: prej 1 për notën më të keqe (“fazë e hershme”) e deri në 5 për më të mirën (“përgatitje e avancuar mirë”).

    Vlerësimi mesatar i 33 kapitujve nga ana e Komisionit Evropian dëshmon se Maqedonia e Veriut nuk ka shënuar asnjë progres ndërmjet vitit të fundit të qeverisjes Gruevski (2015) dhe vitit 2022. Pra, jemi përballë një stagnimi total, me përgatitje mesatare prej 3.0 (nga 5 pikë) të arritur në fund të qeverisjes Gruevskit dhe të pandryshuar deri në ditët e sotme.

    Vlerësimi total i 33 kapitujve tregon për një progres thuajse të papërfillshëm prej 1.5 pikë nga gjithsej 165 në 7 vitet e fundit. Edhe pse është arritur progres në disa kapituj të negociatave për BE, siç janë Parimet e shtetit të së drejtës; Gjyqësori dhe të drejtat themelore; Siguria ushqimore, veterinare, fitosanitare si dhe; Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes, vendi ka shënuar kthim mbrapa në kapituj tjerë si Transformimi dixhital dhe mediat apo edhe Mjedisi dhe ndryshimet klimatike.

    Instituti për Politika Publike Arbën Xhaferi ka llogaritur se me këtë ritëm të reformave të dëshmuar gjatë qeverisjes SDSM-BDI, Maqedonisë së Veriut do t’i duhen hiç më pak se 306 vjet për të përmbushur në tërësi standardet e BE-së. Pra, sipas kësaj dinamike, Maqedonia e Veriut do të arrinte përgatitje mirë të avancuar për anëtarësim në BE në vitin 2328.

    Pra, raportet e progresit tregojnë se procesi i deritanishëm i zgjerimit ka dështuar të nxisë reforma të mirëfillta. Fatkeqësisht, nuk ka rrugë të shkurtër në përmbushjen e standardeve evropiane. Pa u krijuar bindja në kryeqytetet e BE-së se vendet kandidate kanë përgatitje të mirë, nga peshkataria e deri të siguria nukleare, asnjë vend nuk do të mund të anëtarësohet.

    Kjo do të ishte fatale për rajonin, duke ndikuar në klimën e investimeve të huaja dhe duke e bërë thuajse të pamundur arritjen e konvergjencës midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE-së. Andaj, angazhimi i BE-së në rajon duhet të fokusohet në dy akset kryesore që janë thelbi i Bashkimit Evropian:

    • Rritja e konvergjencës ekonomike dhe me tregun unik evropian, ndër tjera përmes ridinimazimit të Procesit të Berlinit.
    • Krijimin e një nisme evropiane për shtetin e së drejtës, që fatkeqësisht u braktis si ide në Samitin e Sofjes (2018) në rrethana të paqarta edhe pse të gjithë partnerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor pajtohen se mungesa e shtetit të së drejtës, kriminaliteti dhe korrupsioni vazhdojnë të jenë problemi më i madh i rajonit.

    Nëse nuk adresohen seriozisht këto dy prioritete dhe procesi mbetet i pandryshuar, është e qartë se nuk do të ketë anëtarësime të reja në BE për dekada me radhë. /Nistori/

    Shënim: të gjitha infografikat e analizës janë vendosur në vijim.

    Lajmi Paraprak

    RMV, tregtarët nuk mirëpresin uljen e çmimeve

    Lajmi i rradhës

    “Organizatorët e 27 Prillit”, lënda kthehet në rigjykim

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë