RMV, tregtarët nuk mirëpresin uljen e çmimeve

    Shitja në tregje të gjelbra e fruta-perimeve edhe për dy ditë bëhet me çmime të larta, madje disa për 4 fish më shumë sesa vlera reale e tyre. Tregtarët, me të dëgjuar që do ngrijnë çmimet, fillimisht tërhoqën tabelat që tregojnë çmimet mbi çdo produkt. Nga tregjet që vizituam, domatja shitet 100-120 denarë, trangujt nga 80-100 denarë, specat djegës 250 denarë kilogrami dhe specat pa djegë 160 denarë. Fasulja 180 denarë, bananet 90, mandarinat 80, limoni 70 dhe portokalli 60 denarë për kilogram. Tregtarët janë të hutuar se si do t’i përcaktojnë çmimet sipas klasave të fruta-perimeve dhe të mos gjobiten nga shteti.

    “Ka të klasës të parë dhe të klasës të dytë. Si do të specifikohen me ngrirje të çmimeve nuk e di, ja specat i klasifikojmë. Çmimet po ngrijnë, kurse pas pak do të ulen. Tani përfundon sasia e importuar dhe fillojnë prodhimet vendore, nuk mundet në sezon të pranverë-verë të shiten me çmime të larta nëse ato ngrijnë”.

    “Këtu i kemi 10 denarë fitim në kilogram, 4 tezga i paguajmë 20 mijë denarë në muaj. Dhe kosto të tjera në ato 10 denarë janë shpenzimet, në fund mbase na mbeten 5 denarë fitim në kilogram. S’ka më shumë koha ka ardhur kështu!”.

    Nga ana tjetër, qytetarët thonë se mbeten të mëshirë të tregtarëve se me çfarë çmime do tu shesin. Fshehja e kostove nëpër pazare, për këto dy ditë, pikërisht për 11 produktet që do të ngrijnë tregon se tregtarët shesin sipas myshterinjve të rregullt apo sipas dukjes së klientit që i ndalet para tezgës.

    “Kinse po lirohen, sot qenkan më shtrenjtë! Sa më shumë se dje? Domatet para disa dite ishin 80 tani 120 denarë, specat edhe më tepër. Thanë se u ngrinë çmimet, kurse këta qëllimisht i ngritën çmimet sot që të përfitojnë”.

    “Një gjë që e do për ushqimin nuk mund ta blesh se shtrenjtë aty është problemi. Çka të duket ty më shtrenjtë? Specat, domatet dhe këto gjërat elementare për ushqim!”.

    “Njerëzit nuk punojnë, gjithë që i njoh për së afërmi kanë ikur jashtë dhe punojnë atje, bujqit rreth Shkupit nuk kanë fëmijët afër që tu ndihmojnë këtu, të gjithë shkuan”.

    Sipas tyre, ata që punonin dhe kultivonin, të rinjtë shkuan dhe këtu mbetën vetëm ata që konsumojnë, më të moshuarit. Shoqatat e konsumatorëve i bëjnë thirrje autoriteteve që të vazhdojnë me ngrirje adekuate të çmimeve edhe pas skadimit të vendimeve, disa në fund të prillit dhe të tjerat në maj. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Trump dorëzohet në gjykatë… / Niset drejt Nju Jorkut, ‘është bërë gati për betejë’

    Lajmi i rradhës

    “Me këtë ritëm të reformave gjatë qeverisjes LDSM-BDI, Maqedonisë së Veriut do t’i duhen 306 vjet për të përmbushur standardet e BE-së”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë