MAGJISTRA E DOKTORË SHKENCASH TË PAPUNË!

    Numër i madh magjistrash dhe doktor shkencash po presin punësimin në Agjencinë e Punësimit. Derisa ky numër vitin e kaluar kishte arritur në 623 magjistra dhe 19 doktor shkencash dhe konsiderohej shqetësues, gjatë këtij viti ai ka pësuar një rritje edhe më shqetësuese duke shkuar kështu në 976 magjistra dhe 24 doktor shkencash, shifër kjo e cila ia kalon edhe vitit 2018 i cili konsiderohet si viti me numër rekord të papunësuarve me tituj magjistra e doktor shkencash.

    Gjatë një përgjigje për pyetjen e mediave se çfarë po bëhet për të ndihmuar personat e papunë që të gjejnë punë, vitin e kaluar nga Agjencia për Punësim patën thënë se po synojnë lidhjen më të suksesshme të ofertës dhe kërkesës së fuqisë punëtore me qëllim që t’i rrisin kapacitetet e punësimit për të papunët dhe në mënyrë të suksesshme të bëjnë integrimin e tyre në tregun e punës.

    Ndërkohë në evidencat e Agjencisë së Punësimit figuron se deri në shtator të këtij viti si të papunë janë regjistruar 105.357 persona, prej të cilëve 62.928 jetojnë në qytete dhe 42.429 nëpër fshatra. Të regjistruar të cilët në mënyrë aktive kërkojnë punë figurojnë 44.636, ndërsa vetëm në shtator janë regjistruar 7.757 persona, kurse për herë të parë deri në shtator janë regjistruar 1522.

    Të ndarë në baza etnike numri më i madh i të papunëve figuron të jetë i maqedonasve me gjithsej 66.146, të ndjekur nga shqiptarët me 61.381, më pas vijnë turqit (10.768), romët (16.218), serbët (789), boshnjakët (508), vlleh (161), si dhe 3,430 të kombësive tjera që jetojnë në Maqedoninë e Veriut. Më pak punë kërkojnë grup-moshat nga 15 deri në 19 vjeç (2869), ndërsa numri më i lartë i të papunësuarve figuron në moshat 55-59 vjeçare (23.553) qytetarë të regjistruar.

    Nga të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave për tremujorin e dytë të vitit vërehet një rënie e popullatës aktive e cila krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur popullata aktive figuronte me shifra prej 810.453 persona, në tremujorin e dytë të këtij viti ajo ka rënë në 793.602, ndërsa shkalla e papunësisë vazhdon të mbetet e lartë dhe arrin në 13,1% krahasuar me atë të punësimit që arrin 45.5%. Sipas tyre shkalla e vendeve të lira për punësim për tremujorin e dytë të vitit është 1.62%.

    Në raportin e tyre thuhet gjithashtu se normën më të lartë të vendeve të lira të punës e kanë minierat dhe guroret me 3.33%, kurse normën më të ulët e ka sektori për “furnizim me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (0.25%). Në njëfarë mënyre kritika sa i përket punësimit të rinjve në Maqedoninë e Veriut pati edhe në Raportin e Komisionit Evropian në të cilin theksohet se pavarësisht përmirësimeve në tregun e punës, problemet strukturore vazhdojnë të mbeten të pranishme. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Me punësime partiake nis fushata parazgjedhore!

    Lajmi i rradhës

    MASAT ANTIKRIZË TË QEVERISË | Masa të (pa)kënaqshme!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë