Shteti nuk do t’ia dijë për hallet e zjarrfikësve të Tetovës!

    Fotografia: Nistori

    Më së paku nevojiten edhe 80 zjarrfikës që të punësohen në Njësinë Territoriale Kundër Zjarrit në Tetovë. Përballja me mungesë të resurseve njerëzore është evidente një kohë të gjatë që kur përgjegjësinë për rajonin e Tetovës e komunat rurale në Pollog e ka kjo njësi. Edhe pse Maqedonia e Veriut tashmë anëtare e NATO-së dhe është në rrugë e sipër për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe harmonizon legjislaturën me këtë union, megjithatë në praktikë këta ligje nuk implementohen, sepse për kokë banori nevojiten edhe të paktën 80 zjarrfikës që të jenë më efikas në shuarjen e zjarreve në komunën e Tetovës dhe pesë komunave rurale.

    “Vlen të ceket se ne kemi mungesë të personelit, në bazë të normave dhe kritereve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s dhe ligjeve aktuale në Maqedoninë e Veriut, duhet që në 1500 banorë, të ketë një zjarrfikës profesional, që nënkupton se komuna e Tetovës bashkë me komunat rurale mungojnë edhe 80 zjarrfikës në bazë të regjistrimit të fundit”, tha Avni Ameti, komandant i Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit në Tetovë.

    Në ndërkohë, ky njësit akoma vazhdon të shuajë zjarre në një territor tepër të madh për nga aspekti i sipërfaqes, ndërsa automjetet janë tepër të vjetra. Njëri prej automjeteve është i vjetër mbi 30 vite. Kryesisht prej vitit 2005 e këndej. Në mungesë të investimeve dhe furnizimit me automjete të reja nga ana e shtetit për sa i përket automjeteve, Njësia Territoriale Kundër Zjarrit në Tetovë është furnizuar me automjete në formë të donacioneve. Bëhet fjalë për donacione nga Danimarka, Zvicra dhe Gjermania.

    “Siç e dini nga pavarësia e Maqedonisë deri në 2005 stacioni kundër zjarrit e deri më tash ka pranuar vetëm një automjet. Nga shteti fare nuk kemi asnjë ndihmë tjetër. Të gjithë këto automjete që i kemi i kemi nga donatorë të ndryshëm, janë të vjetruar dhe neve na i sjellin kur dalin nga përdorimi në shtetet atje, i sjellin këtu dhe ne i shfrytëzojmë”, deklaroi Ameti.

    Krahas kësaj, një kohë të gjatë apelohet që shteti të ndihmojë Njësinë Territoriale Kundër Zjarrit në Tetovë edhe në aspektin e furnizimit me pajisje. Kryesisht edhe në këtë aspekt njësia kundër zjarrit është furnizuar me donacione sidomos nga mërgimtarët tanë që jetojnë në vendet e Evropës Perëndimore.

    Nga ana tjetër, një kohë të gjatë kërkohet edhe disperzimi i Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit në Tetovë në komunat rurale. Megjithatë kjo kërkesë nuk ka arritur të jetësohet, pasi që sipas ligjit për ndarje territoriale, zjarrfikësit e Tetovës mbulojnë territorin e komunës së Tetovës dhe pesë komunat tjera rurale siç janë komuna e Bogovinës, Bërvenicës, Zhelinës, Tearcës dhe Jegunocit. /koha/

    Lajmi Paraprak

    BËJMË ATË QË NA THONË

    Lajmi i rradhës

    Me punësime partiake nis fushata parazgjedhore!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë