Me vonesë fillon korrja e grurit në RMV, shkak moti i paqëndrueshëm

    Me rreth 10 ditë vonesë ka filluar korrja e grurit.

    Kultivuesit presin sasi më të mëdha këtë vit, por krahasuar me vitet e kaluara, thonë se cilësia do të jetë më e dobët dhe kjo si pasojë e reshjeve të shumta të shiut dhe ditëve të pakta me diell.

    Nuri Sulejmani nga Haraçina, që bashkë me familjen e tij është kultivues i rreth 2000 tonelatave grurë në vit, thotë se kjo do të paraqes problem shtesë për mullinjtë, pasi ata do të detyrohen të furnizohen me grurë nga jashtë për ta përzier me atë vendor, me qëllim që të arrihet cilësia e duhur për prodhimin e bukës.

    “Sasi do të ketë, por cilësi nuk besoj që do të ketë, kjo do të thotë se do të jetë problem shtesë për mullinjtë që do ta bluajnë, ata do të jenë të detyruar të kërkojnë grurë nga ndonjë vend tjetër që nuk është prekur sikur gruri jonë, jo vetëm në RMV por edhe përreth Kosovë, Serbi, Bullgari etj…Ata duhet të marrin grurin të mirë, për të arritur tek cilësia e duhur për ta prodhuar bukën”, tha Nuri Sulejmani, bujk.

    Përskaj sasisë së madhe të grurit, kultivuesit thonë se mezi do të arrijnë të mbulojnë shpenzimet që kanë bërë deri më tani. Ata kanë blerë lëndët e para me çmim shumë të shtrenjtë në vjeshtë, që sipas Sulejmanit është pothuajse e barabartë me çmimin e shitjes së produktit final tani. Presin ndihmë nga shteti.

    “Ne prodhuesit e grurit sivjet e kemi një problem, bash në momentin e shitjes, neve ne vjen se jemi gëzuar kot. Jemi gëzuar për sasinë, kemi pas halle derte si me arrit te kjo ditë. Tani kur vijmë me shit, ne hasim në ofertë që nuk na përgjigjet dhe nuk na pëlqen, pasi kemi presion prej shpenzimeve që kemi arrit deri te ky prodhim sivjet…Oferta është e barabartë me prodhimin sa na ka kushtuar. Ne presim nëse presim që të mbledhim 4 ton grurë, kjo i vjen kok më kokë me shpenzimet, na ngel amortizimi i makinave”, u shpreh Nuri Sulejmani, bujk.

    Familja Sulejmani pothuajse çdo vit mbjellë nga 710 hektarë tokë me miell dhe misër, dhe arrin të kultivojë prej rreth 2000 ton grurë dhe rreth 800 ton misër. Ata posedojnë 5 kombajnë dhe brenda një dite arrijnë të korrin deri në 50 hektarë grurë. Brenda 2 javësh shpresojnë që ta përmbyllin të gjithë procesin e grumbullimit dhe deri atëherë luten që të mbajë moti i mirë, pasi reshjet e reja të shiut, do të ndikonin akoma më shumë në cilësinë e miellit. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Kasami – Ahmetit: Gjykimin më të mirë do t’ua jep populli në zgjedhjet e ardhshme

    Lajmi i rradhës

    Komunat në RMV vazhdojnë të mos kenë zgjidhje për problemin me qentë endacakë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë