Mjedisi i përgjithshëm në Maqedoninë e Veriut mbetet i favorshëm për lirinë e shtypit, por që agjencitë qeveritare nuk janë shumë transparente dhe gazetaria kritike u nënshtrohet gjithnjë e më shumë sulmeve. Maqedonia përfshihet në grupin e vendeve ku situata me lirinë e mediave është e “kënaqshme”. Në këtë grup janë vetëm dy vende të Ballkanit, respektivisht Sllovenia, e cila ndodhet në vendin e 33-të dhe Mali i Zi në vendin e 37-të.
Polarizimi i fortë politik reflektohet edhe në media
Në raport gjithashtu theksohet se për shkak të polarizimit të fortë politik, media mund të vihet nën presionin e autoriteteve, politikanëve dhe biznesmenëve në nivel kombëtar dhe lokal. Dy partitë më të mëdha në pushtet dhe në opozitë kanë krijuar sisteme mediatike paralele mbi të cilat ushtrojnë ndikimin e tyre politik dhe ekonomik.
Televizioni është burimi dominues i informacionit, por edhe mediat online luajnë një rol të rëndësishëm, thuhet në raport.
Transmetuesit publik i mungon pavarësia editoriale dhe financiare, thuhet mes të tjerash në raportin e Reporterëve pa Kufij. Në raport thuhet se vendi nuk ka përparim në harmonizimet ligjore me standardet e BE-së në sferën e mediave.
“Ndërsa kushtetuta garanton lirinë e fjalës dhe ndalon censurën, vendi ka qenë i ngadalshëm në harmonizimin e legjislacionit të medias me standardet e Bashkimit Evropian, ku synon të anëtarësohet”, thuhet në raportin vjetor .
Duhen reforma thelbësore
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) e vlerëson si realist dhe të balancuar raportin e Reporterëve pa Kufij, sipas të cilit vendi ka shënuar regres prej gjashtë vendesh në lirinë e mediave. Sipas SHGM-së ekzistojnë sfida dhe ka nevojë për reforma thelbësore.
“Kjo paraqet sinjal të qartë për institucionet se nevojitet reforma të domosdoshme urgjente dhe të koordinuara për forcimin e sektorit mediatik dhe përmirësimit të veprimit të gazetarëve”, thonë nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë.
Kush është fajtor për pozitën e mediave?
Kritikat e shprehura në raport për mjedisin mediatik në Maqedoninë e Veriut u bënë shkas për përplasjen e pushtetit dhe opozitës. Sipas LSDM-së opozitare shkak për regresin në lirinë e mediave ështëardhja e VMRO-DPMNE-së në pushtet, pasi mediat janë në shënjestër të trysnive.
“Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE kthehet në metodat e vjetra të kontrollit, trysnisë dhe frikës. Gjithmonë kur VMRO-DPMNE është në pushtet, liria e mediave ngufatet, gazetarët vendosen nën trysni, ndërsa hapësira mediatike mbyllet”, thonë nga LSDM.
Kurse VMRO-DPMNE-ja thotë se shkaku i regresit janë dezinformatat e LSDM-së opozitare. “Rënia në Indeksin e Reporterëve pa Kufij është kryesisht për shpërndarjen e lajmeve të rrejshme dhe dezinformatave. Fabrika kryesore për lajme të rrejshme dhe dezinformata, në mungesë të politikave konstruktive janë LSDM dhe Venko Filipçe”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Partia më e madhe shqiptare në opozitë BDI vlerëson se raporti i Reporterëve pa Kufij përbën tregues serioz për prirjet negative në qeverisjen demokratike në Maqedoninë e Veriut.
“Në vend që të garantojë pavarësinë institucionale, Qeveria ka zgjedhur ta thellojë klientelizmin përmes mekanizmave të rinj ndikimi, përfshirë edhe reklamimin e institucioneve publike në media private”, thuhet në reagimin e BDI-së. /DW/