Mexhiti: Eksponentë të lartë të BDI-së, e lutën Pendarovskin që ta kthejë Gruevskin

    “Eksponentë të BDI-së i kërkuan Pendarovskit kthimin e Gruevskit”

    Lideri i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti në ClickPlus në TV21 doli me një njoftim se ishin eksponentë të lartë të Bashkimit Demokratik për Integrim, ata që i kërkuan presidentit Stevo Pendarovski kthimin e ish kryeministrit të arratisur në Hungari, Nikolla Gruevskit, përcjell Nistori.

    “Në ditën e NATO-s, eksponentë të BDI-së, të lartë, kanë kërkuar dhe e kanë lutur në presidencë që me çdo kusht të kthehet Nikolla Gruevski nëse duan që vendi të ketë perspektivë”, tha Mexhiti.

    “Ahmeti thotë do të shkojmë me LSDM-në, Sela thotë se jo me LSDM-në” – Mexhiti flet për opozitën

    “Opozita edhe pse u bashkua shume shpejt, ka qëndrime më të unifikuara. Te shumica nuk e shohim këtë, shpesh herë dalin me qëndrime kundërthënëse. Ahmeti thotë do të shkojmë me LSDM-në, nesër del Sela thotë jo me LSDM-në dhe diçka tjetër”.

    Kësisoj lideri i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti thotë se se qytetarët e kanë shumë më lehtë të përzgjedhin se kah do të shkojnë, sepse opozita flet me një zë, ndërkaq shumica me shumë zëra.

    Sipas tij, hyrja e Aleancës për Shqiptarët në Qeveri ka shkaktuar pakënaqësi te votuesit e kësaj partie politike.

    “Votuesit, anëtarësia, militantët e Aleancës nuk janë shumë të kënaqur me pjesëmarrjen në Qeveri dhe e kanë problem me lista të përbashkëta me BDI-në dhe nuk e di si do e kenë nëse do të jenë në lista të përbashkëta me LSDM-në”, tha më tej Mexhiti.

    Mexhiti hedh dyshime mbi shumicën për interesin strategjik: Po kamuflon për korrupsion, për zhvatje

    “Gojën plot Europë, ndërsa Kodin Penal e ndryshuan fshehtazi”, kështu është shprehur Mexhiti, tek sa kritikoi Qeverinë aktuale se nuk është duke punuar për interesin strategjik të shtetit – integrimin europian.

    “I kanë thyer të gjitha vlerat europiane, ndërsa gojën e kanë plot për integrimet europiane. Po përfundon mandati i kësaj shumice dhe ne e shohim që edhe në premtimin kryesor po çalojnë, po dështojnë, sepse përkushtimi i shumicës nuk është në interesat strategjike të shtetit dhe të qytetarëve, por kjo është një kamuflim për korrupsion, për zhvatje”, tha Mexhiti.

    Mexhiti kritikon Selën për deklaratat e fundit për rastet e montuara

    Mexhiti ka dërguar kritika drejt Ziadin Selës së Aleancës për Shqiptarët, për deklaratat e tij për ligjin për amnisti dhe për rastet e montuara gjyqësore.

    Mexhiti tha se Sela duhet të shpreh qartë qëndrimin e tij për Ligjin për amnisti, dhe jo të flasë me “nëse”, sepse siç tha, tashmë është pjesë e Qeverisë.

    “Mua më takon “nëse”, ndërkaq zotëri Sela është në Qeveri. Me numrat e tij është bërë Qeveria dhe e ka ministrin e Drejtësisë që e ka edhe familjar dhe nuk mban ajo e di apo nuk e di, “nëse”. O janë, o nuk janë – duhet ta dimë. Ne si opozitë jemi të gatshëm që nëse hapet debat, t’i bisedojmë të mirat dhe të këqijat dhe do të ishte një vendim fisnik në këtë drejtim. Por krejt kjo është një kamuflim për të amnistuar kategorinë e Gruevskit, e Sasho Mijallkovit dhe figurave të këtilla”, tha Mexhiti.

    Mexhiti: Kosova demonstroi shtetin, i dha përgjigje Serbisë

    Mexhiti vlerësoi se Kosova me reagimin e saj, demonstroi shtetin, ndërkaq sulmin e cilësoi si terrorist dhe të përgatitur për një kohë të gjatë nga Serbia.

    “Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e policit të vrarë, Afrim Bunjaku dhe atyre të tjerëve të plagosur, që kanë marrë pjesë në këtë demonstrim, sepse Kosova demonstroi shtetin, luftoi terroristët ashtu siç e meritojnë. Kjo i dha përgjigje Serbisë se Kosova nuk është ajo siç kanë dashur ta shohin. Këto janë pasoja të politikave të Vuçiqit, Millosheviqit dhe sidomos të eksponentit Vulin i cili është dorë e zgjatur e Rusisë, i cili në afërsi sillet edhe nga Wagneri dhe për një kohë të gjatë përgatitej një gjë e tillë”, tha Mexhiti.

    Opozita shqiptare me kandidat për president të Maqedonisë

    Opozita shqiptare njoftoi se do të dalë me kandidat të vetin në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, që priten të mbahen në pranverë në Maqedoninë e Veriut, bëri të ditur lideri i LD-së.

    Përkundër paralajmërimeve që president aktual pritet të rikandidohet sërish nga pushteti, opozita shqiptare, Lëvizja Demokratike, Lëvizja Besa dhe Alternativa do të propozojnë emër shqiptar për të parin e shtetit.

    Ende nuk kanë një emër dhe nuk dihet do të jetë mashkull apo femër

    “Opozita shqiptare – Lëvizja Demokratike, Lëvizja Besa dhe Alternativa me derën e hapur edhe për tjerët, do të kemi kandidatin për president tonin, shqiptar.

    Gazetari: Kandidat apo kandidate, keni emër?

    Izet Mexhiti: Do ta përcaktojmë. Ne fokusin e kemi votuesin shqiptar. Ne, me mbështetjen e votuesit shqiptar do të dalim fitues në zgjedhje dhe do ta bëjmë ndryshimin tek shqiptarët. Nuk lodhemi për taborët, apo lëvizjet e çuditshme të Gruevskit, Mickoskit, Zaevit apo Kovaçevskit. Ato janë punë të tyre”, tha Mexhiti. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Dibranët do të ngrohen me pelet dhe rrymë elektrike

    Lajmi i rradhës

    Një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve për sulm terrorist ndaj Policisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë